Drejtori i Mallorcas konfirmon se janë duke u munduar ta blejnë Muriqin nga Lazio - NACIONALE

Drejtori i Mallorcas konfirmon se janë duke u munduar ta blejnë Muriqin nga Lazio

1 vit më parë

nga NACIONALE

Drejtori i klubit të Mallorcas, Alfonso Diaz, është prononcuar për Radio Onda Cero në lidhje me të ardhmen e sulmuesit kosovar Vedat Muriqi.

Vedat Muriqi është gjithnjë e më shumë në udhëkryq sa i përket të ardhmes së tij. Pas një huazimi gjashtë mujor të suksesshëm që e pati te klubi ishullor spanjoll i Mallorcas, ai tashmë është kthyer të jetë efektivisht lojtar që duhet të grumbullohet me Lazion në fazën parapërgatitore verore.

Periudha si lojtar te Lazio ka lënë shije të hidhur për të gjitha palët, qoftë për klubin apo edhe vet Muriqin. Një bashkëpunim që është vështirë të zgjasë, pavarësisht faktit që Sarri e ka mbrojtur disa herë publikisht dhe sulmuesi prizrenas ka shprehur fjalë miradije për trajnerin italian në fjalë.

Mallorca po bën të gjitha përpjekjet për ta bërë të mundur që ta sigurojnë kartonin e Vedat Muriqit nga Lazio. Në lidhje me këtë çështë prononcuar vet drejtori i Mallorcas, Alfonso Diaz.

"Jemi duke punuar rreth situatës së Muriqit. Ka një dallim të madh sa i përket çështjes financiare dhe ne e dimë shumë mirë çfarë mundësish ekonomike kemi, njësoj sikur limitet përtej të cilave nuk mund të tejkalojmë", ka deklaruar ai për Radio Onda Cero.

Te Mallorca sulmuesi kosovar u duk si i ringjallur, me pesë golat dhe tre asistet që dhuroi në fazën pranverore të sezonit në kampionatin spanjoll. Edhe vetëbesimi dukej që iu kishte rikthyer.

Prandaj, në javët e fundit po flitet për një interesim të dyanshëm, si të Mallorcas, ashtu edhe të Muriqit - për të gjetur formulën e duhur në mënyrë që për lojtarin të ushtrohet e drejta e sigurimit të kartonit të tij.

Para disa ditësh qarkullonin edhe disa spekulime që e lidhnin Muriqin me një kalim te gjiganti turk Galatasaray, njëherit edhe klubi rival i përbetuar i Fenerbahçes, klub në të cilin kishte luajtur sulmuesi 28-vjeç.

Sidoqoftë, i kontaktuar nga gazeta Nacionale, drejtori sportiv shqiptar i Lazios, Igli Tare, pati mohuar kategorikisht me një "jo" të prerë zërat se kishin pranuar oferta nga Galatasaray.

Kujtojmë se Vedat Muriqi u grumbullua me Kosovën për ndeshjet e muajit qershor. Ai në një moment, gjatë një konference të organizuar për shtyp, ishte pyetur nga gazetarët sportivë kosovarë të pranishëm në lidhje me të ardhmen e tij, ku ishte shfaqur shumë konciz në përgjigjen e tij.

“Shkurt e shqip nuk po më intereson, jam i fokusuar te kombëtarja, pas kombëtares do bëjë një muaj pushim dhe pastaj do të shohim. Kam kontratë me një ekip do të shkojë në parapërgatitje me atë ekip dhe do të shohim se çfarë do të ndodh”, theksonte ai.

Me Kosovën, Muriqi shënoi dy gola në ndeshjet që i zhvilloi Kombëtarja në muajin qershor, në kuadër të fushatës kualifikuese për Ligën e Kombeve, e vlefshme për Euro 2024. Ai në dy ndeshjet e fundit luajti me probleme muskulore, por për fatin e tij të mirë ia doli që në fund të mos rrezikonte t'i përshkallëzohen dhimbjet. Sulmuesi prizrenas arriti të shënoi vetëm kundër Irlandës Veriore, ndërsa në tre përballjet tjera nuk ia doli që ta shkundte rrjetën e kundërshtarëve si Greqia dhe Qipro.


Lajme të ngjashme