<b></b> Astrit Selmani rigjen golin, por jo edhe ftesën e Kosovës

Astrit Selmani rigjen golin, por jo edhe ftesën e Kosovës

25.05.2022 18:46

Sulmuesi mitrovicas ishte më i spikaturi nga lojtarët dardanë që luajtën ndeshjet e fundjavës. Ai më në fund u zhbllokua duke e gjetur golin e parë në kampionat, i cili i ishte krijuar si makth, pas shumë shtyllave të goditura dhe disa rasteve të shpërdorura. Hiç ndeshjen përballë AIK, Selmani ka luajtur vazhdimisht titullar me Hammarby. Megjithatë, stafi teknik i Kosovës preferoi nonshalancën për ta lënë atë jashtë listës për ndeshjet e qershorit, duke ftuar me shumë gjasë Kolollin me minutazh, formë dhe statistika dukshëm më të dobëta sesa Selmani. 

Selmani është jo vetëm temë e javës, por edhe e ditës në Suedi. Karakteri i tij i veçantë dhe paraqitjet pozitive që ka treguar në dy vitet e fundit, e kanë bërë atë të jetë njëri nga protagonistët më të respektuar të kampionatit suedez. Ndonëse duhet të bëhemi të sinqertë që kampionati suedez falë disa dështimeve të njëpasnjëshme të klubeve të tyre në arenë evropiane, ka pësuar rënie të lirë në renditjen e UEFA-s, ku sot zë vendin e 23-të. Një katandisje të ngjajshme sikur ajo e kampionatit të Turqisë, i cili gjendet aty në vendin e 20-të. Gjithsesi, pavarësisht këtyre fakteve, për kombëtaren suedeze kampionati vendor përkatës ka qenë gjithmonë i rëndësishëm, sepse nga ai kanë rekrutuar vazhdimisht lojtarë të ndryshëm të cilët i kanë ftuar në kombëtaren e tyre.

Kosova nuk mendoi ashtu. Në momentin që u zhbllokua edhe me gol, Selmani pa vuajtur kurrfarë lëndimi dhe pa iu dhënë asnjë arsyetim, u la jashtë listës. Për më tepër, nuk ishte as lojtari më jashtë formës në këtë listë. Nëse flasim për formë, çfarë do të mund të thoshim për Florian Loshajn, Valon Berishën dhe vetë Benjamin Kolollin?
Standarde të dyfishta nga stafi teknik i Kosovës dhe kjo nuk është hera e parë.

Paraqitja e mirë e Selmanit ndaj Norrkopinng

Astrit Selmani e nisi ndeshjen si sulmues anësor i majtë në formacionin 4-3-3. Kështu luajti në 24 minutat e parë, pasi Swedberg u la në qendër të sulmit. Selmani nuk është se shkëlqeu me ndonjë driblim ose duke krijuar superioritet numerik, për të cilat nuk është as i prirë. Mirëpo, ishte aktiv në lojë, duke dhënë kontributin e tij që skuadra të shtynte sa më shumë në sulm.

Në minutën e 24-të bëri rotacion të pozicionit me Swedberg, duke kaluar në pozitën e qendërsulmuesit, nga ku nuk lëvizi deri në përfundim të lojës.

Në vazhdim supremacia e Hammarby në fushë u vu re dhe meritor në këtë gjë ishte edhe sulmuesi dardan. Me lëvizjet e tij të shpeshta dhe vrapimin e pandalur pa top, krijonte korridore të lira, të cilat dolën vendimtare kur vendasit kaluan në epërsi në minutën 32-të me Bojanic. 

Gjithmonë e më shumë pjesë e lojës, duke u treguar në element, Selmani e arsyetoi rifitimin e pozitës së titullarit, pasi ishte lënë në stol një javë më herët për të parë gjatë këtij kampionati. 

Ai vazhdoi të ushtronte presion mbi mbrojtësi kundërshtarë, për t'i nxitur bashkëlojtarët e tij që ta rekuperonin sa më shpejt topin, ashtu edhe siç ndodhte. Kësisoj, Hammarby dyfishoi epërsinë prapë me Bojanic në minutën e 61-të. 

Drejtësia e vonuar u vendos në minutën e 71-të, kur Selmani ma ta pranuar topin nga mesfushori Collander, hyri sigurt në brendi të zonës, ku goditi furishëm topin me të djathtën dhe shënoi një gol të mrekullueshëm për ta lënë portierin e Norrkoping të shtangur, me ç'rast edhe ishte goli i parë në kampionat dhe të tretin në ndeshje për skuadrën e tij. Një zhbllokim të cilit iu gëzua edhe trajneri i tij, Cifuentes, me të cilin mediat suedeze raportojnë që nuk i ka raportet më të mira të mundshme, pasi shpeshherë nuk ndajnë mendime të njëjta dhe në filozofinë e lojës që aplikon trajneri spanjoll sulmuesi 25-vjeç kosovar nuk po e gjen veten siç është më së miri.

Sidoqoftë, në këtë ndeshje Selmani u përplasë me mbrojtësit kundërshtarë në 22 duele fizike, duke goditur dy herë brenda kornizës së portës dhe duke qenë urë lidhëse e sulmeve të skuadrës së tij vazhdimisht.

Falë angazhimit të tij dhe të bashkëlojtarëve, Hammarby sot zë vendin e parë në kampionatin suedez me 20 pikë, ku nesër do ta luajë edhe finalen e play off-it të kupës suedeze përballë Malmos ku aktivizohet edhe Patriot Sejdiu, përfaqësuesi kosovar i shpresave.

 

Tjera nga autori:
1