<b></b> Shumë zhurmë për golin e anuluar të Bennacer - ja çfarë thotë rregullorja

Shumë zhurmë për golin e anuluar të Bennacer - ja çfarë thotë rregullorja

20.04.2022 18:41


Sipas artikullit 12 të rregullores së arbitrimit në futbollin italian, ndër të tjera pozita jashtë loje mund të sinjalizohet nëse kemi të bëjmë me ndonjë episod ku lojtari ia komprometon portierit kundërshtar pamjen. Në bazën e këtij parimi, gjyqtari i derbit të Madonnina dje, Maurizio Mariani, në bashkëpunim me VAR, vendosi që ta anulojë golin e Bennacer, i cili provokoi zhurmë të madhe, pasi rezultati ishte 2:0 dhe Milan me anë të atij goli mund të rikthehej në lojë. Sipas disa indicieve edhe gjuha trupore e Handanovic mund të ketë luajtur rol në vendimin përfundimtar të Marianit.


Goli i anuluar i Bennacer frustroi të gjithë në kampin e Milanit. Ishte trajneri Pioli ai që u shfaq tej mase i nevrikosur, duke i larguar kufjet pasndeshjes, në momentin që e pa për herë të parë nga pamjet televizive episodin e sipërpermendur. Një reagim i tillë nga ai nuk ishte parë kurrë, pasi për nga natyra e trajneri, vlerësohet i qetë dhe i matur.

Megjithatë, nga pamjet që po transmetohen në orët e fundit, shihet se edhe vetë gjyqtari Mariani ka pasur dilema të mëdha kur është ftuar nga VAR që ta rishikojë rastin. Vendimmarrja e tij erdhi pas 4 minutash reflektimi dhe koordinimi me Mazzolenin që ishte përgjegjësi i kabinës së VAR në 'San Siro'. Në fund vendosi që ta anulojë golin, duke i lënë të shtangur tifozët dhe lojtarët e Milanit.

Interpretimi i gjyqtarit kryesor të takimit ishte se pozita ku gjendej Kalulu në momentin e goditjes nga mesfushori algjerian Bennacer ka qenë aktive dhe ka ndikuar që të mos kishte pamje të qartë Samir Handanovic. 

Artikulli 12 i rregullores së arbitrimit në futbollit italian thotë kështu, si vijon: "një lojtar që ndodhet në pozitë jashtë loje duhet të penalizohet nëse përfshihet në formë aktive në një aksion, duke interferuar me kundërshtarin, për t'ia pamundësuar të luajë ose të jetë në gjendje ta ketë pamjen e qartë".

Tani pyetjet që po shtrohen gjithandej janë nëse Kalulu interferoi në aksionin e djeshëm dhe nëse ai ia ndërlikoi apo pamundësoi pamjen portierit Handanovic? 

Në çdo rast, pavarësisht të gjitha gjykimeve, rasti do të jetë i kontestuar, sepse lë shumë hapësirë për interpretime të ndryshme.

Gjuha trupore e Handanovic, përcaktuese në anulimin e golit


Sipas disa indicieve, ka qenë më së e mundur që në vendimin përfundimtar të ketë patur ndikim gjuha trupore e portierit slloven, Handanovic. Ai gjatë aksionit zgjati kokën drejt këndit, gati sa për ta përkulur atë, në mënyrë që të siguronte një pamje më të pastër në rastin e goditjes së Bennacer. Në gjykimin e Marianit sipas analistëve italianë kjo mund të ketë qenë përcaktuese që ai ta vlerësonte se Kalulu e kishte shpërqendruar Handanovicin. 

 

 

Shtypi sporti i shkruar italian si e vlerësoi këtë situatë? 

I gjithë shtypi i shkruar sportiv italian u shfaq i ndrojtur që të dalin me përfundime të prera sa i përket golit të anuluar të Bennacer në minutën e 67-të. Të gjitha gazetat e shkruara e vlerësuan me notën 5,5 [notë gati e mjaftueshme] përformancën e Marianit 

E përditshmja më e madhe sportive, La Gazzetta Dello Sport, e vlerësoi si të paqartë rastin, por përgjithësisht në gjykimin e tyre kishte më shumë të bënte me një pozitë jashtë loje pasive sesa aktive. 

Gazeta tjetër sportive, Tuttosport, shkruajti kësisoj në numrin e sotëm për episodin e mbrëmshëm të kontestuar. "Po, e vërtetë që Kalulu ishte në pozitë jashtë loje. Por, sa jemi të sigurt që ia ka vështirësuar pamjen Handanovicit?

"Lojtari francez ishte në pozitë jashtë loje, i vendosur para Handanovic dhe ia mbulon pamjen, por goditja e mesfushorit algjerian nuk është në të njëjtën trajektore të pozitës ku ndodheshin Kululu dhe Handanovic. Dyshimet mbeten akoma!"

Edhe Corriere Dello Sport shfaqi dilemat e saj në raport me vendimin e gjyqtarit kryesor në rastin e anulimit të golit të Bennacer.

"Vendimi i Marianit është shumë i dyshimtë. Pamja e Handanovic më shumë duket të jetë penguar nga bashkëlojtarët e tij sesa nga Kalulu"
, shkruajti gazeta e dytë më e madhe sportive në Itali. 


Inter iu rikthye një finaleje pas 11 viteve, ku do të përballet me fituesin e sotëm të duelit mes Juventus dhe Fiorentina. Kupa e Italisë gjatë viteve të fundit është trajtuar me një sy pak më ndryshe nga klubet e mëdha, duke e marrë më seriozisht, pasi po kontribuon edhe në sistemimin e bilanceve vjetore të klubeve përkatëse.

 

 

Tjera nga autori:
1