<b></b> Arbër Zeneli rikthehet nga lëndimi dhe

Arbër Zeneli rikthehet nga lëndimi dhe "vallëzon" me driblime ndaj kundërshtarëve

19.04.2022 19:12

Njëra prej mungesave më të mëdha që kishte Kosova gjatë grumbullimit të fundit në muajin mars, ishte ajo e Arbër Zenelit. Për fatin tij të keq ai ndjeu një shqetësim muskulor që e la atë jashtë fushave të blerta për një muaj. Krejt kjo vetëm një javë para se t'i bashkoheshin lojtarët kampit dardan. Zeneli la pas shpine lëndimin gjatë kësaj fundjave, kur u angazhua në fillim të pjesës së dytë ndaj Montpellier në udhëtim dhe filloi ta bëjë menjëherë atë që di më së miri: lojtarin dehës në driblime. Meqë kjo paraqitje më se pozitive erdhi pas një seri lëndimesh, vendosëm t'ia atribuojmë titullin e 'lojtarit dardan të javës'.

Një historik vuajtjesh me lëndime

Për fatin e tij të keq, Zeneli ka një historik vuajtës të lëndimeve. Madje, mund të konstatohet që duke filluar prej lëndimit të tij famëkeq ndaj Malit të Zi në Podgoricë, kur u detyrua të zëvendësohej në pjesën e parë [pasi kishte thyer ligamentin anësor kryqëzues - ACL] në ndeshjen ku Kosova barazoi me rezultat 1:1 në qershor të 2019-ës, ai më shumë ka kaluar kohë në infermeri të klubit sesa duke luajtur në fushë. 

Nga ai moment qëndroi 501 ditë jashtë fushave të blerta, duke llogaritur edhe lëndimin e fundit. Thënë ndryshe, vuajti nga tri lëndime tjera, pas atij të sipërpermendurit. Nëse e përkthejmë në shifra konkrete, Zeneli në këtë fazë kohore ka qenë jo i gatshëm për t'u stërvitur dhe luajtur në 43% të kohës në tri vjeçarin e fundit. Shifra që demonstrojnë më së miri shkallën e rëndë të lëndimeve që ai ka vuajtur. Kjo ka bërë që ai t'i humbasë 62 ndeshje të kampionale që atëherë, e që është ekuivalent i një sezoni e gjysmë për një skuadër si Reims që nuk luan në kupa evropiane.

Gjithsesi, pavarësisht të gjitha këtyre problematikave, Zenelit nuk i ka munguar shkëlqimi në ndeshjen e fundit, kur u aktivizua në lojë nga fillimi i pjesës së dytë ndaj Montpellier.

Ai i dha gjallëri lojës së Reims, duke treguar paraqitje të nivelit të lartë, edhe pse në fund ndeshja përfundoi me rezultatin baras, 0 me 0.

Zeneli ia bëri jetën "ferr" Ferrit 

Kur trajneri i tij, Garcia, vendosi që ta inkuadrojë në lojë, Zeneli u pa menjëherë që ishte në disponim të lartë për ta treguar veten, duke e shpërthyer edhe atë dufin e tij të brendshëm që i është akumuluar pas një mori lëndimesh që e përcollën në vitet e fundit. Këtë e bëri më së miri duke "vallëzuar" me topin, përmes driblimeve të njëpasnjëshme.

27-vjeçari mitrovicas ishte i pamarkueshëm sa herë që vendoste të krijonte superioritet numerik me anë të lojës një kundër një, duke i dribluar lojtarët kundërshtarë sikurse konet nëpër stërvitje.

"Viktima" e parë e driblimeve të sulmuesit anësor kosovar u bë mesfushori defanziv i Montpellier, Ferri, i cili katër minuta pasi u inkuadrua në lojë Zeneli, nuk ia doli ta neutralizojë kur ky i fundit vendosi që ta rrokulliste me topin në pronësi, për ta sulmuar horizontalisht zonën kundërshtare.

 

Ai vazhdoi t'ia bëjë jetën ferr mesfushorit francez, Ferri. Pak sekonda më vonë, kur nuk kishte kaluar asnjë minut nga aksioni i mëhershëm, Zenelin vetëm me ndërhyrje jo korrekte u detyra ta ndalojë mesfushori defanziv, pasi veçse ia kishte mësyer që të futej në zonën e Montpellier.

