<b></b> Kush po i shtyn futbollistët profesionistë të luajnë në ligat amatore të Kosovës?

Kush po i shtyn futbollistët profesionistë të luajnë në ligat amatore të Kosovës?

04.05.2022 13:14

Shumë futbollistë profesionistë kanë shprehur gatishmëri ta vënë në rrezik karrierën e vet duke luajtur në ligat dhe turnetë amatorë të futbollit të vogël, por ata e shohin këtë si burim shtesë të të ardhurave në mungesë të pagave të kënaqshme dhe kontratave afatgjate në klubet e tyre profesionale.

Kjo është ajo çfarë kishte bërë Amir Rrahmani disa vjet më parë, megjithëse ai ishte mjaftueshëm me fat për t’i ikur ndonjë lëndimi që ka mundur ta pengonte në ngritjen e tij frymëzuese për t’u bërë kapiten i Kosovës dhe lojtar kyç i Napolit në Serie A.

Rrahmani kishte luajtur në ligën amatore Liga Total në vitin 2015, në kohën kur ishte lojtar i Partizanit të Tiranës në Shqipëri.

Dardan Saraçi, themelues i Ligës Total në futboll të vogël 5+1 në vitin 2014, kujton kohën kur Rrahmani si 21-vjeçar e kishte hijeshuar ligën e tij: “FC Centrum është ekipi për të cilin ka luajtur Amir Rrahmani në Ligën Total, ky klub nuk është aktiv tani. Besoj se ka qenë viti 2015 kur Amiri ka luajtur.”

Mbase rasti më bizar të ketë ndodhur në këtë ligë është ai i Mentor Mazrekajt, një futbollisti të talentuar, i cili kishte luajtur futboll amator vetëm dy ditë para një ndeshjeje kualifikuese në Ligën e Kampionëve me skuadrën e tij Partizani.

“Historia më speciale që ka ndodhur në Ligën Total është e Mazrekajt, i cili e ka luajtur një ndeshje gjysmëfinale në Ligën Total vetëm dy ditë para një ndeshjeje të klubit të tij Partizani në kualifikime për Ligën e Kampionëve. Ka luajtur këtu, pastaj ka shkuar në Shqipëri dhe ka luajtur në Ligën e Kampionëve, është dënuar prej klubit por është kthyer prapë për ta luajtur ndeshjen kthyese gjysmëfinale me ekipit e vet në Ligën Total”, kujton Saraçi.

Ligat dhe turnetë amatorë, burim i madh financiar për lojtarët profesionistë

Liga Total, dikur në shumë qytete të Kosovës, tani vetëm në Lipjan, është parë si burimi kryesor për fitimin e parave të shpejta nga futbollistët profesionistë të futbollit dhe të futsallit në veçanti, në tetë vitet e fundit, për shkak të mungesës së kontratave afatgjate dhe të kënaqeshme në futbollin profesional.

Liga Total është ligë amatore me tri kategori: Superliga me 16 klube, Liga e Parë me 14 klube dhe Liga e Dytë me 14 klube po ashtu. Ajo është liga amatore më jetëgjatë në Kosovë. I ka zhvilluar 16 sezone në tetë vite, pra dy sezone për vit.

Saraçi thotë se shumë lojtarë të Superligës së Kosovës kanë luajtur në ligën e tij, megjithëse ajo dominohet nga lojtarët e Superligës në futsall, të cilët kanë të ardhura shumë më të vogla nga klubet e tyre profesionale.

Përveç Rrahmanit dhe Mazrekajt, lojtarë të tjerë me nam që kanë luajtur në këtë ligë janë Labinot Ibrahimi i Prishtinës dhe Ylber Ramadani i Kombëtares së Shqipërisë. Në k137 ligë është parë shpesh edhe Xhevdet Shabani, një prej lojtarëve më të mirë në Superligën e Kosovës në dekadën e kaluar.

Një lojtar profesionist mund t’i fitojë nga 50 deri në 100 euro për ndeshje në Ligën Total, sipas shefit të saj. Klubet i paguajnë lojtarët, ndërsa Liga ndan shpërblime me të holla për fituesit.

“Klubet kanë të hyra se janë klube biznesi. për një kompani 200 apo 300 euro nuk është shumë e madhe për t’i shpenzuar për një javë. Në Superligë ka sponsorë të mëdhenj që nuk e kanë problem të shpenzojnë për pagesat e lojtarëve”, sipas Saraçit.

Saraçi thotë: “Lojtarë si Halim Selmanaj, Ramadan Alaj, kapiteni i Kosovës në futsall. Ferit Agushi u pagua me shifra 70 apo 80 në lojë. Por tani, siç e di unë, 100 euro është shifra më e lartë që është paguar një lojtar këtu në ligë.“

Lojtarët e Kombëtares së Kosovës në futsall dhe kombëtareve fqinje në futsall si Maqedonia dhe Shqipëria kanë luajtur vazhdimisht në Ligën Total, sipas Saraçit.

“Për shembull, ekipi kombëtar i Maqedonisë në futsall ka ardhur për të garuar këtu, po ashtu e Shqipërisë dhe e Kosovës. Halim Selmanaj luan që nja 10 sezone minimum. Një herë e ka fituar topin e artë. Prej përfaqësuesve të futsallit të Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë, luajnë të gjithë lojtarët”, tregoi ai.

