<b></b> AC Milan i falet Tonalit, fiton me përmbysje ndaj Veronas dhe rimerr 'timonin' e Seria A

AC Milan i falet Tonalit, fiton me përmbysje ndaj Veronas dhe rimerr 'timonin' e Seria A

08.05.2022 22:41

AC Milan ka shënuar fitore ndaj Hellas Verona, sfidë që doli të jetë më e vështirë sesa që pritej.

"Rossonerët" fituan me përmbysje nga 1:0 në 1:3, ndeshje e vlefshme për xhiron e 36-të në Serie A.

AC Milan e nisi në mënyrë fenomenale ndeshjen duke krijuar disa aksione të bukura dhe në fakt gjeti golin përmes mesfushorit Sandro Tonali, por që goli i këtij të fundit u anulua për pozitë jashtë loje (16').

Hellas Verona ishte skuadra që zhbllokoi ndeshjen duke realizuar përmes ish lojtarit të Interit, Davide Faraoni që përfitoi nga harkimi i Lazovic dhe realizoi nga afërsia (38').

Sidoqoftë, Milan vazhdoi me sulmet e njëpasnjëshme dhe arriti të barazojë rezultatin shtatë minuta më vonë, përmes mesfushorit Sandro Tonali që shënoi gol të bukur pas një asistimi të mrekullueshëm të Rafael Leao, i cili dribloi mes dy lojtarëve (45+3').

Kësisoj, me raste të shumta, por vetëm dy gola të shënuara përfundoi kjo pjesë e parë.

"Rossonerët" ishin më të mirë edhe në pjesën e dytë, ku realizuan menjëherë për të marrë avantazhin e takimit.

Pas një kundëraksioni, Leao mori topin nga gjysma e fushës dhe dribloi deri në zonën e 16-metërishit, ku pastaj sërish asistoi për Tonalin, që e kishte të lehtë të shënonte në portën e zbrazur (50').

Fitoren e gjigantit italian e vulosi mbrojtësi i krahut, Alesandro Florenzi me një gol fantastik nga distanca, që la në gjumë portierin vendas (82’).

Kjo fitore është më së e mjaftueshme për Milanin që të rimerr 'timonin' e kampionatit italian me 80 pikë të tubuara, dy më shumë se pozita e dytë, që e mban rivali lokal, Inter, derisa Verona renditët e nënta në tabelë me 52 sosh, derisa kanë mbetur edhe dy xhiro pa përfunduar ky edicion.

Në ndeshjen e radhës, Milan do ketë punë të vështirë në "San Siro" ndaj Atalantas, derisa Verona do jetë nikoqir i Torinos së Mërgim Vojvodës.

Tjera nga autori:
1