 

Nuk pati një moment në të cilin Zeneli provoi që të bëjë ndonjë fintë me top dhe t'i dështojë ndonjë përpjekje e tillë. Secila lëvizje që shkonte në atë drejtim, i dilte e suksesshme. Jo më kot në fund gëzoi statistikë të driblimeve të sakta 6 nga 6, e cila është shifër e rrallë të arrihet, veçanërisht në një kampionat fizik si ai francez. 

Në një moment të dytë, respektivisht thënë në minutën e 67-të të lojës, sulmuesi dardan e bëri të ndihej keq Ferrin. Ky i fundit u duk i dorëzuar pasi për herën e tretë brenda pak minutash e dribloi në hap Zeneli. As dyfishimi i mbrojtësit të krahut të djathtë të Montpellier, Souquet, nuk kreu aspak punë. Zeneli marshoi diagonalisht duke dribluar për ta krijuar një situatë të përshtatshme për të hapur korridor të lirë, duke krijuar një sulm potencial 3 kundër 3, por në fund, sulmuesi kosovar gaboi në çastin vendimtar për të shërbyer me pasim dhe i gjithë aksioni shkoi huq. 

Disa hapa para Ferri dhe Souquet u tregua edhe dy minuta më vonë, por qendërmbrojtësi francez me përvojë të madhe, Mamadou Sakho, ia bllokoi hapësirën për goditje, duke bërë që aksioni të humbiste rrezikshmëri.

 

 

I pranishëm me topin në pjesë të mëdha të fushës

Arbër Zeneli bëri një paraqitje në të cilën tregoi vullnet enorm për të rekuperuar topa dhe për t'i ndihmuar bashkëlojtarëve në çdo cep të fushës, aty ku kishte nevojë. 

Diçka të tillë e dëshmojnë edhe imazhet e poshtme që mund t'i shihni, ku në fotografinë e parë vihet re se në cilat pjesë të fushës ai ishte më së shumti aktiv, ndërsa në fotografinë e dytë ilustrohet çdo kontakt i tij me topin që e ka bërë brenda fushës.

 

Mos-efikasiteti para portës, çalesa e tij e vetme në lojë 

Për fatin e tij të keq, Zeneli nuk ia doli të jetë mjaftueshëm klinik para portës së Montpellier. Ai në pozitë të tillë u ndodh dy herë gjatë ndeshjes. 

Zhvillohej minuta e 59-të e takimit kur mbrojtësi i krahut të djathtë belg, Maxime Rusi, e shërbeu me top në një pozitë ballore pak jashtë zonës së rreptësisë kundërshtare. Sulmuesi dardan bëri një rrokullisje të shkëlqyer me topin, me ta pranuar atë, duke u liruar kësisoj nga markimi i lojtarit të ri francez, Maxime Esteve, por për fatin e tij të keq goditja që lancoi ishte lehtë e lexueshme dhe e neutralizueshme, pasi përfundoi drejt e në duart e portierit. 

Mungesën e pragmatizmit para portës e vuri re edhe në minutën e 64-të të lojës, kur pas një seri kombinimesh në zona të ngushta me një prekje me mesfushorin fantazist algjerian, Kebbal, Zeneli nga pothuajse një penalti në lëvizje, shpërdoroi mundësinë për të shënuar gol. 

Pra, këto ishin mangësitë e tij të vetme në ndeshje. Mirëpo, duke ditur sa shumë kishte vuajtur nga lëndimet në këtë periudhë kohore dhe se nuk ishte ende në 100% të elementit fizik, paraqitja e tij mund të konsiderohet shembullore. Dhe, në fakt e tillë ishte. Volumi i lojës nuk ishte i njëjtë pa Zenelin në fushë. 

Kujtojmë që Arbër Zenelit kontrata me Reims i skadon në qershor të vitit të ardhshëm. Akoma është e paqartë nëse do ta rinovojë kontratën me klubin francez apo do të lëviz gjetiu. Për shkak të lëndimeve të papërshtatshme dhe të rënda, ai ka luajtur vetëm në 4 ndeshje gjatë këtij sezoni në Ligue 1. Ndonëse nuk ka shënuar asnjë gol në këtë edicion të kampionatit, ai ia ka dalur që të asistojë tri herë për golat e shënuar nga bashkëlojtarët e tij.

 

Tjera nga autori:
1