<b></b> Gjilani fiton dramën ndaj Llapit, pa fitues në Gjilan dhe Malishevë – triumfojnë Ballkani dhe Prishtina

Gjilani fiton dramën ndaj Llapit, pa fitues në Gjilan dhe Malishevë – triumfojnë Ballkani dhe Prishtina

08.05.2022 17:03

Gjilani ka arkëtuar pikët e plota në derbin ndaj Llapit (2:4), Prishtina mposhti bindshëm Ulpianën (0:3), Ballkani mori fitoren e parë prej kur u shpall kampion ndaj Feronikelit (0:2), derisa nuk kishte fitues në dy takimet e tjera (Drita 0:0 Dukagjini dhe Malisheva 0:0 Drenica).

Me pesë ndeshjet e zhvilluara ditën e diele, edhe zyrtarisht xhiro e 34-të në Superligën e Kosovës ka marrë fund sot.

Ndeshja më interesante u zhvillua në "Zahir Pajaziti" mes Llapit dhe Gjilanit, ku "Skifterat" arkëtuan pikët e plota pas gjashtë golave të shënuara.

Me rezultat 2:4, skuadra e drejtuar nga Alban Hyseni triumfoi ndaj "Legjendave", ndeshje që ka qenë shumë e hapur dhe me shumë aksione nga të dy skuadrat.

Pas vetëm tre minutave lojë, Blerim Krasniqi kaloi mysafirët në epërsi.

Llapi u këndell vonë duke barazuar përmes Bianor (79’), por vetëm tre minuta më vonë, Krasniqi realizoi duke rikthyer sërish epërsinë e Gjilanit (82’).

Llapi nuk u dorëzua prapë me Bianor që sërish barazoi rezultatin (89’), por në skenë një minutë më vonë doli sërish Krasniqi që kompletoi het-trikun.

Fitoren e Gjilanit e vulosi Shpend Kelmendi që realizoi në minutën e fundit të takimit (90+7’).

Me këtë fitore, Gjilani renditët e dyta me 62 pikë, derisa Llapi zë pozitën e katërt me 54 sosh.

Ballkani më shumë mund triumfon ndaj Feronikelit

Ballkani ka marrë fitoren e parë prej kur u shpall kampion i Kosovës duke mposhtur me rezultat 0:2, skuadrën e Feronikelit.

Ermal Krasniqi (39’) dhe Ajeti (65’) ishin realizuesit që siguruan pikët e plota për “Xhebrailat”.

Me këtë fitore, Ballkani mbledh 73 pikë, derisa Feronikeli qëndron në fund me 13 sosh.

Dukagjini fiton një pikë të rëndësishme ndaj Dritës (0:0)

Dukagjini ka arritur të arkëtojë një pikë shumë të rëndësishme në garën për mbijetesë ndaj Dritës.

Skuadra nga Armend Dallku u mbrojt shumë mirë ndaj nënkampionit të Kosovës, me ndeshjen që përfundoi me rezultat 0:0.

Drita krijoi më shumë aksione të shpejta në përpjekje të gjejë golin, por që mysafirët mbroheshin shumë mirë dhe pastaj provonin në kundërzbritje që gjithashtu rezultuan të pasuksesshme.

Kësisoj, Drita mban pozitën e tretë me 58 pikë, derisa Dukagjini zë pozitën e gjashtë me 46 sosh.

"Paqe" në derbin për mbijetesë mes Malishevës dhe Drenicës

Një tjetër ndeshje interesante ishte ndërmjet dy skuadrave që janë duke luftuar për mbijetesë mes Malishevës dhe Drenicës, ku rezultati përfundimtar doli të jetë 0:0.

Dy skuadrat që ende janë duke garuar për të qëndruar jashtë zonës së rrezikshme, zhvilluan lojë të kujdesshme, derisa nga një pikë mund të thuhet se nuk i konvenon asnjërës skuadër.

Në përgjithësi, lojtarët e Arsim Thaqit ishin më kërkues, por që u mungoi konkretizimi.

Kësisoj, Drenia renditët e teta me 44 pikë, aq sa ka edhe Malisheva në pozitën e tretë.

Fitore e pastër e Prishtinës ndaj Ulpianës

Me dallim nga ndeshjet e tjera, Prishtina pa probleme ka triumfuar në udhëtim te Ulpiana.

"Bardhëkaltërit" triumfuan me rezultat bindës 0:3, duke dominuar në të gjitha aspektet qysh nga minuta e parë.

Leonit Abazi hapi serinë e golave pas 31 minutave lojë duke i dhënë qetësinë Prishtinës, rezultat me të cilin përfundoi pjesa e parë.

Golashënuesi më i mirë i skuadrës, Besnik Krasniqi dyfishoi rezultatin (59'), derisa Abazi pastaj vulosi fitoren (77').

Me këtë fitore, Prishtina renditët e pesta me 48 pikë, derisa Ulpiana që ka rënë nga liga, zë pozitën e nëntë me 24 sosh.

Renditja tabelore

Ballkani që është kampion për këtë edicion qëndron në krye me 73 pikë, ndjekur nga Gjilani me 62 pikë dhe Drita me 58 sosh.

Llapi ka nevojë edhe për një pikë që të sigurojë daljen në garat evropiane, duke zënë pozitën e katërt me 54 pikë, gjashtë më shumë se Prishtina që renditët e pesta, ku kanë mbetur edhe dy xhiro për t'u zhvilluar.

Ndërkohë, gara e ashpër vazhdon edhe për mbijetesë me Dukagjinin që renditët në pozitën e gjashtë me 46 pikë, vetëm dy më shumë se Malisheva dhe Drenica që zënë pozitat shtatë dhe tetë.

Në fund, Ulpiana dhe Feronikeli veçse kanë rënë nga liga.

Tjera nga autori:
1