Çfarë duhet të presim nga skuadrat kosovare në Evropë dhe cila prej tyre mund të arrijë më larg? - NACIONALE

Çfarë duhet të presim nga skuadrat kosovare në Evropë dhe cila prej tyre mund të arrijë më larg?

1 vit më parë

nga NACIONALE

Të gjitha skuadrat me pak punë mund ta kryejnë raundin e parë kualifikues, derisa Ballkani mund të arrijë më se largu, kështu thonë analistët e njohur si Afrim Tovërlani, Gani Sejdiu dhe Bylbyl Sokoli për Gazetën Nacionale.

Në muajin e ardhshëm, klubet si Ballkani, Drita, Gjilani dhe Llapi do të garojnë në kuadër të kualifikimeve për garat evropiane me shpresën për një pozitë në fazën grupore, që nuk e ka arritur askush më parë në histori të futbollit të Kosovës.

Lidhur me pritshmeritë se sa larg mund të arrijnë klubet e lartpërmendura, nga një koment për Gazetën Nacionale kanë dhënë analistët e njohur kosovar si Afrim Tovërlani, Gani Sejdiu dhe Bylbyl Sokoli.

“Toki” fillimisht për Nacionalen tha se nga të gjitha klubet pret që të kalojnë raundin e parë kualifikues, mirëpo kjo varet edhe nga përshtatja e përforcimeve.

"Nuk mund të them se nga cila pres me tepër, sepse po shpresoj që të gjitha do ta kalojnë turrin e parë, besoj që të gjitha kanë bërë transferime të qëlluara dhe janë duke u përgatitur mirë. Se çfarë na bjen e ardhmja, nuk mundemi me ditë ende dhe nuk e di sa do të adaptohen përforcimet skuadra që është shumë më rëndësi".

Që prej kohës kur dha dorëheqje nga stoli i Feronikelit, Tovërlani nuk ka marrë asnjë skuadër dhe ka bërë të ditur se vazhdon të mos jetë në negociata me asnjë klub.

"Jo nuk jam në negociata me asnjë klub", nënvizoi trajneri më i trofeshëm në futbollin kosovar”.

Ndërsa, ish trajneri i shumë klubeve elitare, së fundmi i Drenicës, Gani Sejdiu gjithashtu është optimist se të gjitha skuadrat do të kalojnë fazën e parë, mirëpo përvojën evropiane e sheh si problem kyç pasi vetëm Drita ka zhvilluar më shumë ndeshje në Evropë në krahasim me klubet e tjera.

"Realisht në bazë të asaj që kemi analizuar, kemi ardh në një përfundim se të gjitha skuadrat tona mund ta kalojnë raundin e parë që do të jetë një arritje e mirë. Duke u bazuar në cilësi dhe që Superliga jonë qëndron mbi to, pavarësisht që disa klube nga shtetet që janë më të zhvilluara, kanë një strukturë më të mirë, por nga cilësia mendoj që ekipet tona janë më të mirë. Problemi tek ne është përvoja që nuk e kemi krijuar, përveç Dritës dhe pak a shumë kur ka qenë Prishtina në disa vite më radhë. Drita e ka një përvojë më të madhe dhe këto mund t'i penalizojë përvoja, por të gjithë faktorët tjerë janë në anën tonë. Unë vërtet pres që ta kalojnë këtë raundin e parë, pavarësisht që do të jetë e vështirë".

Tutje, Sejdiu theksoi se Ballkani është klubi që i jep më shumë siguri shkaku i strukturës që kanë krijuar, andaj e vlerëson si klubi më stabil për momentin.

"Gjilani veç ka arrit ta plotësojë ekipin me disa lojtarë, mund ta penalizojë që këta lojtarët që kanë ardhur sa kanë kohë me u adaptu për lojën e parë, kjo mundet me qenë pak më problem, përndryshe kanë bërë boll. Drita vërtet ka bërë ekip shumë të fortë. Ajo që më bën përshtypje dhe më jep siguri është Ballkani, duke llogaritur që ka ruajtur strukturën. Ka marrë disa lojtarë shumë kualitativ dhe është më e plota dhe më bindësja për momentin. Mendoj që të gjitha kanë rastet e veta, por Ballkani është më stabili për momentin".

Njësoi si “Toki”, ashtu edhe tekniku mitrovicas që një kohë nuk është në kreun e ndonjë skuadre. Ai konfirmoi se është i hapur për të negociuar, mirëpo për momentin s’ka asgjë konkrete.

"Të them të drejtën për momentin jo, nuk ka asgjë konkrete. Jam në pritje, por nuk ka asgjë konkrete. Për mua nuk është kompleks a është ekip i Superligës apo Ligës së Parë, vetëm që të jetë klube që kanë ambicie dhe objektiv pak më madhor. Me gjithë dëshirë, i gatshëm jam, plot energji, mirëpo s'ka najsen", u shpreh ai për Nacionalen.

Kurse, analisti Bylbyl Sokoli mendon se të gjitha skuadrat do të arrijnë mjaftë larg, mirëpo njësoi si Sejdiu beson që “Xhebrailat” mund të japin diçka më shumë.

Skuadrat kosovare do të prezantohen denjësisht në këtë edicion të ligave të Evropës. Duke pas parasysh se ekipet tona nuk kanë fazën parakualifikuese dhe të gjitha skuadrat mund të arrijnë mjaftë larg. Në këtë edicion Ballkani mund të arrijë më shumë”.

Për dallim nga ty trajnerët e tjerë, profesori pohoi se është në negociata me ndonjë klub, por refuzoi të jep ndonjë detaje shtesë.

Isha dhe jam në negociata, por për momentin nuk mund të them asgjë më shumë rreth kësaj pjese”.

Për fund, kujtojmë se orari i klubeve tona lidhur me dy ndeshjet për raundin e parë kualifikues është kështu:

Ballkani – Zalgiris ( ndeshja e parë më 5 korrik, kthyese më 12 korrik)

Inter Turku – Drita ( ndeshja e parë më 6 korrik, kthyese më 12 korrik)

Budocnost Podgorica – Llapi ( ndeshja e parë më 7 korrik, kthyese më 14 korrik)

Gjilani – Liepaja ( ndeshja e parë më 7 korrik, kthyese më 14 korrik).

Lajme të ngjashme