<b></b> Java e 30-të në Superligën e Kosovës mbyllet me dy ndeshje interesante në Prishtinë dhe Klinë

Java e 30-të në Superligën e Kosovës mbyllet me dy ndeshje interesante në Prishtinë dhe Klinë

24.04.2022 09:27

Dita e djeshme në Superligën e Kosovës në futboll u veçua me hapin fals të Ballkanit, i cili u ndal nga Ulpiana në shifrat 1 me 1. Fitore arritën edhe Drita përballë Malishevës me rezultat 3:1, si dhe Llapi që fitoi lehtësisht ndaj Feronikelit 0:2. Andaj, sot, Gjilani do ta ketë një mundësi të mirë që ta reduktojë disavantazhin me kreun e tabelës në 6 pikë. Mirëpo, për ta bërë një gjë të tillë duhet ta mposhtë një kundërshtar të papërshtatshëm si Dukagjini në Klinë. Në ndeshjen tjetër Prishtina si nikoqire synon që t'i rikhehet fitores ndaj Drenicës. 

Javën e kaluar Ismet Munishi deklaronte që do të besonte në titull deri kur matematika do t'ia pamundësonte një gjë të tillë. Duke parë barazimin e djeshëm të Ballkanit, gjilanasit sot kanë një rast të mirë që ta ngushtojnë distancën në 6 pikë. Por, në çdo rast nuk do ta kenë të lehtë që të dalin me pikë të plota, marrë parasysh optimizmin dhe atmosferën e mirë që po mbizotëron në kampin e klinasve të udhëhequr nga Armend Dallku, të cilët pas fitores vendimtare ndaj Drenicës javën e kaluar në Skenderaj, kanë fituar një vetëbesim të madh se mund t'ia dalin ta shmangin zonën e barazhit, për çka janë edhe duke garuar. 

Herën e fundit që këto dy skuadra janë ballafaquar në Klinë, ndeshja ka përfunduar me rezultat 1:1, me Gjilanin që tek në minutat e fundit barazonte rezultatin përmes Gerard Prognit. Ndërkaq, në dy ndeshjet tjera të luajtura në Gjilan në Superligë, është shënuar një barazim dhe një fitore nga ekipi i Ismet Munishit. 

Kujtojmë që kjo ndeshje do të fillojë në ora 13:30 dhe do të jetë kryesorja e kësaj dite, për shkak të rëndësisë që ka në renditjen tabelare, si nga plani i betejës për titull, ashtu edhe i asaj për mbijetesë.

Ndeshja tjetër dhe e fundit që do të zhvillohet në Superligë, do të luhet në stadiumin 'Fadil Vokrri' me fillim në ora 14:00, ku Prishtina do të jetë nikoqire e Drenicës. Në të kaluarën drenicasit janë parë si vrimë e zezë e kryeqytetasve, duke marrë shpesh rezultate befasuese për shumëkë.

Kjo do të jetë një ndeshje me shumë peshë për të dyjat, sepse mund ta përcaktojë rrjedhën e kampionatit që do ta kenë respektivisht. Distanca mes tyre është vetëm tri pikëshe në favor të Prishtinës, e cila renditet në pozitën e 5-të tabelare me 38 pikë, ndryshe nga ekipi nga Skenderaj që pozicionohet i 7-ti me 35 pikë. Dukagjini është 5 pikë nga bardhekaltërtit, gjegjësisht 2 pikë nga kuqezinjtë e Drenicës. Me pak fjalë, nënkupton që çdo hap fals do të bënte që skuadrat të rreshqisnin akoma e më tepër në zonën e rrezikshme të barazhit. 

Prandaj, çdo fitore do të ishte infuzion për secilën skuadër [mes Prishtinës dhe Drenicës], kurse humbja do t'i katandiste në skenare të paparashikueshme.

Bilanci i sivjem në ndeshjet direkte në kampionat mes të dyjave është një fitore për secilën skuadër dhe një barazim.

Tjera nga autori:
1