<b></b> Dëmi që tifozët e Vushtrrisë shkaktuan në Llap kap shifrën e 5 mijë e 500 eurove, Batatina: FFK do ta paguajë

Dëmi që tifozët e Vushtrrisë shkaktuan në Llap kap shifrën e 5 mijë e 500 eurove, Batatina: FFK do ta paguajë

29.05.2022 16:50

Dëmi që tifozët e klubit Vushtrria shkaktuan në stadiumin “Zahir Pajaziti”, fillimisht duke hequr rrjetën nga porta e pasta shkatërruar një pjesë të stadiumit kap vlerën e 5 mijë e 500 eurove, të cilën do ta paguajë Federata e Futbollit të Kosovës (FFK), kështu thotë trajneri i Llapit, Tahir Batatina.

Ndeshja e barazhit mes Malishevës dhe Vushtrrisë nuk shkoi ashtu siç pritej, ku fillimisht nisi për mrekulli me lojë të hapur mes dy skuadrave.

Malisheva ishte duke fituar me rezultat komod 2:0 dhe pastaj u akordua 11-metërsh në favorin e tyre, ku tifozët e Vushtrrisë reaguan ashpër, fillimisht duke hequr rrjetën nga porta, e pastaj i thyen ulëset që i hodhën brenda në fushë.

Për afro 10 minuta, ndeshja u ndërpre dhe filloi kur tifozët u larguan nga tribuna, me Malishevën që në fund triumfoi me rezultat 3:1 dhe siguroi qëndrimin në elitën e kampionatit kosovar edhe për edicionin e ardhshëm.

Në një bisedë për Gazetën Nacionale, trajneri i Llapit, Tahir Batatina e kishte marrë me qetësi incidentin e ndodhur duke thënë se FFK do ta paguajë, ndërsa i uroi suksese klubit të Vushtrrisë në sezonin tjetër.

Po ka qenë një veprim nga tifozët që vërtet e donin klubin, pati një shpërthim të emocioneve prandaj nuk duhet të jetë shumë e madhe. Unë kam mbetur i befasuar nga tifozëria e Vushtrrisë dhe nuk është ndonjë gjë e madhe. Federata e Futbollit të Kosovës ka thënë se do e rregullojë këtë situatë, prandaj unë vetëm i uroj suksese Vushtrrisë që edicionin tjetër të promovohen në Superligën e Kosovës”.

Batatina pastaj zbuloi se dëmi i shkaktuar nga tifozët e Vushtrrisë kap vlerën e 5 mijë e 500 eurove.

Dëmi shkon aty afër 5 mijë e 500 euro dhe FFK do ta paguajë, pasi nuk është ndonjë vlerë aq e lartë edhe që ndikon në buxhetin e tyre”, tha ai.

Ndërkohë, drejtori i FC Vushtrrisë, Mensur Maxhuni theksoi se ende nuk janë mbledhur me kryesinë, por pasi të ketë mbledhje do shqyrtohet edhe kjo situatë.

Momentalisht ende ne nuk kemi pasur mbledhje me kryesinë sepse kemi pasur punë këto ditët e fundit. Ka qenë një veprim që s’u deshtë me ndodh, por pasi të mbajmë mbledhjen, atëherë do ta shqyrtojmë edhe këtë problem. Mbledhja besoj që do bëhet brenda dy ditëve”, deklaroi ai.

Sa i përket Superligës së Kosovës, Feronikeli dhe Ulpiana janë skuadrat që kanë rënë në Ligën e Parë, derisa janë promovuar Ferizaj dhe Trepça ’89.

Tjera nga autori:
1