<b></b> Leart Paqarada para një udhëkryqi përcaktues rreth të ardhmes së tij, me skuadra tjera të interesuara për të

Leart Paqarada para një udhëkryqi përcaktues rreth të ardhmes së tij, me skuadra tjera të interesuara për të

27.04.2022 19:09

Me javë të tëra skuadra nga lagjia e Hamburgut, St. Pauli, ka udhëhequr kreun e tabelës në Bundesliga II. Mirëpo, prilli ka qenë muaj tersi për skuadrën veriore gjermane. Gjatë kësaj periudhe ata nuk ia kanë arritur që ta sigurojnë asnjë fitore, duke marrë vetëm rezultate negative, të cilat kanë bërë të mundur një tatëpjetëze me rrugë pa kthim: nga pozita e parë, në të katërten. Në krejt këtë fundosje, mbrojtësi dardan, Leart Paqarada, rrezikon që t'i shkon huq një kampionat i tërë, i cili përgjithësisht mund të konkludohet që ka qenë i mirë për të. Ndërkohë, ka skuadra tjera të interesuara për t'i siguruar shërbimet e tij. 

Në një moment dukej që St. Pauli po e blindonte pozitën e parë tabelare, por më vonë filloi të lëshonte terren. Leart Paqarada ka dhënë një kontribut domethënës në pikët që skuadra ka grumbulluar deri më tani. Këtë e ka bërë duke qenë shumë produktiv në fazën sulmuese, me asiste dhe gola. 

Mirëpo, ky nuk është fundi i tregimit. Në futboll, njësoj sikurse në të gjitha sferat e jetës, nuk mund të koncentrohemi vetëm te dekori [në këtë rast te golat dhe asistet]. Edhe pse tregimi i bukur gjithmonë parapëlqehet për të marrë një vëmendje më solide.

Transformimi i Paqaradës

Leart Paqarada që mbajmë mend në paraqitjet e tij me Kombëtaren e Kosovës, ka shënuar padyshim disa progrese të pakontestueshme. Duke i parë paraqitjet e tij vazhdimisht, mund të them që është dukshëm më lider në fushë sesa që ishte më herët. Komunikon më shumë me gjuhën gjestikulative, i cili është tipar i rëndësishëm në futboll, si dhe ka fituar tej mase vetëbesim, veçori e cila është e domosdoshme për lojtarët që emotivisht janë të ndjeshëm, njësoj siç është Learti.

Lëshimet në mbrojtje 

Nëse në fazë ofanzive ka treguar gjatë këtij sezoni përmirësim të hovshëm, për ironi të fatit, në fazën defanzive qëndron në vetënumërim, për të mos thënë në rënie të lehtë. 

Askush nuk mund ta vë në pikëpyetje faktin që është i nevojshëm për Kosovën, mu për arsyen që nuk kemi asnjë mbrojtës natyral tjetër të krahut të majtë. 

Sidoqoftë, Leart Paqarada ka qenë shkaktar i pësimit të golave për St. Paulin në 15 raste, ndërsa në sezonin paraprak kishte gabuar 8 herë. Kryesisht me topin mbrapa shpinës kanë qenë gabimet më të mëdha të cilat i ka vë në spikamë. Sidomos në harkimet horizontale nga krahu i majtë i fushës. Kjo u vu re edhe në ndeshjen e këtij fillimit të muajit ndaj Werder Bremen. 

Progresi në fazën sulmuese 

Sigurisht, për fatin e mirë, përtej akoma mos-përgatitjes së duhur në fazën defanzive, e veçanërisht në aspektin pozicional - ai tani është dukshëm më efikas me topin në pronësi në fazë sulmuse. Në çdo parametër ka shënuar rritje solide pothuajse për 100% nga sezoni i mëhershëm. 

Nëse si mesatare për ndeshje kishte 0,58 goditjet drejt kornizë së portës sezonin e kaluar, tani ka 1.14. Driblimet nga 1,78 për ndeshje, në 2,6 sa e ka tani evidencën statistikore. Ai gjithashtu ka shtuar edhe harkimet nga 3,7 sa i kishte më herët për ndeshje, në 5,1. Natyrisht, edhe golat dhe asistet, që e rrumbullaksojnë përformancën e tij të mirë me 3 gola dhe 11 asiste në 35 paraqitje, mbi dyfish më shumë sesa që i regjistroi një sezon më herët.

E ardhmja me shumë mundësi larg St. Paulit

Së voni, St. Pauli përveç që po ballafaqohet me një krizë të rezultateve, ata do të kenë problem që t'i mbajnë disa lojtarët në radhët e veta, përfshirë edhe Leart Paqaradës. Kjo pasi nëntë lojtarë janë në skadim të kontratës dhe disa të tjerë po kërkohen nga klube të shumta, duke i llogaritur edhe ato të Bundesliga.

Në rastin e mbrojtsësit 27-vjeç kosovar, atij kontrata i skadon në qershor të vitit tjetër dhe mediat gjermane të afërta me klubin, si Ndr, raportojnë që ka shumë kërkesa nga klubet e ndryshme që janë të interesuara për ta siguruar kartonin e tij. 

Deri më tani pjesën më të madhe të karrierës e ka koncentruar në aktivizimin në Bundesliga II të Gjermanisë, ku luan qe 8 vjet, në klubet si Sandhausen [2014-2020] dhe St. Pauli [2020 - 2022]. 

 

 

 

Tjera nga autori:
1