Arsim Thaqi flet për Nacionalen: Duam të prekim Evropën në edicionin tjetër - NACIONALE

Arsim Thaqi flet për Nacionalen: Duam të prekim Evropën në edicionin tjetër

1 vit më parë

nga NACIONALE

Synimet e FC Malishevës në krye me trajnerin Arsim Thaqi për edicionin tjetër janë të mëdha, pasi kanë për objektiv të sigurojnë ‘biletën’ për në Evropë.

Edicionin e kaluar, Thaqi i ndihmoi Malishevës që për herë të parë të kualifikohet në Superligë, derisa siguruan mbijetesën në ndeshjen e barazhit duke triumfuar ndaj Vushtrrisë.

Falë kësaj pune të madhe, Malisheva i ka besuar stolin ish trajnerit të shumë klubeve edhe për edicionin tjetër, me këtë të fundit që e konfirmoi në një intervistë për Gazetën Nacionale.

Po, kam vazhduar kontratën edhe për një vit me Malishevën”, tha fillimisht ai.

I pyetur për objektivat në sezonin tjetër, tekniku malishevas shpjegoi që tani duan të luajnë në Evropë, që është synimi i klubit për sezonin 2022/23.

Sigurisht objektivat për edicionin tjetër janë më madhore pasi që tani kemi edhe eksperiencën që na duhet pasi siguruam ekzistencën. Të shohim se si do të jetë situata, por ne duam që të prekim Evropën”, vazhdoi Thaqi.

Ai gjithashtu konfirmoi se Malisheva do të ketë ndryshime në skuadër, pasi që tani kanë nisur bisedimet për përforcimin e skuadrës.

Unë jam i kënaqur me ekipin, por janë duke u bërë lëvizje edhe në këtë aspekt. Në rast që do arrinim t’i kompletonim të gjitha prurjet që duam, atëherë do ishte shumë më mirë”.

Thaqi theksoi se prioritet është përforcimi i skuadrës me lojtarë vendorë sepse e njohin kampionatin, mirëpo nuk hodhi poshtë mundësinë që të transferojnë lojtarë nga jashtë vendit.

Prioriteti kuptohet janë lojtarët vendorë pasi që e njohin shumë mirë kampionatin, mirëpo nëse nuk arrijmë t’i marrim ata, atëherë do mundohemi të transferojmë edhe lojtarë nga jashtë vendit”, nënvizoi ai.

Malisheva në fillimin e edicionit të kaluar ishte befasi për të gjithë, ku qëndroi në krye dhe arriti të mposht edhe disa nga skuadrat që luftuan për titull deri në fund.

Por, pastaj nisi një rënie e madhe dhe nga gjysma e edicionit ‘luftuan’ që të mos bien nga liga, gjë të cilën e siguruan në barazh ndaj Vushtrrisë.

Në “Zahir Pajaziti”, Malisheva zhvilloi lojë shumë të bukur dhe dominuese ndaj Vushtrrisë të cilën e fitoi me rezultat 3:1 dhe me plotë meritë dëshmoi pse e meriton qëndrimin në elitën e futbollit kosovar.

Lajme të ngjashme