<b></b> “Vendimi i publikuar nga FFK është thjeshtë për kompetencë” - Avokati i Vokrrit thotë se Gjykata e Apelit ende s’ka vendosur

“Vendimi i publikuar nga FFK është thjeshtë për kompetencë” - Avokati i Vokrrit thotë se Gjykata e Apelit ende s’ka vendosur

01.05.2022 20:35

Avokati i Gramoz Vokrrit, Arbër Krasniqi thotë se Gjykata e Apelit është ende duke  e gjykuar rastin dhe vendimi që u publikua nga Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) është thjeshtë sa për kompetencë.

FFK para disa orëve publikoi komunikatën e Gjykatës së Apelit, ku thuhet se Gramoz Vokrrit i është hedhur poshtë ankesa.

“Refuzohet si e pabazuar ankesa e paditësit - propozuesit Gramoz Vokrri nga Prishtina, ndërsa aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë - Departamenti për Çështjet Administrative A.nr740.22m i datës 29.03.2022, VËRTETOHET", shkruhet në komunikatë.

 

Sidoqoftë, avokati i Vokrrit, Arbër Krasniqi për Gazetën Nacionale tha se vendimi në fjalë është vetëm sa për kompetencë.

"Jo, ai vendim ka qenë veq sa për kompetencë. Gjykata e Apelit do ta gjykojë vendimin për shkelje të ligjit, por  ai vendim i publikuar ka qenë veq sa për kompetencë".

Krasniqi shton se Gjykata e Apelit ende nuk e ka gjykuar plotësisht çështjen dhe vendimi në fjalë ka qenë për ankesën që ata kanë dërguar në Departamentin për Çështje Administrative.

“Gjykata ende nuk ka gjykuar çështjen, ata do ta gjykojnë nëse ka pasur shkelje të ligjit. Ai vendim ka qenë për kompetencë pasi që ne i jemi ankuar në Departamentin për Çështjet Administrative”.

Për këtë vendim orë më parë për Gazetën Nacionale ka folur edhe Vokrri, që ishte mbetur i befasuar se si Gjykata e Apelit ka postuar vendimin në ditën e diele.

“Jo s’jom në dijeni. Është shumë e çuditshme, sot është e diele, si ka mundësi që Gjykata të jep vendimin. Ose ata jonë shumë të fortë, ose kanë dikë aty”.

Ndërkohë, FFK-ja është duke u shikuar edhe nga Ministria e Sportit për shkelje dhe që vendimi i fundit pritet të bëhet brenda disa javëve.

Tjera nga autori:
1