<b>Arsenali</b> mposht Leedsin e rrezikuar për ekzistencë në Premier Ligë

Arsenali mposht Leedsin e rrezikuar për ekzistencë në Premier Ligë

08.05.2022 17:05

Arsenali ka triumfuar me rezultat 2-1 si nikoqir i Leedsit, në ndeshjen e vlefshme për xhiron e 36 në Premier Ligë.

Ndeshja startoi fuqishëm, derisa Arsenali kaloi në epërsi qysh në minutën e pestë. Portieri i Leedsit, Ilian Meslier krejtësisht e katandisë një spastrim duke gjuajtur direkt në Eddie Nketiahn e Arsenalit, i cili qëllon rrjetën nga afërsia për 1-0.

Dominimi i "Topçinjëve" vazhdoi tutje duke rrezikuar vazhdimisht dhe duke krijuar lojë të bukur me pasime.

Pesë minuta pas golit të parë, londinezët shënuan edhe të dytin përmes realizatorit të golit të parë, Nketiahs.

Gabriel Martinelli dhuroi një pasim të bukur për të gjetur Nketiahn në brendësi të zonës së penalltisë, e ky i fundit nxjerr më të mirën nga aksioni për të qëlluar prapa krahëve të portierit Meslier me një goditje të ulët.

Në vazhdim, loja filloi të bëhet më agresive, teksa Gabrieli i Arsenalit u ndëshkua me të verdhë në minutën e 16 pas një ndërhyrjeje të rëndë në një kundërshtar.

Shtatë minuta më vonë, Luke Ayling u shlirua kur e kuptoi se u ndëshkua vetëm me të verdhin për një ndërhyrje tejet të rëndë në rivalin. Mirëpo, pas disa minutave të kaluar, gjyqtari Chris Kavanagh sigurisht duhet të ketë marrë informacione shtesë nga VAR, teksa bëri sinjalin e VAR ku shkoi për ta rishikuar incidentin.

Pas rishikimit, Kavangh nuk hezitoi dhe ia tregoi të kuqin Aylingut, i cili e la Leedsin me dhjetë lojtarë në fushë.

Në katrahurën e krijuar, edhe Raphina u ndëshkua me të verdhë për shkak se nuk po ndalej së protestuari te gjyqtari.

Dy minuta më vonë, Leeds reagoi me një ndryshim derisa në lojë u fut Pascal Strujik në vend të Joe Gelhardt.

Leeds, në disavantazh numerik, u desh të luftonte shumë defanzivisht e kjo nënkuptonte çdo herë në ndërhyrje të rregullta, teksa me të verdhë u ndëshkua Mateusz Klich në minutën e 35-të.

E i njëjti, sigurisht edhe për të mos rrezikuar ndonjë të kuq, u zëvendësua në minutën e 48 të të ndeshjes nga Leëis Bate.

Radha për të verdhë në minutën e 64-t ishte për Arsenalin, me Takehiro Tomiyasun që e pësoi.

Shpresat e Leedsit për rezultat pozitiv morën një ngritje të theksuar në minutën e 67, kur Diego Llorente qëlloi me kokë nga afërsia.

Në vazhdim, mysafirët u munduan të bënin më shumë por ishin të pafuqishëm të parandalonin humbjen.

Pas kësaj fitore, Arsenali mbetet në garë të fuqishme për vendin e tretë me Chelsean, me këtë të fundit që zë atë pozitë me një pikë më shumë se "Topçinjtë" që kanë 66.

Në anën tjetër, Leeds pozicionohet në vendin e 18, pozitë që rrezikon ekzsitencën e skuadrës në Premier Ligë.

 

Tjera nga autori:
1