<b></b> Në mungesë të alternativave cilësore në mesfushë, Kosova mund të llogarisë në Betim Fazlijin

Në mungesë të alternativave cilësore në mesfushë, Kosova mund të llogarisë në Betim Fazlijin

01.05.2022 11:09

Dikur ishte mbrojtja 'thembra e Akilit' e Kombëtares së Kosovës. Vështirësia për t'i grumbulluar tetë mbrojtës, aq sa janë teorikisht të nevojshëm të ftohen në një listë kombëtareje, ishte enorme deri para dy vitesh. Me raste, siç bie fjala në ndeshjen në udhëtim ndaj Ishujve Faroe në vjeshtën e 2018-ës, jemi gjendur me vetëm katër mbrojtës, pa asnjë alternativë tjetër në stol. Mirëpo, gjatë këtyre viteve gjërat janë katapultuar. Tani është në mesfushë zanafilli i problemeve me katër lojtarët e dikurshëm që ishin pjesë përbërëse vazhdimisht e ndeshjeve dhe listave të Kosovës, e që tani kanë prekur pikun më të ulët të karrierës së tyre: Hekuran Kryeziu, Herolind Shala, Besar Halimi dhe Idriz Voca. Si rrjedhojë, tashmë janë hapur disa skenare improvizuese në horizont.


Ndonëse Kosova asnjëherë mesfushën nuk e ka pasur pikën e saj më të fortë, pavarësisht paraqitjeve në Ligën e Kombeve në 2018, që kanë mundur ta japin një pasqyrë tjetër. Po mendoj, pasqyrë të rremë. Herolind Shala luante jashtë pozitës së tij natyrale, pasi ai karrierën e ka filluar kryesisht si mesfushor krahu e më pastaj edhe si lojtar mbrapa sulmuesit, ndërkaq Hekuran Kryeziu, përtej inteligjencës në lëvizje, e cila gjithnjë e ka karakterizuar, ritmin dhe shpejtësinë në këmbë nuk i ka pasur elementet e tij më të forta. Në anën tjetër, Besar Halimi që në atë kohë kishte probleme të theksuara me klubin e Brondby ku aktivizohej, drejtuesit e të cilëve i akuzonte për mos trajtim të duhur - nuk ka pasur vazhdimësi në paraqitje. Koha tregoi që ndoshta klubet ku aktivizohej nuk ishin fajtore, por fajtorin mund ta gjente më lehtë: te vetja.

Tani panorama e tyre përmbledhurazi mund të konstatohet se kemi të bëjmë me dy lojtarë që janë ende pa klub [Hekuran Kryeziu dhe Besar Halimi] dhe me dy të tjerë që janë në rënie të lirë [Herolind Shala dhe Idriz Voca]. 
Kjo ka bërë që Kosova të shoh nga një pikëvështrim tjetër ose thënë më saktësisht ta koncentrojë vëmendjen te disa mbrojtës që dinë të luajnë edhe në mesfushë. Dhe, aty nuk është vetëm Dresevic, por edhe Betim Fazliji

Vendosja si mesfushor në skuadër, alternativë shtesë për Kosovën

Betim Fazliji veçmas gjatë këtij sezoni, në disa raste po preferohet të aktivizohet në mesfushë. Herë si mesfushor i tërhequr para mbrojtjes, e herë si mesfushor i majtë në vendosjen e mesfushës me 3. 


Kjo po ndodh në një fazë kampionati ku St. Gallen po kalon në një formë vërtet të shkëlqyer. Sado që lojtari 23-vjeç dardan nuk është titullar i paprekur te skuadra e tij, ai prapëseprapë gëzon bilanc solid në minutazh në kampionat, me 20 paraqitje nga minuta e parë në 28 herë sa ka qenë në gatishmëri të grumbullohet.

