<b></b> Gazetari italian Antonio Gaito për Nacionalen: Rrahmani lojtar i klasit të parë, nganjëherë superior edhe ndaj Koulibalyt

Gazetari italian Antonio Gaito për Nacionalen: Rrahmani lojtar i klasit të parë, nganjëherë superior edhe ndaj Koulibalyt

08.05.2022 11:03

Antonio Gaito është drejtor i medias më të madhe që mbulon zhvillimet brenda klubit të Napoli, Tuttonapoli . Ai me kënaqësi pranoi ftesën për t'u intervistuar rreth Amir Rrahmanit dhe zhvillimeve tjera në klubin napoletan. Përshtypjet e tij si gazetar sportiv napoletan për qendërmbrojtësin kosovar Rrahmani, mund t'i lexoni në vijim, në kuadër të kësaj intervisteje. 

Mbrojtësi 28-vjeç prishtinas dhe njëherit përfaqësues i Kosovës, Amir Rrahmani, aktualisht po zhvillon sezonin më kompakt në karrierën e tij profesioniste. Ai është shndërruar në pikë referimi te skuadra napoletane. Ardhja e Spallettit ia ka rikthyer vetëbesimin, pas një sezoni të vështirë që kishte kaluar paraprakisht me Gennaro Gattuson. Që tani ai numëron 32 paraqitje në Serie A, ku mes tjerash ka shënuar edhe 4 gola. Mirëpo, mbi këto statistika, është siguria në mbrojtje që ka arritur ta transmetojë Rrahmani në sytë e stafit teknik, tifozëve dhe ndjekësve të Serie A në Itali dhe jashtë saj. Për të biseduar për ecurinë e tij dhe shumëçka tjetër, kontaktuam me gazetarin dhe njëherazi drejtorin e Tuttonapoli, Antonio Gaito, i cili së bashku me redaksinë që udhëheq, përcjellin të gjitha zhvillimet nga afër që kanë të bëjnë me klubin napoletan.

Gazeta Nacionale:

Antonio, para dy vitesh Napoli transferonte Rrahmanin. Para se gjithash, duhet thënë që me Gunter dhe Kumbullën kishin formuar një linjë defanzive mjaft kompakte dhe solide në klubin veronez. Thënë këtë, pse sipas jush njerëzit në Napoli ishin paksa skepktikë për atë afrim që u sigurua nga Cristiano Giuntoli?

Antonio Gaito:

Natyrisht që nuk ka pasur një entuziazëm të madh për këtë afrim, por nuk mbaj mend ndonjë spekticizëm të theksuar. Diçka e tillë ndoshta u vu në pah në kohën kur Amiri me Gattuson për disa muaj nuk e pa fushën dhe nuk ishte as në mesin e alternativave për të luajtur në vend të titullarëve.

Gazeta Nacionale:

Është folur shumë rreth mënyrës se si është trajtuar nga Gattuso gjatë sezonit tij të parë në Napoli. Ju si redaksi a mund të na konfirmoni që kanë qenë të vërteta raportimet për grindje mes De Laurentis dhe Gattuso për shkak të mungesës së minutazhit të Rrahmanit?

Antonio Gaito:

Nuk ka pasur ndonjë episod të ketë ngjarë specifikisht. De Laurentis është paksa i vëmendshëm në angazhimin e të gjitha zgjedhjeve të dyta, edhe për shkak të ngritjes së vlerës si lojtarë. Njëherazi, ai gjithmonë synon në aplikimin e rotacionit në skuadër, për t'i mbajtur të gjithë të kënaqur dhe për të shmangur ndonjë zhvlerësim të lojtarëve.

Gazeta Nacionale:

Pastaj erdhi ndryshimi në stolin e Napolit. Filloi epoka e Spallettit. Ndeshja e parë kundër Juventusit gjatë këtij sezoni ishte kruciale për Rrahmanin në këndvështrimin tim, pasi Manolas gaboi rëndë në golin e parë që pranoi skuadra. Pas atij momenti e tutje, fitoi pozitën e titullarit. Si e vlerësoni këtë tranzicion? E prisnit?

Antonio Gaito:

Paksa, po. Manolas nuk kishte bërë paraqitje të mira as në sezonin paraprak dhe përtej gabimit në fjalë, edhe problemet fizike që i kishte me kalimin e kohës mundësuan që t'i jepej hapësira e merituar Rrahmanit. Spalletti me shumë gjasa kishte njohur një tjetër Manolas, i cili nuk ishte më në nivelin që posedonte në klubin romak.

Gazeta Nacionale:

Pasi jemi në fund të sezonit, cili është vlerësimi juaj për rendimentin e Rrahmanit?

Antonio Gaito:

Vlerësimi është i shkallës së parë më të lartë. Ka qenë prej lojtarëve më të mirë të Napolit sa i përket rendimentit në formë që ka treguar dhe, si rrjedhojë, edhe i kampionatit. Gjatë muajve të parë, me Napolin që nuk pësonte kurrë gola dhe u jepte shumë pak hapësira kundërshtarëve, vuri veten në spikamë edhe me anë të golave të shënuar nga ndërprerjet. Ndër të tjera, është përmirësuar edhe në organizimin e lojës nga thellësia e mbrojtjes.

