Gjilani e ndërpret bashkëpunimin me Ismet Munishin

Gjilani e ndërpret bashkëpunimin me Ismet Munishin

25.04.2022 12:20

Gjilani e ka ndërprerë bashkëpunimin me trajnerin Ismet Munishi, pas disfatës tronditëse kundër Dukagjinit dhe vetëm gjashtë ndeshje para përfundimit të sezonit.

Gazeta Nacionale merr vesh nga burimi brenda klubit se Gjilani dhe Munishi janë pajtuar për ndërprerjen e parakohshme të marrëveshjes.

“Me pajtim dypalësh, Munishi është larguar”, ka thënë për Gazetën Nacionale burimi nga klubi.

Largimi i 47-vjeçarit vjen pas humbjes tronditëse nga Dukagjini të dielën, e cila pothuajse ia shoi çdo shpresë kuqebardhëve për titull në Superligë.

Munishi e mori drejtimin e Gjilanit në mars të vitit 2021 dhe pritjet ishin të mëdha se ai do ta udhëhiqte klubin drejt titullit të parë në Superligë, por ai ua largua pas vetëm një viti qëndrimi dhe rezultateve jo bindëse në ndeshjet vendimtare të sezonit.

Ish-trajneri i Ballkanit e udhëhoqi Gjilanin në 47 ndeshje, duke e fituar 1.63 pikë për ndeshje, një mesatare e pamjaftueshme për t’ia siguruar titullin gjilanasve dhe mesatare me e dobët se në kohën e tij te klubi nga Suhareka.

Si pasojë e disfatës kundër Dukagjinit në luftë për mbijetesë, e cila ishte e dyta në katër ndeshjet e fundit, Gjilani bie në vendin e tretë me 55 pikë, aq sa ka rivali Drita, dhe ngel nëntë pikë mbrapa liderit, Ballkani.

Gjilani ka më së paku humbje këtë sezon në ligë nën udhëheqjen e 47-vjeçarit, vetëm tri, dy prej të cilave, megjithatë, erdhën këtë muaj në kohën më vendimtare në garën për titull.

Por ajo që e la Gjilani vërtet mbrapa dhe mbase përfundimisht jashtë garës për titull janë barazimet e shpeshta, pasi kuqebardhët barazuan në 13 prej 30 ndeshjeve deri tani, duke i fituar 14 të tjera.

Për më tepër, Gjilani dështoi edhe në garë për Kupën e Kosovës – e cila është një mundësi ideale për të marrë pjesë në garat evropiane përveç trofeut – pasi u mund nga kampioni në fuqi Llapi në fazën çerekfinale.  

Munishi përjetoi zhgënjim të njëjtë edhe para dy viteve, kur ishte afër ta udhëhiqte Ballkanin drejt titullit të parë në Superligë, por dështoi në javët e fundit dhe u shkarkuar në sezonin pasues si rrjedhojë.

Suksesi i vetëm i tij në ligë mbetet triumfi i famshëm me Vushtrrinë, kur ia fitoi titullin e kampionit në sezonin 2013/14.

Tjera nga autori:
1