Donjeta Sadiku fiton medalje botërore - ia rikthen shkëlqimin boksit kosovar - NACIONALE

Donjeta Sadiku fiton medalje botërore - ia rikthen shkëlqimin boksit kosovar

1 vit më parë

nga NACIONALE

Boksierja kosovare, Donjeta Sadiku, ka arritur që t'ia sigurojë Kosovës një medalje në kampionatin Botëror të boksit, i cili po mbahet në Turqi. Ajo mposhti në mesditën e vonë kundërshtaren Tajpei Wu-Shih-yi në çerekfinale me rezultat të pastër 5:0. Si rrjedhojë, 23-vjeçarja që tani e ka të garantuar medaljen e bronztë.

Kategoria në të cilën u boksua ishte ajo prej 60 kilogramëve. Një medalje e peshës dhe rëndësisë së tillë i mungonte këtij sporti në rrafshin e boksierëve vendorë që prej dekadave, ku duhet të rikthehemi te viti i largët 1978.

Ajo dha shenjat që në dy meçet e para se vinte nga një formë e mirë, duke i mposhtur bindshëm kundërshtaret nga Japonia dhe Kongo. Pra, fitorja e sotme ishte e treta më radhë për të në kuadër të këtij Botërori.

Kësisoj, Donjeta Sadiku do ta vazhdojë rrugëtimin e saj në kampionatin Botëror, por ajo që dihet është se që tani Kosova e ka në kasafortë një medalje.

Boksierja kosovare në të kaluarën, kur boksonte si juniore, kishte arritur t'i fitonte 2 medalje Evropiane për juniore dhe 1 medalje Botërore.


Një sukses të tillë Donjeta Sadiku do të mundohet që ta përsërisë edhe në nivelin prej profesionistes seniore.

Menjëherë pas suksesit të saj, nuk vonuan edhe urimet. Ishte Komiteti Olimpik i Kosovës ai që uroi, përgëzoi dhe falënderoi boksieren e re për medaljen e siguruar.

"Arritje madhështore. Donjeta Sadiku ka siguruar medaljen botërore në Kampionatin Botëror të Boksit, që po mbahet në Stamboll të Turqisë.

"Boksierja jonë mundi Wu Shih-yi të Taipeit, në çerekfinalen e kategorisë -60 kg.

"Sadiku do t’i sjellë medaljen e parë botërore Kosovës nga sporti i boksit për seniore. I urojmë shumë fat dhe suksese në rrugën drejt medaljes së artë.

"Krenarë me ty", shkruhet në reagimin e KOK.

Shumë shpejt do të mësohet kalendari i meçeve tjera, ku 23-vjeçarja do të boksojë në gjysmëfinale. Me medaljen e bronztë që e ka të garantuar, ajo do të synojë që të marshojë drejt të artës, për ta diktuar dominimin deri në fund në kategorinë e 60 kilogramëve.

Lajme të ngjashme