<b></b> Tyson Fury e përsërit se do të pensionohet: E kam kryer me boksin

Tyson Fury e përsërit se do të pensionohet: E kam kryer me boksin

28.04.2022 10:42

Tyson Fury ka këmbëngulur se karriera e tij në boks ka mbaruar, duke e përsëritur dëshirën për t’i varë dorëzat në gozhdë pas fitores kundër Dillian Whyte në luftën për titullin e kampionit të botës në kategorinë e rëndë në WBC.

Boksieri britanik kishte lënë të kuptohej pas triumfit me nokaut kundër bashkëkombësit të vet në rundin e gjashtë të shtunën se do të pensionohej.

Duke folur të mërkurën vonë për TalkTV, Fury tha se ka vendosur ta lërë prapa boksin për të kaluar më shumë kohë me familjen e vet.

“E kam kryer. Të gjithëve iu buzëqesh fati”, tha Fury.

“Siç ka thënë lideri i madh romak, gjithmonë do të dalë dikush tjetër për të luftuar. Kur është mjaftueshëm, mjaftueshëm?

Ai shtoi: “Unë jam i lumtur, shëndosh. Ende e kam trurin, mund të flas, kam bashkëshorte të bukur, i kam gjashtë fëmijë dhe shumë tituj. Kam shumë para, sukses, famë, lavdi, për çfarë tjetër po e bëj këtë?”

Fury është i pamposhtur në 33 luftëra dhe pensionimi do të nënkuptonte se ai do ta humbiste mundësinë për të luftuar për kampionin e padiskutueshëm të botës dhe me këtë mundësinë për ta vulosur statusin e tij si boksieri më i madh britanik i kategorisë së rëndë.

Oleksandr Usyk i mban katër titujt e tjetër të botës në kategorinë e rëndë dhe ai do t’i mbrojë ata kundër Anthony Joshuas në të ardhmen e afërt. Bisedimet mes tyre thuhet të jenë afër përfundimit.

Pritej se fituesi i kësaj lufte do të përballej me Furyn për unifikimin e titujve të këtij divizioni për herë të parë që prej vitit 1999, kur Lennox Lewis e kishte arritur këtë.

Por Fury thotë se është i lumtur me kohën e marrjes së vendimit.

“Boksi është sport i rrezikshëm. Mund t’i humbësh ndjenjat nga një goditje e vetme, siç e pamë të shtunën mbrëma dhe nevojitet vetëm një goditje fatkeqe dhe mund të mos çohesh më nga tapeti”, theksoi ai.

“Po heq dorë si lider. Unë jam i pamposhtur dhe vetëm boksieri i dytë në histori që pensionohet si kampion i pamposhtur në kategorinë e rëndë. Jam i lumtur dhe i kënaqur në zemër me atë që e kam bërë”.  

Tjera nga autori:
1