<b></b> Sonte Vedat Muriqi nuk luan përballë Barcelonës, trajneri i tij: Do të na mungojë energjia që ka

Sonte Vedat Muriqi nuk luan përballë Barcelonës, trajneri i tij: Do të na mungojë energjia që ka

01.05.2022 08:26

Vedat Muriqi nuk do të luajë në ndeshjen e sotme të ndërlikuar që Mallorca e ka në program përballë Barcelonës në 'Camp Nou'. Ai do të mungojë për shkak të kartonëve të verdhë të grumbulluar, që e bëjnë që ai të jetë i pezulluar. Trajneri i tij, Javier Aguirre, nuk ka ngurruar ta përmend faktin që skuadrës do t'i mungojë energjia në fushë që transmeton sulmuesi kosovar. Pezullimi i sulmuesit dardan me kartonë të verdhë është i vlefshëm vetëm për një ndeshje.

Në La Liga sot janë në program edhe katër ndeshje tjera në vazhdën e javës së 34-të që po luhet. Me Real Madridin që gjatë ditës së djeshme e zyrtarizoi titullin kampion për herë të tridhjetë e pesë, tani janë disa pozita tjera për t'u sqaruar në renditjen tabelare të kampionatit spanjoll. Ndër të tjera, edhe pozita e katërt që të shpie në kualifikimet e Ligës së Kampionëve, si dhe zona për mbijetesë. 

Te kjo e fundit po lufton dhëmbë për dhëmbë edhe skuadra e sulmuesit Vedat Muriqi, Mallorca. Mirëpo, në një udhëtim shumë të ndërlikuar si ai në 'Camp Nou', sulmuesi dardan nuk do të jetë në gatishmëri për skuadrën për shkak të kartonëve të verdhë të grumbulluar. 

Kjo do të jetë hera e parë në tre muaj që prizrenasi nuk do të grumbullohet me ekipin e tij, pasi në të gjitha rastet, jo vetëm që ishte pjesë përbërëse e skuadrës, por edhe gjithmonë kishte zbritur në fushë si titullar, për të qenë pikë referimi në sulmin e skuadrës jug-ishullore spanjolle.

Diçka të tillë e ka përmendur edhe vetë trajneri i tij, Javier Aguirre, i cili deri më tani ka arritur t'ia kthejë vetëbesimin qëkur e ka pranuar në formë huazimi nga Lazio. 

"Po, është e vërtetë që Vedat Muriqi kontribuon shumë, por janë rregulla të lojës këto. Për fat të mirë në vend të tij kam pesë lojtarë tjerë. Janë të gjithë të ndryshëm njëri nga tjetri. Ndoshta ai që i përngjan më së shumti Muriqit është Fer Niro për shkak të korpulencës së tij.

"Gjithsesi, do të na mungojë energjia e Muriqit në lojë, padyshim", ka theksuar mes tjerash trajneri meksikan i skuadrës së Mallorca, Javies Aguirre. 

Përveç tjerash, trajneri i Mallorca, Aguirre, para gazetarëve ka përmendur edhe faktin që Muriqi në transfertën e Barcelonës do t'u mungojë edhe për karakteristikën e tij të dominuarit në duele ajrore apo edhe për entuziazmin që e reflekton te bashkëlojtarët e tij të skuadrës.

Kujtojmë që Vedat Muriqi iu bashkua skuadrës së Mallorca në formë huazimi për 6 muaj dhe me të drejtë blerje nga klubi i Lazio, me të cilin ka kontratë për tri vite tjera. Menjëherë sulmuesi 28-vjeç kosovar ka dhënë impakt të mirë në ekipin e Mallorcas, pasi iu rikthye golave të shënuar dhe minutazhit në fushë, të cilat te ekipi bardhekaltër kryeqytetas italian i mungonin. 

Gjatë kësaj kohe ai është paraqitur në 12 ndeshje në La Liga, duke shënuar 4 gola dhe 1 asist. 

Akoma nuk dihet nëse Mallorca do ta ushtrojë të drejtën për ta blerë kartonin e Muriqit në fund të sezonit. Njëra prej pengesave në fjalë, përtej çmimit të kartonit të tij si lojtar, është edhe shuma e parave që përfiton Vedat Muriqi si pagë vjetore, e që është 2,2 milionë euro në vit. Shifër e konsiderueshme për një klub si Mallorca që zakonisht nuk paguan në vlera të tilla pagat e lojtarëve që i ka në radhët e veta. 

Sido që të jetë, Vedat Muriqi do të rikthehet të jetë i gatshëm për skuadrën e tij në një moment kyç si ai i javës së ardhshme, kur Mallorca do të luajë përballë Granadas, në ndeshjen direkte për ta evituar rënien nga liga. Ndërkaq, tri ndeshjet tjera deri në përfundim të sezonit Mallorca do t'i luajë ndaj Sevillas në udhëtim, Vallecanos në shtëpi, si dhe për fund udhëton për t'u ndeshur ndaj Osasunas. 

 

Tjera nga autori:
1