<b></b> FFK refuzon ankesat e Eroll Salihut dhe Valon Zymberit

FFK refuzon ankesat e Eroll Salihut dhe Valon Zymberit

13.05.2022 18:10

Komisioni për Ankesa i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), ka hedhur poshtë ankesat e bëra nga ish sekretari, Eroll Salihu dhe atë të drejtorit të FC Dritës, Valon Zymberi.

Muajin që lamë pas, Komiteti Disiplinor largoi nga puna Salihun prej pozitës së drejtorit sportiv dhe këshillit të lartë ligjor.

“KE pas shqyrtimit të shkeljeve disiplinore nga ana e Eroll Salihut, drejtor sportiv dhe Këshilltar i lartë ligjor mori vendim që t’i ndërpritet marrëdhënia e punës dhe i njëjti do të njoftohet në formë të shkuar”, ishte shkruar në atë komunikatë.

Kësisoj, Salihu dy ditë më vonë, u ankua në "Komisionin për Ankesa", por kjo ankesë është refuzuar disa orë më parë dhe kjo tashmë është bërë e ditur.

"Refuzohet si e pabazuar ankesa e Eroll Salihut e datës 05.05.2022 e parashtruar kundër Vendimit të Komisionit Disiplinor - shkallës së parë të datës 28.04.2022".

Në fakt, edhe Salihu dje për Gazetën Nacionale kishte deklaruar se nuk pret asgjë nga kjo ankesë, shkaku që kryetari Agim Ademi ka shtuar presion tek të gjithë.

"Jo, nuk jam tu prit hiq kurgjo prej Komisionit të Ankesave sepse ai e ka blloku dhe iu bën presion të gjithëve. Paramendo Artan Govori është punëtor në FFK dhe nuk merr pagë shkaku që ka biseduar me një koleg”, ishte deklarata e tij ditën e enjte.

Sidoqoftë, nuk është i vetmi Salihu, të cilit i është hedhur poshtë ankesa, ngase në të njëjtën mënyrë është refuzuar edhe ankesa e drejtorit sportiv të Dritës, Valon Zymberi, i cili muajin e kaluar, u suspendua për gjashtë muaj nga puna.

"Refuzohet si e pabazuar ankesa e Valon Zymberi e datës 05.05.2022 e pashtruar kundër Vendimit të Komisionit Disiplinor të datës 28.04.2022".

Ndërkohë, i është vërtetuar, vendimi i Komisionit Disiplinor me suspendim për gjashtë muaj dhe një gjobë prej 200 eurove.

"Vërtetohet, vendimi i komisionit disiplinor i shkallës së parë i datës 28.04.2022 me të cilin Valon Zymberit i janë shqiptuar masa disiplinore-dënimi me të holla në shumë prej 200.00 eurove, të cilën shumë obligohet ta paguaj në afat prej 8 ditësh pasi që vendimi të bëhet i formës së prerë dhe dënimi me ndalim në kryerjen e funksioneve si Drejtor sportiv të klubit të futbollit, Drita, në kohëzgjatje prej gjashtë (6) muaj, i cili është i ekzekutueshëm nga momenti i shqiptimit".

Tjera nga autori:
1