Më në fund pas disa ndeshjeve pa gol dhe me paraqitje të zbehët, ylli i Kosovës Astrit Selmani ka thyer akullin duke shënuar dy herë në fitoren ndaj Oster, që ishte ndeshje miqësore.
Hammarby triumfoi me rezultat të ngushtë 1:2 ndaj Oster, ku ylli i ndeshjes ishte padyshim Selmani.
25-vjeçari që nuk u ftua nga Alain Giresse për ndeshjet e qershorit për arsye teknike, realizoi dy gola brenda shtatë minutave.
Fillimisht, Selmani ishte i saktë nga pika e bardhë pas 18 minutave lojë duke i dhënë epërsinë mysafirëve.
Astrit Selmani gör 1-0 från straffpunkten! pic.twitter.com/j8OiFgstMC
— discovery+ sport 🇸🇪 (@dplus_sportSE) June 19, 2022
Ndërsa, shtatë minuta më vonë, pranoi topin në mënyrë të mrekullueshme dhe pastaj me një ekzekutim maestral e dërgoi në rrjetë (25').
Hammarby gör 2-0! Astrit Selmani ökar på med sitt andra mål för dagen mot Öster pic.twitter.com/e2szNRtLaM
— discovery+ sport 🇸🇪 (@dplus_sportSE) June 19, 2022
Këto dy gola ishin të mjaftueshëm që Hammarby të fitojë ndeshjen, pavarësisht që Bergmark-Wiberg shënoi golin e nderit (37').
E ardhmja e Astrit Selmanit mund të jetë larg Hammarbyt, Lecce dhe Clermont në garë
Ashtu siç raportuam dje, lajmet që Astrit Selmani mund të transferohet në Itali, janë konfirmuar gjatë ditës së sotme edhe nga mediat italiane, ndër to ishte edhe gazeta më e madhe “Gazzetta dello Sport”, e cila pohoi se Lecce e do qendërsulmuesin.
Kosovari nuk është duke u përshtatur në mënyrën më të mirë të mundshme nën stilin e lojës së teknikut spanjoll Martí Cifuentes Corvillo dhe gjasat për largim janë të mëdha, pavarësisht që kontrata nuk i skadon deri në vitin 2024.
Lecce dhe klubi i Ligue 1, Clermont ku gjendet edhe Elbasan Rashani kanë shprehur interesim për Selmanin dhe Hammarby është i hapur ta lejojë të largohet nëse paguhet kartoni i tij, që vlerësohet të jetë rreth 1.5 milionë euro.
Mungesa e Selmanit u vërejt në disa ndeshje të Kosovës
Kombëtarja e Kosovës zhvilloi katër takime brenda 12 ditëve, por pavarësisht orarit të ngjeshur, Alain Giresse kishte vendosur që të ftonte vetëm një qendërsulmues – Vedat Muriqin.
Ky veprim padyshim që ishte befasues ngase sipas teknikut francez mosftesa e Selmanit ishte shkaku i formës jo të mirë që po kalonte te Hammarby.
Vedat Muriqi edhe pse ishte kontribuues ndaj Qipros dhe Irlandës Veriore, në dy ndeshjet ndaj Greqisë nuk arriti të tregojë asgjë, në fakt më saktësisht mund të thuhet se shumica e skuadrës nuk treguan nivelin që u prit.
Kosova arriti dy fitore dhe pësoi dy humbje në grupin e dytë, liga C të Ligës së Kombeve, andaj promovimi në Ligën B edhe matematikisht më nuk është i mundur.