<b></b> Astrit Selmani paralajmëron largimin nga Hammarby, flet edhe për penalltinë e humbur në Kupën e Suedisë

Astrit Selmani paralajmëron largimin nga Hammarby, flet edhe për penalltinë e humbur në Kupën e Suedisë

12.06.2022 18:32

Ylli i Hammarbyt, Astrit Selmani ka konfirmuar mundësinë që në verë të bëhet me një skuadër të re.

Selmani ka shkëlqyer kohën e fundit te skuadra suedeze, por që nga janari nuk e ka gjetur formën e duhur, derisa edhe gaboi në finalen e Kupës duke humbur penalltinë vendimtare.

Në një intervistë të gjatë për “FutbollDirekt”, kosovari që nuk u ftua nga Alain Giresse për ndeshjet e qershorit ka konfirmuar që kërkohet nga klubet e tjera, por që asgjë nuk është konkrete.

“Po, ka interesim mirëpo e lejoj agjentin dhe klubin që të përkujdesen për këtë çështje. Unë jam 100 për qind i fokusuar te Hammarby dhe nuk mendoj për asgjë tjetër”.

Që nga janari, Selmani nuk është se ka gjetur formën më të mirë, duke qenë disa herë edhe rezervë e trajnerit Marti Ciftuentes. Qendërsulmuesi e vlerësoi si periudhë të vështirë, por beson që do të këndellet.

“Ka qenë vështirë, por është diçka që nuk mund të bësh asgjë tjetër vetëm se të stërvitesh më fortë dhe të tregosh vetën në stërvitje. E di që posedoj kualitet dhe kam vetëbesim të madh”.

Selmani gjithashtu komentoi edhe penalltinë e humbur në finale, duke deklaruar se të gjithë dëshironin që ta fitonin kupën.

“Sigurisht që ishte e vështirë menjëherë pas sinjalit përfundimtar dhe disa ditë pas kësaj. Të gjithë donim të fitonim dhe të merrnim titullin. Ishte e vështirë me një humbje kundër IFK Varnamo menjëherë pas, kështu që ishte një mundësi e mirë për pushime në mënyrë që të mund të rimbusheshim dhe të pushonim”.

Në fund, Selmani shtoi se tani është koha që t’i jep fund këtij rekordi negativ.

“Ndjenja në ekip është e mirë. Të gjithë u takuam sot dhe ishte kënaqësi të shihja përsëri djemtë. Ne jemi një grup i mirë që shkojmë mirë së bashku, kështu që ata ishin argëtues. Ne do të vazhdojmë të punojmë siç bëmë në fillim të sezonit kur shkoi shumë mirë”, deklaroi ai.

Ndërkohë, mosftesa e Selmanit për ndeshjet e qershorit ishte dëshirë e përzgjedhësit francez Alain Giresse, me arsyet që nuk ka gjetur formën që pritej.

Por, kohëve të fundit kemi parë që ylli i Hammarbyt i nevojitet sa më shumë Kosovës, pasi Vedat Muriqi është duke luajtur i lënduar, ngase nuk ka asnjë zëvendësues në atë pozitë.

Kombëtarja e Kosovës sonte zhvillon ndeshjen e katërt, njëkohësisht të fundit për këtë grumbullim kundër Greqisë.

Tjera nga autori:
1