<b></b> Ndeshja Drita – Malisheva: Thaqi dhe Nuhiu shprehen optimistë

Ndeshja Drita – Malisheva: Thaqi dhe Nuhiu shprehen optimistë

22.04.2022 17:32

Dy trajnerët, Ardian Nuhiu i Dritës dhe respektivisht Arsim Thaqi i Malishevës janë shprehur optimist para takimit të së shtunës.

Malisheva do jetë mysafir i Dritës, një ndeshje shumë interesante, ku të dy skuadrat do kërkojnë pikët e plota, pavarësisht që kanë synime të ndryshme.

Drita vazhdon të ‘luftojë’ me të gjitha forcat me vetëm një synim, daljen në Evropë, të cilën mund ta arrijë si pozitë e tretë, ose edhe përmes Kupës së Kosovës (ndodhet në finale, do përballet me Llapin).

Ndërkohë, për dallim nga nënkampioni i Kosovës, Malisheva është duke ‘luftuar’ për qëndrimin në Superligën e Kosovës. Para kësaj ndeshje, trajneri Arsim Thaqi për Gazetën Nacionale tha se do të jetë e vështirë, por që do japin gjithçka për një rezultat pozitiv.

“Jemi përgatitur si në të gjitha ndeshjet e tjera, do të jetë e vështirë duke marrë parasysh se Drita ka ekip mjaftë cilësore. Ne do japim më të mirën për një rezultat pozitiv në këtë takim, që pastaj do na ndihmojë edhe për ndeshjet e tjera”.

Thaqi konfirmojë mungesën e Bruqit, por deklarojë se gjithë lojtarët e tjerë do jenë të gatshëm.

“Ndeshja do jetë e vështirë, sidomos duke marrë parasysh se kemi një mungesë të madhe siç është mesfushori Agron Bruqi, por do kemi lojtarët e tjerë”.

I pyetur se ‘cili është rezultat pozitiv në këtë takim’, tekniku malishevas bëri të ditur se përpos humbjes të gjitha do jenë rezultate pozitive.

“Për ne, të gjitha rezultatet përpos humbjes është rezultat pozitiv”, deklaroi Thaqi për Gazetën Nacionale.

Nga ana tjetër, trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu është optimist që do arrijnë të arkëtojnë pikët e plota.

“Presim një kundërshtar të fortë, një skuadër me eksperiencë që e njeh kampionatin mirë. Skuadër e shpejtë në sulm dhe agresive në aspektin defensivë. E rëndësishme për skuadrën tonë është të kemi përqendrim maksimal, ta zotërojmë topin dhe të jemi të gatshëm për të reaguar. I kemi përgatitur edhe stërvitjet në atë mënyrë që të kemi mundësi të qajmë në pikat e tyre më të dobëta dhe të kemi kujdes në pikat e tyre të forta. Kam besim te grupi që do të performojë në mënyrën më të mirë, të ndëshkojmë dhe të marrim tri pikë”, tha ai në konferencë për shtyp para disa orëve.

Nuk do jetë vetëm Malisheva që do ketë mungesa, ngase edhe tek skuadra vendase vërehen mungesat e tre lojtarëve, si Muharrem Jashari, Astrit Fazliu dhe Arbnor Muja.

Për fund, kujtojmë, se ndeshja mes Dritës dhe Malishevës zhvillohet nesër me fillim nga ora 14:00.

Tjera nga autori:
1