<b></b> “Ballkani festën do ta bëjë pas Bajramit” – Batatina me një mesazh para derbit në “Zahir Pajaziti”

“Ballkani festën do ta bëjë pas Bajramit” – Batatina me një mesazh para derbit në “Zahir Pajaziti”

29.04.2022 18:00

Trajneri i Llapit, Tahir Batatina është i sigurt që do triumfojnë në vikend në derbin ndaj Ballkanit, derisa thotë se këtë edicion synon ta mbyll si nënkampion i Kosovës.

Derbi i xhiros së radhës padyshim do jetë në “Zahir Pajaziti” mes Llapit dhe Ballkanit, ku skuadra nga Suhareka me një pikë të fituar, për herë të parë në histori të klubit do e fitonte titullin kampion.

Me fitoren e fundit ndaj Dritës (3:2), Ballkanit do t’i nevojitet vetëm një pikë që të shpallet kampion matematikisht gjashtë xhiro pa përfunduar kampionati.

Sidoqoftë, në një bisedë për Gazetën Nacionale, trajneri i Llapit, Tahir Batatina tha se janë të përgatitur vetëm për fitore.

Ne jemi të përgatitur njëjtë si në të gjitha ndeshjet e tjera, jemi në formë të mirë dhe do luftojmë për fitore. Kemi pesë ndeshje të pamposhtur dhe nuk kemi pësuar as gol, prandaj besoj që do të vazhdojmë me këtë seri”.

Tutje, ai shtoi se synimi i Llapit në këtë edicion përpos Kupës së Kosovës është pozita e dytë në tabelë.

Të dy skuadrat janë në formë të lartë, por ne do kërkojmë vetëm fitore, pasi përpos që jemi finalistë të Kupës ne synojmë ta mbyllim sezonin si nënkampion, pasi kampion është vështirë të bëhemi shkaku që Ballkani është shumë pranë”.

Në fund, i pyetur për mundësinë që Ballkani të bëhet matematikisht kampion në “Zahir Pajaziti”, përgjigja e teknikut llapjan ishte shumë interesante “Ballkani do bëhet kampion pas festës së Bajramit”.

Na do synojmë vetëm fitore. Është mirë që klubet që bëhen kampion të bëhen në fushat e tyre dhe jo te kundërshtarët. Ballkani do bëhet kampion pas festës së Bajramit, mirëpo nuk besoj që para saj”, deklaroi ai.

Si Llapi ashtu edhe Ballkani janë duke kaluar në një formë të jashtëzakonshme, nëse shohim statistikat në xhirot e fundit.

Të dy skuadrat nuk dinë për humbje në pesë ndeshje e fundit, me "Legjendat" që gjithashtu kanë mbajtur edhe portën e paprekur.

Përballja interesante do zhvillohet në “Zahir Pajaziti” ditën e diele, me fillim nga ora 15:00.

Tjera nga autori:
1