<b></b> Ringjallja e Vedat Muriqit

Ringjallja e Vedat Muriqit

20.04.2022 11:12

Vedat Muriqit iu deshën më pak se një orë lojë për të shënuar në debutimin e tij në La Liga për Mallorcan. Ai sapo kishte mbërritur në ishull nga Lazio, ku nga italianët cilësohej si një i dështuar, pas një viti e gjysmë qëndrimi zhgënjyes në kryeqytetin italian. Por kjo s’e ndaloi atë të fillojë të ringjallet dhe ta marrë nofkën e piratit pa humbur kohë.

Jo vetëm që Muriqi është ringjallur vetë që prej se iu bashkua Mallorcas në janar në një marrëveshje huazimi, por ai po ashtu e mbushi me shpresa shpëtimi klubin nga Palma, i cili para ardhjes së tij rrezikonte shumë rënien në kategorinë e dytë të futbollit spanjoll vetëm tri vite pasi ishte rikthyer në La Liga.

Por forma nëpër të cilën është duke kaluar përfaqësuesi i Kosovës në La Liga lë të kuptohet se ai kishte tjera telashe në Lazio, konkretisht nuk iu dhanë mundësitë e duhura për ta treguar fytyrën e vërtetë prej sulmuesi.

Çfarë nuk shkoi për Muriqin në Lazio fillimisht?

Lazio e bleu sulmuesin kosovar në shtator 2020 nga Fenerbahce për 20 milionë euro dhe entuziazmi në klubin e kryeqytetit italian ishte i madh, pasi ai po vinte si një golashënues i dëshmuar për gjigantin turk dhe ekipin kombëtar.

Megjithatë, jo gjithçka nisi mirë për 27-vjeçarin, i cili u sëmurë me Covid-19 dhe nuk qe në gjendje t’i bashkohet Lazios me kohë, duke munguar në përgatitje me skuadrën. Sikur mos t’i mjaftonte infektimi me virus, Muriqi po vuante nga një lëndim muskulor që e kishte pësuar kah fundi i sezonit paraprak me Fenerin, i cili ia zgjati edhe më shumë debutimin, deri më 17 tetor, një ndeshje që lazianët e humbën 3:0 nga Sampdoria.

Rrethanat e mbërritjes së tij në klub luajtën rol në lojën e tij nën urdhrat e trajnerit të atëhershëm Simeone Inzaghi. Ai nuk kishte kohë për t’u mësuar me taktikat e tij apo për t’u përshtatur me bashkëlojtarët. Inzaghi e përdorte kosovarin vetëm si rezervist të Ciro Immobiles dhe Joachim Correas dhe i jepe mundësi të rralla për të luajtur titullar aty-këtu.

Nën urdhrat e trajnerit të ri në sezonin 2021/22 mundësitë e Muriqit ishin edhe më të vogla, pasi trajneri italian ia dha atij vetëm një rast të luajë titullar, dhe atë në mungesë të sulmuesve të tjerë kryesorë, dhe kosovari u largua në afatin kalimtar të dimrit.

Ringjallja e tij në ishull dhe bashkë me të shpresat e Mallorcas për mbijetesë

Muriqi nuk humbi kohë për të lënë mbresa në La Liga, duke e frymëzuar Mallorcan drejt një fitoreje prej 2:1 ndaj Cadizit, rivalit të drejtpërdrejt për mbijetesë, më 5 shkurt.

Nuk ishte vetëm goli që ia siguroi tri pikë Mallorcas që la mbresa në debutimin e Muriqit, por loja e tij në përgjithësi dhe mënyra se si fitonte topa në ajër në veçanti.

Muriqi ishte çdo kund, në çdo cep të fushës në atë ndeshje. Ai i kishte fituar 13 prej 14 dueleve në atë ndeshje, duke fituar aq shumë topa për skuadrën e tij, që ishte një tregues. Loja e tij në ajër dhe me shpinë mbrapa portës ka qenë e shkëlqyer dhe i është përshtatur atij në futbollin spanjoll.

Mbase goli më i rëndësishëm i tij deri tani për Mallorcan erdhi në fitoren 1:0 kundër kampionit në fuqi Atletico Madridit. Të shënosh për një skuadër që po luftonte për mbijetesë kundër kampionit në fuqi, i cili para asaj ndeshje kishte gjashtë fitore radhazi, nevojiten nerva të çelikta.

Ai shënoi sërish mbrëmë në fitoren 2:1 kundër Alavesit, një tjetër skuadër në luftë për mbijetesë, atë që ishte goli i tij i katërt në 12 paraqitje për Mallorcan. Ky ishte mbase goli i tij më i mirë në fanellën e klubit spanjoll deri tani. Ai e pranoi topin me gjoks në mesin e disa mbrojtëve në zonën kundërshtare, para se t'iu ikte atyre me një kthim të shpejtë për ta mposhtur portierin nga afërsia.

Para ardhjes së Muriqit, Mallorca ishte vetëm dy pikë larg zonës së rënies nga La Liga, tani, pas 12 paraqitjeve të tij dhe kur kanë mbetur vetëm edhe pesë ndeshje deri në përfundim të sezonit, skuadra e Javier Aguirres është në pozitë shumë më të mirë për të mbijetuar, pasi renditet në vendin e 16-të me 32 pikë, ka tri pikë më shumë se vendi i 18-të dhe baras me pikë me vendin e 15-të.

“Pirati është këtu dhe do të luftojë deri në fund”, ishte premtimi i Muriqit në rrjetin social Instagram pas fitores kundër Alavesit të hënën. Katër gola dhe një asist në 12 paraqitje është një kontribut mjaft i madh tashëm, por Muriqi nuk do të ndalet derisa ta përmbushë misionin për ta shpëtuar Mallorcan.

Muriqi është përfshirë në pesë gola për Mallorcan, më shumë se çdo futbollist tjetër i kësaj skuadre në vitin 2022.

Pirati, siç i pëlqen Mallorcas ta quajë Muriqin dhe vetë kosovarit të thirret, me siguri do të rikthehet në verë në Lazio, pasi t’i mbarojë marrëveshja e huazimit gjashtëmujor në qershor, por një gjë është e sigurt, ai do të rikthehet si një sulmues i ringjallur.

Tjera nga autori:
1