Ramadan Cimili, trajner i Kombëtares së Kosovës në futsall deri në vitin 2020, e ka pranuar se lojtarët e ekipit kombëtar luajnë në liga amatore dhe se në të kaluarën ai ishte përpjekur t’i këshillojë të mos e bëjnë.

“Të them të drejtën, unë pata dëgjuar njëherë që ata kishin shkuar në Klinë në një turne dhe pastaj në Ulqin. Ne e kishim një ndeshje parakualifikuese me Gjeorgjinë dhe tërë Ulqini u çua në këmbë duke m’i kërkuar lojtarët, sepse ishin mësuar t’i kishin ata aty çdo vit, sepse i paguanin mirë. Turnirin e fundit në Ulqin ata nuk shkuan për hatër të Kombëtares dhe futsallit”, tha Cimili për Gazetën Nacionale.

Cimili, megjithatë, e arsyeton disi vendimin e tyre për të luajtur edhe në liga të tilla për shkak të fitimit të vogël në Superligën e futsallit dhe faktit se Federata e Futbollit e Kosovës nuk i ka paguar po ashtu.

“E di që kanë shkuar nëpër turne të tillë dhe nuk kam mundur t’i ndaloj, sepse nuk kanë pasur kurrfarë të ardhurash prej Federatës së Futbollit të Kosovës, përveç kur e kalonin grupin, që natyrisht u shpërblenin. Unë iu kam folur dhe kam tentuar t’i ndaloj, duke iu treguar se fanella e Kombëtares ka shumë rëndësi, por disa lojtarë nuk janë kanë të vetëdijshëm, iu ka interesuar gjendja financiare dhe kanë shkuar për të luajtur atje. Kur federata të paguan, atëherë ka të drejtë edhe të të dënojë”, shtoi ai.

A po e vënë në rrezik karrierën futbollistët profesionistë duke luajtur futboll amator?

Dy lojtarë profesionistë me të cilët bisedoi Gazeta Nacionale, të cilët kërkuan që identiteti i tyre dhe klubeve të tyre në Superligë të mos zbulohej, e kanë pranuar se rrezikojnë të lëndohen rëndë duke e luajtur në liga amatore, por thonë se ata dhe shumë futbollistë të tjerë e bëjnë këtë për paratë.

Futbolli në vend mund të ketë përparuar dukshëm edhe financiarisht në vitet e fundit, me disa top klube që ofrojnë paga të majme, por fakti se kampioni në fuqi i Kosovës, Prishtina, hasi në telashe financiare në sezonin 2021/22 kur duhej të luftonte për ta mbrojtur titullin, tregon shumë.

Lojtarët e klubit kryeqytetas kishin refuzuar të stërviteshin në mars për shkak se klubi ua kishte vonuar pagat disa muaj.

“Arsyeja kryesore ka qenë vonesa në pagesa në futboll të madh dhe nevoja për pagë dhe kanë gjetur mënyra [financimi] nga futbolli i vogël”, ka thënë një futbollist i Superligës së Kosovës, i cili kërkoi të mbetej anonim. 

Ai është i vetëdijshëm se pjesëmarrja në futboll amator mund t’ia rrezikojë karrierën.

“Lëndime ka nga futbolli i vogël sepse ka edhe duele më shumë dhe vazhdimi i karrierës në futbollin e madh mund të jetë i kufizuar. Nëse klubi informohet për një lojtar që luan futboll të vogël gjatë kampionatit, ndodh largimi nga klubi ose zbritja e pagës.”

Derisa numri i lojtarëve të Superligës profesionale nëpër ligat amatore është dukshëm më i vogël, numri i lojtarëve të Superligës profesionale në futsall është tejet i madh për shkak se futsalli në Kosovë ka të ardhura dukshëm më të vogla.

Duke folur për Gazetën Nacionale, një lojtar anonim i Superligës në futsall tha: “Arsye pse luajmë në liga të futbollit të vogël, është më së shumti aspekti financiar. Sezoni në futsall nuk zgjat shumë, edhe pasi të kryhet nuk kemi të ardhura të tjera. Në liga si Totali por edhe turne të ndryshëm që mbahen në Kosovë, biznese të ndryshme ofrojnë para dhe bëjnë ekipe të forta me lojtarë profesionistë. Çmimet sillen prej 30 deri në 50 euro për një lojë. Nëse një turnir është me shumë ekipe, atëherë mundemi me i luajtë deri në 6-7 lojë, që automatikisht ka përfitim ma të madh me mjete financiare.”

Ai shtoi: “Normal që frikësohemi nga lëndimet. Sidomos gjatë kohës kur ndodh të luajmë kur sezoni është aktiv, kemi shumë kujdes sepse mundet me na u shkatërru karriera, për shkak se në liga si këto ka edhe lojtarë që munden me të lëndu prej ndërhyrjeve të ashpra. Por, në përgjithësi, shkaku i pagesave e ndiejmë veten të obliguar që me u angazhu edhe në këso forma.”

“Klubet janë kundër, normal, edhe e kemi të ndaluar sidomos gjatë kohës që zhvillohet sezoni me luajtë në këso gara. Në rast lëndimi apo diçka, ka pasë raste kur drejtuesit e klubeve kanë ndërmarrë masa, mirëpo jashtë sezonit nuk ka arsye me na e ndalu, pasi shumica e lojtarëve në futsall nuk kanë as kontrata afatgjata.”

Tjera nga autori:
1