Arsenal në rënie të lirë, humb përballë Newcastle dhe ndërlikon kualifikimin në Ligën e Kampionëve - NACIONALE

Arsenal në rënie të lirë, humb përballë Newcastle dhe ndërlikon kualifikimin në Ligën e Kampionëve

1 vit më parë

nga NACIONALE

Makthi i kualifikimit në Ligën e Kampionëve e ka shoqëruar klubin e Arsenalit në pesë vitet e fundit, aq vite sa mungojnë në garën kryesore evropiane. Sado që gjatë gjithë sezonit kanë pasur një epërsi ndaj skuadrave tjera, duke qenë të katërtit në renditje tabelare, 'topçinjtë' në javët e fundit pësuan humbje të njëpasnjëshme, të cilat i kushtuan me rrëshqitje nga pozita e katërt pak ditë para përfundimit të kampionatit, ku tashmë mungon vetëm edhe një xhiro për t'u luajtur.

Sot, Arsenal kishte një mundësi të mirë që ta parakalonte rivalin lokal, Tottenham, duke rimarrë pozitën e katërt. Mirëpo, një skenar të tillë nuk e bëri të mundur të realizohej Newcastle i Eddie Howe.

Në stadiumin e stërmbushur të 'St James Park', vendasit e nisën më mirë ndeshjen.
Çereku i parë i lojës u karakterizua me ritëm të shpejtë, por rastet munguan.

Zhvillohej minuta e 18-të kur mesfushori Longstaff iu afrua golit, por portieri anglez Ramsdale arriti që ta shmangte rrezikun.

Newcastle vazhdoi që ta rriste dominimin në lojë. Në minutën e 36-të Allan Saint-Maximin shpërdoroi një mundësi të artë shënimi, por sërish portieri i Arsenal, Ramsdale, ia doli që ta menjanonte më të keqën për skuadrën e tij.

Arsenal u shtyp në lojë nga Newcastle gjatë gjithë kohës në pjesën e parë.

Skuadrat shkuan në pushim të pjesës së parë me rezultatin baras 0:0!

Në pjesën e dytë Newcastle vazhdoi me të njëjtën qasje, e cila pas njëmbëdhjetë minutave u solli edhe frytet e para, meqë arritën të kalojnë në epërsi falë autogolit të White.

Arsenal, edhe pse ishte ekipi që i duhej më shumë fitorja dhe luftonte për një cak të rëndësishëm, si ai i kualifikimit në Ligën e Kampionëve, vazhdonte të ishte i pavërejtshëm në lojë.

Si rrjedhojë, Newcastle mbizotërimin në fushë nuk e vuri për asnjë minut në dyshim në 70 minutat e para. Në minutën e 63-të sulmuesi anglez, Callum Wilson, nuk arriti që ta konkretizojë një rast të volitshëm shënimi, e cila mund ta vendoste para aktit të kryer Arsenalin.


Newcastle nuk e ndali hovin assesi. Sërish me Wilson rrezikoi në minutën e 73-të, por fati ishte në të mirën e Arsenal.

Shtatë minuta më vonë Murphy dështoi nga afërsia që të shënonte gol.

Rasteve të panumërta u erdhi koha që në minutën e 85-të të shpërbleheshin. Bruno Guimares nga afërsia shënoi për ta mposhtur Ramsdale. Ky gol e demoralizoi edhe më shumë Arsenalin.

Në minutat e mbetur të ndeshjes Newcastle rrezikoi që ta rriste akoma edhe më shumë epërsinë, por mesfushori Fraser nuk u tregua efikas para portës.

Kështu, pas 97 minutave lojë përfundoi ndeshja, me një fitore të Newcastle që elektrizoi publikun vendas dhe e cila i shkaktoi tronditje Arsenalit, duke kaluar në -2 pikë nga Tottenham vetëm një javë para përfundimit të kampionatit.

Ndeshjen e fundit Arsenal do ta luajë ndaj Everton si vendas, kurse Tottenham udhëton në Norwich.

Në vazhdim ju lëmë me pamjet nga përmbledhja e ndeshjes!

Lajme të ngjashme