Tani Kosova mund të llogarisë në një lojtar shtesë që mund ta përdorë në mesfushë. H për h nuk ka dyshim që si qendërmbrojtës ishte më stabil Mirlind Kryeziu sesa Betim Fazliji në sezonin e sivjem, në ndeshjet kur ky i fundit i ka luajtur në atë rol. Madje, fakti që nuk preferohet të angazhohet në qendër të mbrojtjes gjatë kësaj periudhe, është edhe për faktin që nuk garanton ekuilibrat e duhura. Ta zëmë, ka qenë protagonist për të keq në një mori golash të pësuar, si shkaktar i tyre. Po flasim për 12 të tillë. 

Gjithsesi, edhe hierarkia e lojtarëve te kombëtarja dardane që luajnë në mbrojtje dhe veçmas në qendër të saj, është e dendur. Nëse shohim nga e ardhmja e afërt, kësaj mund dhe pritet t'i shtohet edhe kapiteni i Kombëtares së Kosovës në grupmoshën U21, Edvin Kurtulus, i cili ka filluar ta konsolidojë pozitën e startuesit në Hammarby si qendërmbrojtës. Kjo pasi Kurtulus do t'i luajë në qershor ndeshjet e fundit me Kosovën U21 dhe më nuk do të ketë të drejtë të zhvillojë paraqitje tjera, për shkak të moshës.

Në këto rrethana, shumë shpejt lojtari nga Lugina e Preshevës mund të llogaritet si pjesë integrale e mesfushës. Një tjetër përparësi që ia vlen të përmendet është edhe skema dhe filozofia e ngjajshme sikur ajo e Kosovës me të cilën St. Gallen luan. 

 

Skaneri në mesfushë te kombëtarja kosovare është si vijon:

-  Valon Berisha, një lojtar që vazhdimisht po ka probleme me lëndime të shpeshta;
- Florian Loshaj që ka humbur pozitën e mesfushorit titullar te skuadra e tij;
- Blendi Idrizi që nuk cilësohet më startues në Schalke që prej kohës kur klubi në fjalë sjelli freski në stol me angazhimin e trajnerit të ri;
- Ibrahim Dreshevic po angazhohet në mbrojtjen me 3 te skuadra e tij dhe jo në mesfushë;
- Toni Domgjoni, i vetmi që ka pasur minutazh dhe rendiment të vazhdueshëm në muajt e fundit [hiç periudhën aktuale ku meqë skuadra ka arritur objektivat e saj, tashmë po aplikon disa rotacione në formacion për t'i testuar lojtarët e rinj, me ç'rast edhe Domgjoni po ulet në stol heraherës]. 

Për këtë arsye dhe për faktin që afrimi i mesfushorëve të dëshiruar e kërkuar te Kosova është një proces i ngrirë për momentin, përzgjedhësi i dardanëve, Alain Giresse, me Betim Fazlijin do të fitonte një oksigjen në mesfushë. 

Karakteristikat si mesfushor

Lëvizshmëria është elementi më i mirë i tij nëse flasim për paraqitjet si mesfushor. Njësoj siç ka treguar edhe gjatë ndeshjeve të fundit të zhvilluara me St. Gallen në këtë repart fushe, ai mund të jetë i dobishëm edhe për goditjet nga distanca. Një gjë të tillë e vuri në pah edhe në ndeshjen e mbrëmshme, ku shënoi një gol magjeps nga 20 metra, duke lënë të shtangur portierin e Servette, me rezultatin në fund që përfundoi 0:2 në të mirë të gjelbërebardhve.

Edhe angazhimi në fushë me kilometrat që ai vrapon në fushë, e që vazhdimisht janë mbi 10 sosh, mund të portretizohet si një tjetër cilësi pozitive e 23-vjeçarit. 

Fazliji ka kontratë të vlefshme me St. Gallen deri në verën e vitit të ardhshëm. Pas pak kohësh ai do të përcaktohet nëse do ta vazhdojë kontratën me klubin helvet apo do të transferohet gjetiu. 

 

 

Tjera nga autori:
1