<b></b> Tirana dhe disa klube të Evropës në sulm për ‘diamantin’ e Ballkanit

Tirana dhe disa klube të Evropës në sulm për ‘diamantin’ e Ballkanit

06.05.2022 19:11

Tirana dhe disa klube të tjera evropiane kanë shprehur interesim për talentin e Ballkanit, Ermal Krasniqi, kështu mëson Gazeta Nacionale me burime të sigurta pranë familjes së lojtarit.

Krasniqi është duke kaluar sezonin më të mirë të karrierës te Ballkani, me të cilët fitoi titullin e kampionit në Superligën e Kosovës, ndërsa është edhe golashënuesi më i mirë në skuadër.

Falë formës së mirë këtë edicion, ku vlen të ceket se ka qenë thjeshtë i pandalshëm në momentet një kundër një, Krasniqi ka fituar vëmendjen e disa klubeve nga Evropa dhe Tiranës, kampionit të Shqipërisë.

Agjenti: Kanë interesim të madh nga Evropa, por po presim fundin e sezonit që të diskutojmë

Interesimin e klubeve të mëdha për Krasniqin e ka konfirmuar edhe agjenti i lojtarit, Kastriot Telaku në një bisedë për Gazetën Nacionale.

Telaku bëri të ditur se është kontaktuar nga shumë klube nga Evropë, duke mos përmendur ndonjë emër, pasi që ende nuk kanë diskutuar as me Ballkanin për mundësinë e largimit gjatë verës.

Realisht, ai (Krasniqi) ka edhe një vit kontratë të mbetur me Ballkanin. Interesim ka nga disa klube nga Evropa, të cilat më kanë kontaktuar disa herë, por që momentalisht nuk ka asgjë konkrete”.

Telaku refuzoi të flas me emra për skuadrat që kanë shprehur interesim, ngase nuk kanë diskutuar me Ballkanin ende për largimin e mundshëm nga Suhareka.

Tirana ndoshta ka diskutuar edhe me bordin e Ballkanit. Nuk mund të tregoj emra shkaku që po presim fundin e sezonit për të diskutuar me Ballkanin”.

Ai gjithashtu konfirmon se edhe Krasniqi është i hapur për një aventurë të re, por që klubet që e duan duhet ta bindin edhe Ballkanin që ta liroi futbollistin.

Po, sigurisht Krasniqi dëshiron të luajë në Evropë, por që duhet të vijë oferta që ta bind klubin për ta lejuar të largohet”, nënvizoi ai për Gazetën Nacionale.

Edicioni më i mirë në karrierë për Ermal Krasniqin

Padyshim, edicioni 2021/22 ka qenë më i miri në karrierë për mesfushorin e talentuar Ermal Krasniqi.

Me 14 gola të shënuara në këtë edicion, Krasniqi është golashënuesi më i mirë te kampioni i Kosovës, derisa i katërti në Superligën e Kosovës, me Gerhard Prognin që është lider me 21 sosh.

Pas një punë të madhe dhe përkushtimit të duhur, Ballkani fitoi titullin e kampionit të Kosovës për herë të parë në histori të klubit, ndërsa Krasniqi deklaroi se ndihet shumë i lumtur.

Ai të mërkurën për Gazetën Nacionale e vlerësoi si sezonin më të mirë të karrierës dhe thoshte se u arrit falë punës së madhe të të gjithë lojtarëve.

Padyshim në aspektin personal, ashtu edhe në atë kolektiv ka qenë sezoni më i suksesshëm i karrierës time deri me tani. Si çdo sezon ka vështirësitë e veta duke ditur që edhe rivalët për titull kanë pasur ecuri pozitive”.

Sipas tij, meritat janë shumë të bukura, sidomos kur arrihen si grup.

“Meritat individuale janë shumë të bukura, por jam më të veçanta kur arrihen me grupin. Në rast që beson, atëherë arrihet gjithçka”, deklaroi ai të mërkurën.

Tjera nga autori:
1