<b></b> FFK thotë se Gjykata e Apelit i refuzoi ankesën, Vokrri: Shumë e çuditshme që të publikohet vendimi të dielën

FFK thotë se Gjykata e Apelit i refuzoi ankesën, Vokrri: Shumë e çuditshme që të publikohet vendimi të dielën

01.05.2022 16:02

Gramoz Vokrri ka mbetur i befasuar si Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) ka publikuar vendimin e Gjykatës së Apelit ditën e diele, duke thënë se nuk është në dijeni për vendimin përfundimtar.

FFK para disa orëve publikoi vendimin e Gjykatës së Apelit, ku thuhet se Vokrrit i është marrë si e pabazë kjo ankesë dhe që nuk ka pasur shkelje.

"Refuzohet si e pabazuar ankesa e paditësit - propozuesit Gramoz Vokrri nga Prishtina, ndërsa aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë - Departamenti për Çështjet Administrative A.nr740.22m i datës 29.03.2022, VËRTETOHET", shkruhet në komunikatë.

Lidhur me këtë çështje, Gazeta Nacionale ka kontaktuar Vokrrin, i cili theksoi se nuk është në dijeni. Ai gjithashtu ka mbetur i befasuar se si FFK ka siguruar letrën e Gjykatës së Apelit ditën e diele.

“Jo s’jom në dijeni. Është shumë e çuditshme, sot është e diele, si ka mundësi që Gjykata të jep vendimin. Ose ata jonë shumë të fortë, ose kanë dikë aty”.

Ndërkohë, tutje ai shtoi se të martën do diskutojë me avokatin dhe do e vlerësojnë tërë letrën.

“Nuk mundem të komentoj sepse nuk më takon mua, është puna për juristët .Të martën do bisedoj me avokatin dhe pastaj do shohim se cka përmban kjo letër”.

Gazeta Nacionale ka provuar të kontaktojë edhe me avokatin e Vokrrit, Arbër Krasniqi, por ky i fundit nuk ka kthyer përgjigje (deri në publikimin e këtij shkrimi).

Kujtojmë, se përpos Vokrrit, edhe Ministria e Sportit është duke vlerësuar nëse ka pasur shkelje gjatë Kuvendit Zgjedhor të mbajtur me 6 prill.

Ministri i Sportit, Hajrullah Çeku disa javë më parë ka deklaruar se nëse ka pasur shkelje, do ta dërgojnë çështjen në Gjykatë dhe ekziston mundësia që edhe t’i merret licenca FFK-së.

Tjera nga autori:
1