Gazeta Nacionale:

Në vlerësimin e juaj, meriton t'i rinovohet kontrata? Cilat janë lajmet e fundit në bazë të burimeve të juaja të afërta me klubin në lidhje me çështjen në fjalë?

Antonio Gaito:

Absolutisht që po [e meriton rinovimin e kontratës]!
Besoj që do t'i përmirësohet edhe shuma e përfitimit nga paga vjetore, pasi tashmë është një shtyllë e skuadrës. Në fund të sezonit palët do të duhej që të takoheshin, por Napoli ka urgjenca tjera para se të ngutet. Them këtë sepse ka shumë lojtarë që u skadojnë kontratat në qershor apo në vitin e ardhshëm.

Gazeta Nacionale:

Qyteti i Napolit është shumë i ngrohtë. Nganjëherë edhe shumë kërkues do të thosha.  Sipas jush, Rrahmani ka karakterin e duhur për ta përballuar një klimë mjaft të vështirë si ajo napoletane?

Antonio Gaito:

Them që po. Më duket një djalë shumë i koncentruar dhe serioz. Këtë e potencoj pasi qëkur ka ardhur, progreset kanë qenë evidente.

Gazeta Nacionale:

Unë mund t'ju garantoj që në Kosovë kanë qenë të shumtë njerëzit që kanë përkrahur Napolin në betejën për titull. Posaçërisht për shkak të Rrahmanit, kuptohet. Por, fatkeqësisht Napoli rrëshqiti në garën për titull. Sa ndjeni zhgënjim për ndeshjet që u administruan keq gjatë prillit në ''Diego Armando Maradona'?

Antonio Gaito:

Tejet shumë. Mu në momentin kyç të kampionatit kanë ardhur paraqitjet poshtë nivelit të përformimit, si dhe me disa episode tjera të pafavorshme. Zhgënjimi është i pranishëm, edhe për shkak se skuadrat milaneze nuk janë dukur superiore gjatë kampionatit.

Gazeta Nacionale:

Do ta shihnit Amir Rrahmanit në lartësinë e sotme edhe në skenarin ku Koulibaly do të largohej nga klubi?

Antonio Gaito:

Po! Në disa momente të këtij sezonit ka qenë superior edhe ndaj Koulibalyt, i cili është më shumë instiktiv dhe ndonjëherë e tepron. Ndërkaq, Amiri ndoshta duke i njohur limitet e veta, është më i kujdesshëm, i matur dhe refleksiv. 

Gazeta Nacionale:

Ta them të drejtën, kur Koulibaly shkoi për të luajtur në Kupën e Afrikës, Rrahmani formoi tandemin defanziv me Juan Jesuas dhe ishin të shumtë ata që ngelen të habitur, sepse nuk u ndje aspak mungesa e Koulibalyt. A ishte ai një lloj prove që edhe në rast të largimit të Koulibalyt, nuk është e thënë që Napoli do të has në vështirësi?

Antonio Gaito:

Po, Koulibaly është një lojtar i mrekullueshëm, i klasit botëror, por edhe ai ka bërë disa lëshime gjatë paraqitjeve të tij. Amiri dhe Juan Jesus kanë krijuar kimi të mirë, ndoshta edhe për faktin që Napoli i asaj periudhe ishte në element dhe kishte një mbulim të madh nga repartet tjera që i jepej mbrojtjes. Për muaj të ndryshëm, Napoli ka dominuar në shumë ndeshje, duke pësuar fare pak gola.

Gazeta Nacionale:

Pas dy sezonesh Napoli rikthehet në Ligën e Kampionëve. Mbrojtësit aktualë, përfshirë Rrahmanin, sipas jush a mund të japin garancitë e duhura në ndeshjet me intensitet të lartë si ato që zhvillohen në kompeticionin në fjalë apo Napolit i duhen përforcime të reja?

Antonio Gaito:

Besoj që mbrojtja është reparti nga i cili duhet të fillohet nga e para. Do të shtohet një lojtar në vend të Tuanzebe, pastaj do të varet nga largimi ose jo i Koulibalyt, për të parë nëse klubi do të ndërhyrjë seriozisht me afrime tjera.

Gazeta Nacionale:

Napoli po has në shumë vështirësi që të konsolidohet në krahun e majtë të mbrojtjes. Që prej disa vitesh është shndërruar në një makth. Para se të flitet për dyshen Rrahmani - Koulibaly, a mendoni që ajo është ajo pozita në të cilën Napoli duhet të koncentrohet sa më parë që të ndërhyjë në tregun e lojtarëve?

Antonio Gaito:

Po, ashtu është. Dhe, klubi diçka të tillë veç është duke e bërë. Që prej janarit është përpjekur që ta përgatisë terrenin për ta afruar Olivieran nga Getafe dhe tani po mundohet që t'i mbyllë me sukses negociatat me të. Do të duhej të ishte afrimi i dytë gjatë afatit kalimtar veror.

(*Intervista është realizuar në gjuhë italiane)

Tjera nga autori:
1