Ekskluzive: Konfirmohet interesimi për Astrit Selmanin nga skuadrat në Serie A dhe Ligue 1 - NACIONALE

Ekskluzive: Konfirmohet interesimi për Astrit Selmanin nga skuadrat në Serie A dhe Ligue 1

1 vit më parë

nga NACIONALE

Gjithnjë e më shumë janë shtuar zërat në shtypin suedez për një largim të Astrit Selmanit nga Hammarby. Në lidhje me këto raportime, për gazetën Nacionale ekskluzivisht kanë folur burimet e afërta me lojtarin.

Kohëve të fundit gjërat nuk po ecin në drejtimin e duhur për sulmuesin mitrovicas Selmani. Qëkur trajneri spanjoll Cifuentues mori drejtimin e Hammarbyt, ai filloi të ndjente pakënaqësi. Nga njëri prej lojtarëve protagonistë në futbollin suedez, është shndërruar në njeriun për të cilin flitet shumë rreth të ardhmes së tij në mediat skandinave. Shumë mendojnë se divorci mes tij dhe klubit tashmë ndahet nga një fije peri dhe nuk mund të përafrohen palët, edhe pse ka kontratë akoma të vlefshme deri në vitin 2024.

Për gazetën Nacionale gjatë ditës së sotme janë përgjigjur burimet e afërta me Selmanin, ku ndër të tjera ka konfirmuar interesimin nga dy skuadra që do të jenë pjesë e kampionateve elitare të Italisë dhe Francës, Lecce dhe Clermont.

"Interesimi nga klubet në fjalë (Lecce dhe Clermont) është i pranishëm për Astritin, por ato nuk janë të vetmet për momentin.

"Kemi disa klube që kanë shprehur interesim, por duhet të ulemi dhe t'i diskutojmë alternativat, si dhe interesimin nga vetë Astriti", është shprehur një burim afër familjes në kushte anonimiteti.

Lecce po përgatitet që ta kompletojë skuadrën sa më herët, në mënyrë që ta kenë skuadrën e plotë në gatishmëri para fillimit të edicionit të ri në Serie A. Gjatë mesjavës drejtori sportiv i saj, Pantaleo Corvino, zyrtarizoi afrimin e sulmuesit 28-vjeç nga Zurich, Assan Cessay, por akoma janë në shqyrtim të opsioneve për ta rritur konkurrencën dhe cilësinë në repartin e sulmit. Ndërkaq, Clermont, aty ku luan edhe përfaqësuesi tjetër kosovar, Elbasan Rashani, ishte raportuar edhe ditë më parë që kishte shprehur interesim për Selmanin që ta kenë në organikën e tyre.

Kombëtarja e Kosovës e udhëhequr nga Giresse preferoi që ta linte jashtë listës Astrit Selmanin, duke shkuar me një qendërsulmues, Vedat Muriqin, në katër ndeshje. Ashtu siç kishte raportuar gazeta Nacionale në fund të muajit maj, nuk i ishte paraqitur asnjë arsye Selmanit për mosftesë. Thjesht, zgjedhje e përzgjedhësit francez Giresse. Te Kombëtarja e Kosovës përfunduan për t'u ftuar lojtarë që s'kishin fare minutazh, e lërë më ndonjë efikasitet të treguar më herët. Siç duket as paraqitja e mirë e Selmanit ndaj Burkina Fasos, në ndeshjen e parë të zhvilluar nën drejtimin e Giresse, ku ndër të tjera Selmani shënoi mjeshtërisht edhe golin e dytë në fitoren 5:0 në stadiumin Fadil Vokrri - nuk mjaftoi.

Sido që të jetë, ashtu siç ka mësuar gazeta Nacionale, ka një përpjekje nga Selmani dhe personat që e përfaqësojnë atë, që në fund sulmuesi kosovar të përfundojë në njërat prej kampionateve më konkuruese në Evropë. Jo gjithçka do të varet nga ai dhe vullneti i tij, pasi kruciale do të jetë oferta e klubeve respektive se sa do t'i kënaqë drejtuesit e Hammarbyt për ta liruar atë.

Një javë më parë vetë Astrit Selmani për mediat suedeze kishte konfirmuar se ka interesim nga klube të caktuara për të dhe tërthorazi paralajmëronte largimin.

“Po, ka interesim, mirëpo e lejoj agjentin dhe klubin që të përkujdesen për këtë çështje. Unë jam 100% i fokusuar te Hammarby dhe nuk mendoj për asgjë tjetër”, nënvizonte ai.

Krisja e raporteve të Selmanit me klubin suedez mori formë në masë të madhe kur ai u la në bankinë në ndeshjen derbi përballë AIK, e që ishte hera e parë për të në këtë fillim kampionati. Pas asaj ndeshje ai pohonte se edhe raportet personale me trajnerin Cifuentes nuk ishin më optimalet e mundshme.


"Nuk është aspak e kënaqshme. Dua të luaj, por trajneri i merr vendimet e tij. Sa i përket shpjegimeve se pse ndodhi diçka e tillë, po besoj që ato i keni marrë vetë ju (gazetarët) nga trajneri. Kemi folur gjatë javës me të.

"Nganjëherë futbolli është kështu. A është e vështirë të thuash atë që mendon? Shikoni, ai dëshiron që të thuhen gjërat ashtu siç mendon, ndërsa unë i them ashtu siç i mendoj vetë. Mund të mos jemi dakord në të gjitha gjërat. Kështu është në çdo lloj profesioni. Të shohim se si do të rrjedhin gjërat në vazhdim", shprehej troç Selmani para një muaji.


Deri më tani sulmuesi 25-vjeç kosovar në 10 ndeshjet e para të sezonit të ri në Suedi me Hammarby numëron vetëm një gol të shënuar dhe një asist. Nëse shtojmë faktin që s'ka më kimi mes palëve, atëherë largimi nga klubi duket çështje kohe.

Lajme të ngjashme