<b></b> Vazhdojnë kritikat për Amir Rrahmanin në Itali

Vazhdojnë kritikat për Amir Rrahmanin në Itali

19.04.2022 16:00

Amir Rrahmani është përsëri në qendër të kritikave të mediave italiane, pasi e bëri edhe një paraqitje tjetër të dobët, të dytën radhazi në Serie A, të hënën në barazimin e Napolit me Romën.

Përfaqësuesi i Kosovës Rrahmani u vlerësua si lojtari më i dobët në fushë në barazimin e Napolit 1:1 me Romën nga Gazzetta dello Sport.

E përditshmja italiane i dha notën 5 kapitenit të Kosovës dhe e kritikoi për një pjesë të dytë të dobët dhe me gabime të njëpasnjëshme në ndërhyrje.

 “Në pjesën e parë nuk i la hapësirë për frymëmarrje [Tammy] Abrahamit. Pastaj u zë në befasi nga një harkim i gjatë dhe sulmuesi anglez e falënderoi. Në fund humbi kontrollin dhe bëri disa gabime në ndërhyrje”, shkroi Gazzetta dello Sport.

Ky është dështimi i dytë radhazi i Napolit, pas humbjes me Fiorentinën një javë më parë, tw cilat ia zvogëlojnë mundësitë napolitanëve në një garë të ngushtë trifrontëshe për titull në kampionatin italian.

Kjo paraqitje e tij e dobët vjen menjëherë pas mbase paraqitjes më të dobët të mbrojtësit nga Prishtina në fanellën e Napolit këtë sezon në humbjen kundër Fiorentinës para një jave.

Këto paraqitje të dobëta të Rrahmanit vijnë në kohën më të keqe në përpjekjet e skuadrës së tij për t’i mundur Interin dhe Milanin në garë për titull e parë në Serie A që prej vitit 1990.

Rrahmani i ka bërë 29 paraqitje për Napolin në Serie A këtë sezon, duke kontribuuar me tri gola në atë që ka qenë sezoni i tij më i mirë në karrierë deri tani.

Ai e ka formuar një partneritet të fortë me Kalidou Koulibaly këtë sezon, duke ia zënë vendin Kostas Malonasit të Greqisë, që i ka ndihmuar Napolit të luftojë kokë me kokë me Interin dhe Milanin për titull në Serie A.

Milani është lider me 71 pikë, i ndjekur nga Interi me 69 dhe Napoli me nga 67. Por kampioni në fuqi Inter e ka një ndeshje më pak të zhvilluar.

Në pesë ndeshjet e mbetura këtë sezon, Rrahmani do të shpresojë ta lërë anash paraqitjen e dobët kundër violës dhe verdhekuqve dhe ta përsërisë formën e deritanishme për t’i ndihmuar napolitanëve ta fitojnë titullin e parë në ligë pas 32 viteve.

Tjera nga autori:
1