<b></b> Ende nuk ka rinovuar me Ballkanin, Gjilani dhe Drita në ‘sulm’ për Armend Thaqin

Ende nuk ka rinovuar me Ballkanin, Gjilani dhe Drita në ‘sulm’ për Armend Thaqin

19.05.2022 18:18

Mbrojtësi i krahut të djathtë, Armend Thaqi është një ndër lojtarët që mund të largohet në afatin kalimtar veror nga Ballkani.

Thaqi do jetë futbollist i lirë në verën e ardhshme pasi kontrata i skadon në qershor, mirëpo Ballkani është duke punuar që ta bind për rinovimin e kontratës.

“Xhebrailat” pas rinovimit të dy yjeve si Nazmi Gripshi dhe Meriton Korenica, tani janë fokusuar që ta bindin edhe Thaqin që të nënshkruajë kontratën e re (më gjasë të madhe trevjeçare).

Sidoqoftë, asnjë marrëveshje ende nuk është arritur dhe nga kjo pozitë janë duke u munduar të përfitojnë rivalët lokal, si Drita dhe Gjilani.

Gazeta Nacionale me burime të sigurta, merr vesh që të dy klubet e Gjilanit tashmë kanë bërë kontaktet e para, duke telefonuar lojtarin.

Por, duke marrë parasysh edhe garat ndërkombëtare, me Ballkanin që do marrë pjesë në kualifikimet për Ligën e Kampionëve, kjo situatë është mjaftë e ndërlikuar.

Thaqi normalisht preferon qëndrimin në Suharekë, pasi edhe do luante në Ligën e Kampionëve, mirëpo Ballkani duhet të punojë që ta bind për të nënshkruar kontratën e re.

Në rast që dështon ‘pista’ Thaqi, Drita ka gjetur edhe alternativën, pasi veçse kanë shprehur interesim për Besnik Krasniqin e FC Prishtinës.

Edicioni i Armend Thaqit te Ballkani - lojtari i tretë me më së shumti minuta këtë edicion

Armend Thaqi ka kaluar një tjetër sezon të mrekullueshëm në fanellën e Ballkanit, duke qenë ndër yjet që ka zhvilluar më së së shumti minuta këtë edicion, në formacionin bazë të Ilir Dajës.

Këtë edicion, Thaqi ka zhvilluar plotë 2 mijë e 522 minuta në Superligën e Kosovës, në 30 ndeshje, duke qenë në 80 për qind të rasteve në formacionin bazë.

Pavarësisht pozitës së mbrojtësit, Thaqi shpesh herë ka ndihmuar edhe në sulm, ku me harkime të gjata ka asistuar nëntë herë, derisa edhe ka realizuar katër gola.

Nëse shohim statistikat për këtë edicion, vetëm dy lojtarë kanë zhvilluar më shumë minuta se Thaqi, prandaj largimi i tij do shkaktonte probleme te “Xhebrailat”.

Rustem Hoxha me 2 mijë e 700 minuta dhe Stivi Frashëri me 2 mijë e 610 minuta, janë lojtarët e vetëm që kanë luajtur më shumë se Thaqi këtë edicion.

Tjera nga autori:
1