<b></b> Java e 32-të në Superligën e Kosovës përmbyllet me tri ndeshje, ku Ballkani mund të shpallet kampion 

Java e 32-të në Superligën e Kosovës përmbyllet me tri ndeshje, ku Ballkani mund të shpallet kampion 

01.05.2022 09:36

Kampionati vendor ka hyrë tani e një kohë në fazën finale të tij. Tashmë është vetëm formalitet dhe çështje kohe titulli kampion, pasi i njëjti do t'i takojë Ballkanit. Por, një gjë të tillë therandasit mund ta konfirmojnë që në ditën e sotme, nëse dalin me fitore nga udhëtimi që i pret në Llap. Ndërsa, në ndeshjet tjera luhet gjithçka për pozitat që shpijnë në garat kualifikuese evropiane, si dhe për betejën për t'i ikur barazhit. 

Përballje me peshë mund të cilësohen ato që do të luhen gjatë ditës së sotme në Superligën e Kosovës. Për momentin në Superligë po luhet fort në dy frone, me garën për vendin e tretë mes Dritës dhe Llapit, ku ekipin gjilanas nga ndjekësi e ndajnë vetëm dy pikë, si dhe lufta për t'iu shmangur zonës së barazhit, ku Dukagjini gjatë muajit që lëmë pas ka bërë hapa gjigantë, duke reduktuar distancën me skuadrat tjera dhe në fund doli edhe në pozitën e 6-të tabelare, falë një ecurie pozitive rezultatesh. Në garën për ta esvikuar barazhit, është një trafik i tërë skuadrash, nga Prishtina që renditet në pozitën e 5-të e deri te Malisheva që zë atë 10-ten, e ku dallimi në pikë mes tyre është vetëm 5 sosh. 

Në ndeshjet e zhvilluara dje, Dukagjini fitoi në stadiumin 'Fadil Vokrri' me golin e ish-mesfushorit të saj, Ergyn Ahmeti, që ndëshkoi bardhekaltërtit nga pika e bardhë, për t'ia siguruar fitoren klinasve me rezultat 0:1. Në ndeshjen tjetër, Gjilani fitoi lehtë dhe bindshëm në Lipjan ndaj Ulpianës, me rezultat 0:4, falë hat-trickut të Gerhard Prognit dhe golit tjetët që shënoi Blerim Krasniqi. Ndryshe, edhe matematikisht Ulpiana ra në Ligën e Parë të garave.

Sidoqoftë, tashmë jo të gjitha pozitat janë definuar në tabelë. Prandaj, në këtë kontekst, edhe ndeshjet e sotme janë të rëndësishme, sepse do të zbardhin shumëçka në këto horizonte ku po luftohet në Superligën e Kosovës. 

Llapi : Ballkani

Ilir Daja me laps në letër mund t'iu qaset ndeshjes së sotme, pasi therandasit edhe me një pikë do t'iu afroheshin ndjeshëm titullit të parë kampion në Superligën e Kosovës. Megjitatë, për ta bërë të mundur një gjë të tillë nuk pritet ta kenë aspak të lehtë, pasi ndeshen ndaj një skuadre, siç është Llapi, që po kalon në formë mjaft të mirë përgjatë fazës pranverore të këtij edicioni.

Për më tepër, Llapi ka dy karta për t'i luajtur akoma në synimin e saj që ta sigurojë plasmanin në rrethet kualifikuese të garave evropiane në nivel klubesh: përmes triumfit në Kupë ku do të luajë në finale ndaj Dritës apo duke u renditur në pozitën e tretë, që të shpie automatikisht në mesin e skuadrave që fillojnë kualifikimet në kompeticionin e tretë më të madh evropian, gjegjësisht Conference League. 

Në ballafaqimet direkte gjatë këtij sezoni Ballkani gëzon bilanc më të mirë, ku ka fituar në dy ndeshjet si vendas, por duhet përmendur që Llapi e pati demoluar në ndeshjen e luajtur si nikoqir, me rezultat 4:1.

Drita : Drenica

Skuadra e udhëhequr nga Ardian Nuhiu e ka imperativ kategorik, po aq edhe sa Drenica, që të menjanojë nga skenari çdo rehati të mundshme, në mënyrë që t'iu qaset ndeshjes me seriozitetin më të lartë të mundshëm. Pas fitores së djeshme të Gjilanit me rezultat të thellë 0:4 ndaj Ulpianës, Drita është parakaluar në vendin e dytë. Përveç kësaj, siç dihet Llapi gradualisht ka qëndruar aty-aty në fazën pranverore, pa u dhënë shumë komoditet ekipeve gjilanase që të shkëputen në tabelë. 

E njëjta gjë mund të thuhet për Drenicën, pasi nëse ata sot i pret një përballje e vështirë, rivali i tyre direkt, Malisheva, të paktën në letër pritet të arkëtojë pikë të lehta përballë Feronikelit që tashmë veç ka rënë nga liga.

Në ndeshjet direkte mes tyre të zhvilluara gjatë këtij sezoni, Drita ka triumfuar dy herë, kurse Drenica një herë tjetër.

Feronikeli : Malisheva

Ashtu siç thamë në rreshtat e sipërme, Malisheva e drejtuar nga Arsim Thaqi, sot, të paktën në letër pritet t'iu rikthehet fitores, pas humbjes që pësoi në mesjavë si nikoqir i Llapit me rezultat 0:2. Një disfatë e tillë i ka zhytur ata në pozitën e 10-të tabelare, e cila të detyron të luash në barazh përballë skuadrës që fiton play-off'in në Ligën e Parë [në këtë rast Lirisë apo Vushtrrisë]. 

Në anën tjetër, Feronikeli pas problemeve të panumërta me borxhe dhe jo vetëm që e kanë përcjellur atë gjatë këtij sezoni, do të hyjë si zakonisht me lojtarë juniorë, andaj edhe nuk ka shumë pritshmëri të mëdha që mund t'u shkaktojnë ndonjë kokëçarje skuadrës mysafire.

 

Tjera nga autori:
1