<b></b> Real Madridi s’ka asnjë të drejtë të jetë në finale të Ligës së Kampionëve, thotë Schmeichel

Real Madridi s’ka asnjë të drejtë të jetë në finale të Ligës së Kampionëve, thotë Schmeichel

06.05.2022 10:48

Ish-portieri i Manchester Unitedit, Peter Schmeichel, beson se Real Madridi nuk e meritoi arritjen në finale të Ligës së Kampionëve, ku do të përballet me Liverpoolin më 28 maj në Paris.

Portieri legjendar danez shpjegoi se Reali nuk krijoi asgjë në ndeshjen e dytë gjysmëfinale kundër Manchester City për ta merituar kalimin në finale, megjithëse ishte vrastar mjaftueshëm sa për t’i shënuar tri gola.

“Real Madridi nuk ka të drejtë të jetë në finale. Reali ishte ekip shumë, shumë më i dobët [se City] në dy ndeshjet”, tha Schmeichel për CBS Sports.

Ai shtoi: “Mundësia e parë për ta ishte goli në minutën e 90-të, goli i dytë erdhi pas mundësisë së dytë dhe goli i tretë ishte vetëm goditja e tretë në portën e vizitorëve”.

“Man City e kishte ndeshjen nën kontroll të plotë, por ishte ai çasti i vetëm për të cilin folëm. Folëm se si stadiumi i tyre mund të ishte lojtari i tyre i 12-të”.

Reali e mundi Cityn 3:1 në ndeshjen e kthimit në Bernabeu të mërkurën, duke kaluar në finale falë rezultatit të përgjithshëm 6:5 nga të dy ndeshjet.

City e kishte mbizotëruar Real Madridin deri në minutën e 90-të dhe kishte dy gola epërsi nga të dy ndeshjet gjysmëfinale dhe kur mendoi se e kishte arritur finalen, Real Madridi e kishte zier një rikthim tjetër magjik në Bernabeu.

Zëvendësuesi Rodrygo i shënoi dy gola brenda 90 sekondave dhe Karim Benzema shënoi nga penalltia në vazhdime për ta çuar Realin në finale, ku e pret Liverpooli.

Çelësi i mrekullisë së Real Madridit

Ish-mbrojtësi i Manchester Unitedit, Rio Ferdinand, tani analist i sportit në BT Sport, shpjegoi arsyet e suksesit të madh të Real Madridit në Ligën e Kampionëve.

“Kurrë nuk duhet të dyshoni në lojtarët e këtij ekipi”, tha Ferdinand.

“Gjithmonë e kemi thënë, përvoja ka shumë rëndësi në këtë garë, por ata treguan edhe zemër e dëshirë. Këta lojtarë kanë qenë këtu edhe më herët, kanë përjetuar net si kjo”.

“Fakti se ata kanë kaq shumë lojtarë në këtë ekip që i kanë fituar disa trofe të Ligës së Kampionëve, bëri që në asnjë çast të mos bënin panik në këtë turne”.

“Kudo që janë, apo çfarë lojtarësh kanë në ekip, këta djem i besojnë njëri-tjetrit, i besojnë trajnerit. Dhe tifozët e tyre ishin të çmendur fare”, shpjegoi ai.

Tjera nga autori:
1