<b></b> “Shumë vështirë, por e arritëm me punë e përkushtim” – Ballkani shijon titullin e kampionit të Kosovës

“Shumë vështirë, por e arritëm me punë e përkushtim” – Ballkani shijon titullin e kampionit të Kosovës

04.05.2022 18:12

Ballkani zyrtarisht ka nisur festën sot pasi fituan titullin e kampionit në Superligën e Kosovës për herë të parë në histori të klubit.

Pas tri viteve me shumë punë, “Xhebrailat” më në fund realizuan ëndrrën duke fituar titullin e kampionit të Kosovës për edicionin 2020/21.

Me barazimin e sotëm në derbin e Gjilanit, Ballkani edhe matematikisht është kampion në fuqi i Kosovës, ku falë këtij suksesi edhe do të marrin pjesë në kualifikimet për Ligën e Kampionëve.

Shumë i lumtur me këtë sukses, është ndarë mbrojtësi i krahut të djathtë, Armend Thaqi, që për Gazetën Nacionale tha se ishte shumë i vështirë.

Vetë titulli kampion i tregon të gjitha, deri në këtë pikë është shumë vështirë me ardhë, tash duket e lehtë, por do shumë punë, sakrificë e përkushtim, sepse është një vit dhe ka shumë ndeshje, hidhërime e gëzime, mirëpo kjo tani i mposht të gjitha.

Ish-kapiteni i Prishtinës, theksoi se ka provuar të japë gjithmonë më të mirën për fanellën e skuadrës nga Suhareka dhe ndihet i lumtur që në fund doli i suksesshëm.

Në tërë sezonin jam munduar të ndihmoj skuadrën në maksimum, në të gjitha mënyrat. E di që kam shumë vend për përmirësime, mirëpo fundi doli të jetë i suksesshëm.

Thaqi që vitin e kaluar theu ‘tabunë’ duke u bërë lojtari i parë në Superligën e Kosovës që ftohet për ndeshjet e Kombëtares së Kosovës, në fund deklaroi se do vazhdojë të jap më të mirën dhe beson që klubi do bëjë gjithçka për ndeshjet evropiane.

Nuk do të ndalem me kaq sepse futbolli nuk do ndalje apo kënaqësi gjatë gjithë kohës. Do festojmë aq sa duhet dhe pastaj të shtrëngojmë forcat për garat evropiane.

Ndërkohë, njësoi si Thaqi, edhe golashënuesi më i mirë i skuadrës, Ermal Krasniqi për Gazetën Nacionale është ndarë shumë i lumtur, ku e vlerësoi si sezoni më i mirë në karrierë për të.

Padyshim në aspektin personal, ashtu edhe në atë kolektiv ka qenë sezoni më i suksesshëm i karrierës time deri me tani. Si çdo sezon ka vështirësitë e veta duke ditur që edhe rivalët për titull kanë pasur ecuri pozitive, por ky ishte viti jonë.

I pyetur për ‘çelësin e suksesit’, Krasniqi falënderoi bashkëlojtarët për punën e bërë.

Meritat individuale janë shumë të bukura, por jam më të veçanta kur arrihen me grupin. Në rast që beson, atëherë arrihet gjithçka”, deklaroi ai.

Rekordi fantastik i Ballkanit për edicionin 2021/22:

Nën urdhrat e Ilir Dajës, skuadra nga Suhareka ishte e jashtëzakonshme duke shënuar më së shumti gola dhe pranuar më se pakti.

Pas 32 xhirove të zhvilluara, Ballkani regjistroi 21 fitore, duke barazuar shtatë herë dhe numëruar vetëm katër humbje.

Përpos kësaj, ata si skuadër realizuan 54 gola dhe pranuar vetëm 20, duke pasur një golaverazh +30.

Tjera nga autori:
1