Drejtori i Prishtinës, Artan Osmani ka konfirmuar se Policia e Kosovës ka arrestuar sulmuesin e tyre, Otto John, por që thotë se ende nuk dinë detajet.
Para disa orëve, Policia e Kosovës ka arrestuar sulmuesin nigerian, me mediat lokale që raportojnë se akuzat janë “Trafikim me njerëz dhe shërbime seksuale të viktimës së trafikuar”.
“TRAFIKIM ME NJERËZ & SHËRBIMET SEKSUALE TË VIKTIMËS SË TRAFIKUAR. Prishtinë 05.04.2022 – 07:00. Në lidhje me rastin është raportuar se me 05.05.2022 është arrestuar i dyshuari mashkull shtetas i Nigerisë dhe i njëjti pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, ishte një raport në komunikatën e policisë, por që nuk dihet nëse është fjala për John.
Arrestimi i John është konfirmuar nga Osmani për Gazetën Nacionale, por thotë se ende nuk i dinë nëse këto akuza janë të vërteta.
“Po, John është arrestuar nga Policia e Kosovës, por që ende nuk dimë detaje. Nuk besoj që këto akuza që mi përmende janë të sakta”, tha shkurtimisht ai.
Gazeta Nacionale gjithashtu ka provuar të kontaktojë edhe me zyrtarët e Policisë së Kosovës, por që këta të fundit nuk kanë dhënë detaje deri në publikimin e lajmit.
Otto John - golashënuesi i dytë më i mirë i Prishtinës
Sa i përket aspektit sportiv, sulmuesi i Prishtinës, Otto John qëndron si golashënuesi i dytë më i mirë te skuadra nga kryeqyteti.
Jo gjithçka ka shkuar mirë me nigerianin këtë edicion, pasi në përfundimin e afatit dimëror u rikthye në vendlindje për arsye familjare dhe pastaj nuk mundi të rikthehet në Kosovë shkaku i dokumentacionit.
Ishte 26 prill, kur John rregulloi situatën me dokumente dhe u rikthye në Prishtinë, derisa, pavarësisht ndeshjeve më pak të zhvilluar tani është golashënuesi i dytë me gjashtë gola, më pak vetëm se Besnik Krasniqi që numëron 11 sosh.
Dënimi i madh nëse akuzat rezultojnë të vërteta dhe John shpallet fajtor
Në rast që këto akuza rezultojnë të vërteta, atëherë sulmuesi Otto John do rrezikojë një dënim të madh nga 5-12 vjet, që gjithashtu do ishte fundi i karrierës për të si futbollist.
Sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës dënimet për vepra të tilla parashihen nga 5-12 vjet burg.
“Neni 165. Trafikimi me njerëz. Kushdo që merr pjesë në trafikimin e njerëzve dënohet me gjobë dhe me burgim prej pesë (5) deri në dymbëdhjetë (12) vjet”, shkruhet në Kodin Penal të Kosovës.