<b></b> Deputeti Haxhiu ministrit Çeku: Me udhëzimin administrativ ua hapët derën kriminelëve në federatat e sportit

Deputeti Haxhiu ministrit Çeku: Me udhëzimin administrativ ua hapët derën kriminelëve në federatat e sportit

22.06.2022 14:45

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, e ka akuzuar ministrin e Sportit Hajrullah Çeku se po ua mundëson, siç i quajti ai, kriminelëve të jenë pjesë udhëheqëse e federatave të sportit në vend gjatë një seance të Kuvendit të mërkurën.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e futi në fuqi një udhëzim administrativ më mars, sipas të cilit një federatë sportive nuk mund të licencohet nëse udhëhiqet nga persona të dënuar për veprat penale korrupsion dhe shkelje të detyrës zyrtare, sipas Kapitullit 33 të Kodit Penal të Kosovës.

Haxhiu, duke folur në kuvend, e akuzoi ministrin Çeku se me këtë udhëzim ua ka lënë të kapur derën personave të dënuar për të gjitha veprat e tjera penale përjashtuar korrupsionin dhe shkeljen e detyrës zyrtare.

“Ju i keni amnistuar të gjithë kriminelët e dënuar nga kapitujt tjerë të kodit penal, përfshirë të gjithë ata të cilët kanë kryer vepra terroriste, kontrabandë me njerëz, trafikim me narkotikë, vrasje të rëndë, kanosje, rrëmbim, torturë, të gjithë ata që kanë kryer dhunë në familje dhe janë dënuar. Ata të cilët janë dënuar për vjedhje të rëndë apo grabitje të bankave nesër mund t’i kemi kryetarë të federatave sportive sepse ju i keni legjitimuar me udhëzim administrativ”, tha Haxhiu.

Federata më e madhe sportive në vend, ajo e futbollit, ka në organin e vet qeverisës udhëheqës të dënuar për vepër penale, anëtarin e Komitetit Ekzekutiv, Sylejman Selimi. Në vitin 2015, Selimi u shpallë fajtor dhe u dënua me shtatë vjet burim për veprën penale “keqtrajtim të ndaluarve në fshatin Likoc gjatë luftës”. Ai u lirua me kusht nga burgu në fillim të vitit 2019 për “sjellje korrekte”.

Për më tepër, kryetari i FFK-së Agim Ademi është në rigjykim nën akuzat për kërcënim dhe sulm ndaj një personi, një vepër që nuk përfshihet po ashtu në udhëzimin administrativ të Ministrisë së Sportit.

Haxhiu e pyeti ministrin e Sportit pse në udhëzimin administrativ nuk u përfshinë dhe veprat e tjera penale, si ajo e Selimit.  

“Pra të gjitha ata të cilët janë të dënuar për vepra të tjera penale, mund t’i udhëheqin federatat sportive. I nderuar ministër, a e dini që e keni hapur rrugën për lloj-lloj kriminelësh të jenë pjesë e federatave sportive dhe me këtë keni dëmtuar rëndë imazhin e federatave sportive, pra duke iu hapur rrugë kriminelëve dhe duke i larguar njerëzit e ndershëm dhe biznesmenët e interesuar për të investuar”.

Tjera nga autori:
1