<b></b> Ballkani një pikë larg titullit historik, pasi e mundi Dritën në një ndeshje drithëruese

Ballkani një pikë larg titullit historik, pasi e mundi Dritën në një ndeshje drithëruese

28.04.2022 17:03

Ballkani është vetëm një pikë larg titullit të parë kampionit të Kosovës në historinë e klubit, pasi e mposhti 3:2 Dritën në një ndeshje drithëruese në derbin e javës në Superligë të enjten.

Ermal Krasniqi shënoi në minutën e 95-të për fitoren e mundimshme 3:2 të Ballkanit, pasi Drita ishte rikthyer nga një disavantazh prej dy golave për ta barazuar rezultatin në kohën shtesë në Stadiumin e Qytetit në Suharekë.

Ndërkohë, në ndeshjen e fundit të javës së 31-të të zhvilluar po ashtu sot, Llapi e mundi 2:0 Malishevën, duke e bërë një hap të madh drejt pozitës së tretë, që dërgon në garat evropiane sezonin e ardhshëm dhe duke ia zbehur shpresat e mbijetesës Malishevës.

Pas një pjese të parë pa gola, pavarësisht mundësive të shënimit nga të dy palët, të gjitha pesë golat në Suharekë u shënuan në pjesën e dytë.

Në fakt, dy gabime brenda pesë minutave i kushtuan Dritës me dy gola.

Së pari Ilir Blakçori shënoi në portën e vet në minutën e 49-të, para se Nazmi Gripshi ta dyfishonte epërsinë e Ballkanit duke e shfrytëzuar një gabim të portierit vizitor Maloku pesë minuta më vonë.

Drita ia doli ta barazonte rezultatin brenda një periudhe të shkurtër prej rreth 10 minutave, kur Almir kryeziu e theu akullin në minutën e 78-të.

Ardit Tahiri e barazoi rezultatin në 2:2 në minutën e 90-të, por gëzimi i gjilanasve nuk do të zgjaste shumë.

Ermal Krasniqi shënoi nga afërsia pasi e pranoi një top të gjatë në minutën e 95-të.

Ballkani tani ka 69 pikë në vendin e parë, 14 më shumë se Drita dhe Gjilani në vendet dy dhe tre, dhe i nevojitet vetëm edhe një pikë në pesë ndeshjet e mbetura për t’u shpallur kampion.

Takimi i radhës i Ballkanit është me Llapin në Podujevë.

Malisheva 0:2 Llapi

Llapi e mundi lehtësisht 2:0 Malishevën në udhëtim, duke e bërë një hap tjetër drejt top treshes në Superligë.

Arbnor Ramadani dhe Adem Maliqi i shënuan golat e fitores së katërt radhazi për skuadrën e Tahir Batatinës.

Kjo fitore nënkupton se Llapi tani mbledh 53 pikë në vendin e katërt në tabelë, vetëm dy pikë larg Dritës dhe Gjilanit në vendet dy dhe tre, vende që dërgojnë në kualifikime për garat evropiane.

Për Malishevën, kjo disfatë – e cila ishte e treta në katër ndeshjet e fundit – nënkupton ngelje në zonën e rënies nga elita dhe vështirësim i përpjekjeve për mbijetesë.

Malisheva ka 37 pikë në vendin e tetë, dy më pak se Dukagjini dhe Drenica në zonën e shpëtimit.

Tjera nga autori:
1