<b></b> Cristiano Ronaldo vazhdon me rekorde dhe statistika të çmendura 

Cristiano Ronaldo vazhdon me rekorde dhe statistika të çmendura 

02.05.2022 22:59

Cristiano Ronaldo, përkundër 37 vjetëve që i mban mbi supe, po vazhdon të paraqitet në nivele më se diskrete edhe në edicionin e sivjem të Premierligës. Ose, thënë ndryshe, mund të konstatohet që niveli i paraqitjeve të tij deri më tani ka qenë sa e sa më superior sesa i atij ekipor të 'djajve të kuq'.

Një gjë të tillë e flasin edhe vetë statistikat dhe rekordet e njëpasnjëshme që ai po regjistron. Ai në 33 paraqitje të sivjeme në Premierligë, ka shënuar 18 gola. Më mirë sesa ylli portugez në raport me golat e shënuar qëndrojnë vetëm ylli i Liverpool, Mo Salah me 22 gola të shënuar, si dhe sulmuesi korean i Tottenham, Son Heung-Min, i cili ka regjistruar 19 gola.

Ndonëse 37-vjeçari nuk ka pasur në përkrahje një repart sulmues i cili ka pasur probleme të hatashme gjatë sezonit, duke qenë edhe ai me përformancën më të dobët nga të gjitha skuadrat e mëdha angleze me 57 gola të shënuar në 36 paraqitje - Cristiano Ronaldo prapëseprapë është treguar në lartësinë e duhur, duke treguar veten se pse është njëri prej lojtarëve më të mirë të gjitha kohërave, si dhe golashënuesi më i mirë në histori të futbollit.

Ronaldo, mbi të gjitha, ka treguar një formë në ngritje gjatë muajve të fundit. Nëse kemi parasysh këtë vit kalendarik, atëherë del që Cristiano Ronaldo të ketë shënuar 10 gola, ku vetëm ylli korean, Son Heung-Min, ka shënuar më shumë, me gjithsejt 11 gola.

Goli i sotëm që shënoi përballë Brentford në minutën e 61-të të takimit, ishte i 123-ti që ia ka shënuar klubeve kundërshtare përgjatë karrierës së tij, të 45 shteteve të ndryshme. Shifra që flasin vetë dhe tregojnë për rendimentin me plot konstantshmëri që ka pasur gjatë gjithë kohës Ronaldo, pa ndonjë luhatje të madhe të formës. 

Me golin e sotëm, Ronaldo shënoi më shumë golanë 'Old Trafford' gjatë këtij sezoni, plot 14 sosh, sesa çdokush tjetër që ka shënuar në stadiumet e veta respektive në kuadër të ndeshjeve në Premierligë. 


Sot, Manchester United fitoi me rezultat 3:0 përballë Brentford në kuadër të javës së 38-të të kampionatit anglez. Ndryshe, kjo ishte edhe paraqitja e fundit përballë tifozëve të tyre të skuadrës më të trofeshme me tituj kampionë të Premierligës, pasi dy ndeshjet e fundit ata do t'i luajnë në udhëtim ndaj Brighton dhe Crystal Palace.

Pavarësisht fitores përballë Brentfordit, sezoni i Manchester Unitedit mund të konsiderohet jashtëzakonisht i dobët. Jo më kot sot tifozët vendas kontestuan sërish pronarët Glazers, pasi skuadra ka vuajtur përtej pritshmërive të shumëkujt, nëse kemi parasysh që vitin e kaluar kishin mbyllur sezonin 2020/2021 si nënkampionë të Premierligës. 

Ndërkaq, këtë vit ata duhet të kënaqen me vendin e gjashtë dhe kualifikimin në Ligën e Evropës. 

Cristiano Ronaldo ende nuk është e qartë nëse do të vazhdojë të qëndrojë te klubi anglez. Kontrata e tij skadon në vitin e ardhshëm. Nga sezoni tjetër Manchester United do të udhëhiqet nga trajneri i tanishëm i Ajax, Erik ten Hag. 

Ish-ylli i Kombëtares së Holandës dhe Milanit, Marco Van Basten, pak ditë më parë ka këshilluar publikisht trajnerin Erik ten Hag që ta mbajë në skuadër Ronaldon, duke thënë që do të ishte një resurs i nevojshëm. 

"Nëse Ronaldo do të vazhdojë të ketë vazhdimësinë e golave të shënuar sikurse në javët e fundit, nuk shoh arsye pse Manchester United do të duhej të prviohej nga ai. Ten Hag duhet të kuptojë që nuk mund t'i kërkojë atë që pretendon nga një 18-vjeçar nga pikëpamja fizike. Natyrisht që Cristiano Ronaldos i përket të punojë fort, por jam i sigurt që mund t'ia dalë, sepse Ten Hag di se si të punojë dhe të arrijë të kuptohet nga lojtarët e vet", ishte shprehur Van Basten.

Tjera nga autori:
1