<b></b> Drita, Gjilani dhe Llapi i mësojnë kundërshtarët në Europa Conference League

Drita, Gjilani dhe Llapi i mësojnë kundërshtarët në Europa Conference League

14.06.2022 13:11

Drita, Gjilani dhe Llapi i kanë mësuar kundërshtarët e tyre në rrethin e parë kualifikues në Europa Conference League, garën e kategorisë së tretë të UEFA-s.

Drita do të përballet me Inter Turku, klubin e fortë nga Finlanda. Llapi, fitues i Kupës së Kosovës sezonin e kaluar, do të përballet me klubin e Malit të Zi Budućnost Podgorica.

Ndërkohë, Gjilani, i cili përfundoi në vendin e tretë në Superligë sezonin e kaluar, do të përballet me FC Liepaja nga Letonia.

Secili ekip në këtë rreth do t’i zhvillojë nga dy ndeshje, në shtëpi dhe në udhëtim, dhe fituesi do të kalojë në rrethin e dytë kualifikues.

Ndeshjet e rrethit të parë kualifikues do të zhvillohen më 7 dhe 14 korrik. Të gjitha tri klubet kosovare, ndëshjet e para të rrethit të parë do t'i zhvillojnë në udhëtim, ndërsa ato të kthimit në si vendas në stadiumin Fadil Vokrri në Prishtinë.

Më herët, Ballkani e mësoi kundërshtarin e vet në rrethin e parë kualifikues për Ligën e Kampionëve dhe në rast eliminimi, do t'iu bashkohet tri klubeve të tjera kosovare në Europa Conference League.

Kjo është hera e parë që katër klube të Superligës së Kosovës marrin pjesë në kualifikime për garat evropiane, por asnjë klub kosovar deri tani nuk ka arritur ta sigurojë pjesëmarrjen në fazën grupore të një gare evropiane.

Ballkani, Drita, Gjilani dhe Llapi do të përpiqen ta arrijë këtë sivjet. 

 

Tjera nga autori:
1