<b></b> Ancelotti flet hapur: Salah është lojtari më i mirë në botë në krahun ku luan, Hazard do të qëndrojë në Real Madrid

Ancelotti flet hapur: Salah është lojtari më i mirë në botë në krahun ku luan, Hazard do të qëndrojë në Real Madrid

14.05.2022 14:20

Carlo Ancelotti ka folur në konferencë për shtyp në prag të ndeshjes që skuadra e tij do ta luajë ndaj Cadiz në kampionat. Ai preku shumë tema, nga Hazard, jeta në Madrid e deri tek Salah, i cili foli para disa ditësh duke thënë që ndihet lojtari më i mirë në botë në krahun ku luan. 

I freskët nga sigurimi i titullit kampion në La Liga, i cili është i 35-ti në tërësi për klubin mbretëror të Real Madridit, Ancelotti po përgatitet që ta përfundojë në mënyrën më të mirë të mundshme një sezon thjesht fantastik për të, klubin dhe lojtarët që i udhëheq.

Për më tepër, klubi nga kryeqyteti spanjoll pas dy javësh do ta luajë edhe finalen e Ligës së Kampionëve përballë Liverpool në Paris, ku me ç'rast do të përpiqen që ta vendosin edhe kupën e 14-të të kompeticionit në fjalë në selinë e klubit. 

Mirëpo, në tërë këtë sezon të suksesshëm, sërish një lojtar ka vazhduar të mbesë nën hije. Bëhet fjalë për Eden Hazard, i cili qëkur është transferuar te Real Madridi, asnjëherë më nuk ka mundur ta gjejë veten. 

31-vjeçari belg nuk ka arritur që ta gjejë as rrugën e golit, as minutazhin e dëshiruar, duke luajtur si titullar në vetëm shtatë ndeshje të La Ligas në këtë sezon, ndërkaq në dhjetë raste tjera është ulur në bankë rezervë. Në pjesën e mbetur të kampionatit ka qenë i lënduar, duke humbur nëntë ndeshje në tërësi.

"Nuk kam folur rreth vazhdimësisë së Hazard. Mbetet me motivim të lartë, sepse akoma deri më tani nuk ka mundur t'i gëzohet këtij sezoni. Ai është i etur për t'i treguar cilësitë e veta. 

"Planet e Hazard janë të qarta: do të qëndrojë. Në një skuadër siç është Real Madridi, zhvillohen shumë ndeshje dhe rrjedhimisht rotacioni në formacion është i domosdoshëm. Sasia e minutave nuk është e rëndësishme. E kemi shembullin konkret të Rodrygo, i cili nuk ka pasur shumë minuta në fushë, por ato që i ka luajtur kanë qenë cilësore në momentet që i është dhënë besimi", ka theksuar Ancelotti.

 

Në vazhdim ai është ndalur të flasë edhe rreth qytetit të Madridit, sa për të konfirmuar se ndihet mjaft mirë, përtej sukseseve të arritura në rrafsh klubi.

"Madridi është një qytet për të jetuar dhe jo për ta vizatuar e pastaj për t'u kthyer në shtëpi si turist. Nuk kam asnjë dyshim!

"Bëhet fjalë për një qytet ku njerëzit janë të lumtur, jetojnë mirë dhe ushqehen mirë. Madridi është vend ideal për të jetuar, jo për të qëndruar në pushime", shtoi ai. 

Sa i përket lojtarëve të skuadrës së tij që e kanë befasuar më së shumti gjatë këtij edicioni të sivjem, ai nuk ngurroi të përgjigjet, duke përmendur edhe emra specifikë.

"Nuk më ka zhgënjyer askush. Jam befasuar nga ata që i njihja më pak: Valverde, Rodrygo dhe Camavinga. Nuk mund të them që Vinicius JR më ka befasuar, sepse isha në dijeni për talentin që posedon", nënvizoi trajneri italian.

Në pjesën e fundit të konferencës për shtyp, ai u pyet edhe rreth Mo Salah, i cili gjatë ditëve të kaluara ishte shprehur se ndihet lojtari më i mirë në botë në pozitën që mbulon.

"Ka të drejtë Salah. Nuk është e lehtë ta gjesh një sulmues të krahut të djathtë ose një të majtë si ai në tregun botëror të lojtarëve. Në pozitën e tij është lojtari më i mirë në botë", ka përfunduar Ancelotti. 

 

 


Lojtarët më të dalluar te Real Madrid në këtë kampionat kanë qenë Karim Benzema me 27 gola dhe 12 asiste, i pasuar nga Vinicius JR me 17 gola dhe 13 asiste, Marco Asensio me 10 gola, si dhe Luka Modric me 8 asiste në ndeshje vendimtare të klubit mbretëror.

Tjera nga autori:
1