<b></b> Nga kampion i Kosovës në Ligën e Parë, Feronikeli zyrtarisht bie nga Superliga

Nga kampion i Kosovës në Ligën e Parë, Feronikeli zyrtarisht bie nga Superliga

23.04.2022 19:00

Feronikeli sot zyrtarisht përfundojë aventurën në Superligën e Kosovës pas plotë gjashtë viteve.

Skuadra nga Drenasi që para disa viteve garonte për trofe dhe daljen në Evropë, nga edicioni i ardhshëm do të 'luftojë' në Ligën e Parë të Kosovës.

Humbja e pësuar sot në shtëpi nga Llapi me rezultat 0:2, vulosi kalimin e Feronikelit në Ligën e Parë, pasi më as matematikisht nuk kanë gjasa për mbijetesë, duke qëndruar në pozitën e fundit me vetëm 12 pikë dhe një golaverazh të tmerrshëm -64 në 30 ndeshjeve të zhvilluara.

Dikur kampion i Kosovës – vitin tjetër luan në Ligën e Parë, si erdhi Feronikeli në këtë pikë?

Nëse e shikojmë nga pikëpamja e një tifozi, do mbetesh më shumë se i befasuar se si një skuadër që garonte për Evropë, të bie nga Superliga e Kosovës.

Problemi kryesor te Feronikeli sidomos pas pandemisë së COVID-19, ishte ana financiare me ish presidentin Naser Ramaj që nuk i paguante pagat e futbollistëve, të cilët pastaj u revoltuan duke u ankuar në FFK dhe pastaj edhe në FIFA.

Shkaku i mos pagesave, Feronikelit edhe iu bllokua afati i transferimeve, por kjo nuk e ndalojë Ramaj që të vazhdonte në këtë situatë, ku pastaj në afatin dimëror të kaluar, të gjithë lojtarët e ekipit të parë vendosën të largohen (shumica iu bashkuan rivalëve), përpos kapitenit Endrit Kastrati, që vendosi të qëndrojë besnik duke mos u larguar nga “Rexhep Rexhepi”.

Pasi nisi sezoni pranveror i Superligës, Feronikeli zhvillojë të gjitha ndeshjet me juniorë, duke luajtur me ekipin e të rinjve, e që shumicën e ndeshjeve i humbnin duke pësuar mbi pesë gola, ku prandaj qëndron edhe golaverazhi -64 në 30 ndeshje.

Para disa viteve - kampion i Kosovës dhe gjithmonë luftonte për daljen në Evropë

Ky Feronikel i tanishëm ndryshon shumë nga ai që ishte para disa viteve, sidomos i edicionit 2018/19.

Hapat më të mëdhenj Feronikelit, ia dha trajneri Afrim Tovërlani në edicionin 2016/17, ku pavarësisht që nuk arriti ta fitojë titullin, e mbylli si pozitë e katërt, ku të gjithë kishin frikë nga sulmi i tyre, me 61 gola të shënuara dhe vetëm 27 të pranuara në tërë sezonin.

Ndërkohë, 'kulmin' si skuadër e arriti në edicionin 2018/19 nën urdhrat e teknikut maqedonas, Zekerija Ramadani, i cili i fitojë të dy trofetë e mundshme, pra Superligën e Kosovës dhe Kupën e Kosovës.

Me plotë 80 pikë të grumbulluara në 33 ndeshje (25 fitore, 5 barazime dhe vetëm tre humbje), Feronikeli ishte padyshim skuadra më e mirë në kampionatin kosovar.

Por, këtë formë të lartë, Feronikeli e tregojë edhe në Kupën e Kosovës, ku në finale 'shpartalluan' Trepçën '89 me rezultat 5:1.

Me fitimin e Superligës, Feronikeli mori pjesë në parakualifikueset për Ligën e Kampionëve, ku në raundin e parë u eliminuan nga The New Saints me rezultat të përgjithshëm 2:3 (2:2, 0:1).

Me eliminimin nga Liga e Kampionëve, Feronikeli u kualifikua direkt në raundin e dytë të Ligës së Evropës, por prapëseprapë, fuqia e skuadrës kosovare nuk i bëri ballë skuadrës Slovan Bratisltva që e mposhti në dy ndeshjet (1:2, 0:2).

Pastaj erdhi edhe ndërprerja e bashkëpunimit me Ramadanin, e prej largimit të këtij të fundit, Feronikeli asnjëherë nuk gjeti më formën e duhur duke shkarkuar trajnerë njëri pas tjetrit.

Rënia e Feronikelit

Problemet ekonomike për skuadrën nga Drenasi nisën në edicionin 2020/21, ku pavarësisht që lojtarët nuk ankoheshin zyrtarisht, disa prej tyre dërgonin letra në FIFA, me shpresën që klubi pastaj t'ua paguante 'hakun'.

Mos pagesa në disa muaj ndikojë që të këtë rënie edhe në rezultate, ku në edicionin 2020/21, Feronikeli në xhirot e fundit arriti të sigurojë qëndrimin në Superligën e Kosovës, duke e mbyllur si pozitë e shtatë në tabelë.

Këtë edicion, skuadra kosovare pësonte humbje të njëpasnjëshme dhe nuk vonojë shumë edhe largimi zyrtarisht i presidentit Naser Ramaj, që thoshte se është duke ‘lëshuar rrugën’ për disa aksionarë të rinj, të cilët asnjëherë nuk morën drejtimin e klubit.

“Unë njoftova miqtë e mi bashkëpunëtorët dhe Komunën e Drenasit që klubit të i ofrohen edhe investitorë apo donatorë tjerë sepse kërkesat dhe synimet ishin po te njëjtat ndërsa krizat dhe pandemia veç thellonte problemet, ku me fillimin e saj unë u deklarova se nuk mundem te financoj tutje. Kështu pas shumë investimeve dhe përkundër dëshirës se madhe qe të vazhdojmë tutje unë vlerësova arsyen për ti lënë mundësit qe me Feronikelin te vazhdoj dikush ku duke programuar një klub me më pak shpenzime te rrugëtonte tutje, sepse në gjithë globin të gjitha sportet po sfidoheshin sikur edhe Feronikeli, andaj edhe përkundër askush nuk u ofrua”, ishin vetëm disa fjalë në komunikatën e gjatë të Ramaj që konfirmonte largimin nga Feronikeli.

Rekordi i tmerrshëm i këtij edicioni në Superligën e Kosovës

Feronikeli padyshim ishte skuadra më e dobët nga 10 skuadrat që janë në Superligën e Kosovës, ku pësuan mbi 20 humbje.

Në 30 ndeshje të zhvilluara deri me tani, Feronikeli nën urdhrat e Faruk Elshanit (i cili udhëheqi ekipin e të rinjve në Superligë), pësuan plotë 24 humbje, duke regjistruar tre barazime dhe shënuan vetëm tre fitore.

Ky rekord mund të vazhdojë të bëhet edhe me negativ, nëse skuadra nga Drenasi të pësojë humbje edhe në ndeshjet e mbetura.

Tjera nga autori:
1