<b></b> FIFA i vendos krah për krah Granit Xhakën dhe Dusan Tadicin e Serbisë

FIFA i vendos krah për krah Granit Xhakën dhe Dusan Tadicin e Serbisë

15.06.2022 11:09

FIFA i ka vendosur Granit Xhakën dhe Dusan Tadicin krah për krah në një fotografi të ilustruar me kapitenët e të gjitha kombëtareve pjesëmarrëse në Kupën e Botës 2022, që do të mbahet në Katar në fund të këtij viti.

Në fotografinë e shtëpisë së futbollit botëror, Xhaka, kapiteni i Zvicrës, shihet duke e ledhatuar me dorë në kraharor Tadicin, kapitenin e Serbisë.  

Zvicra dhe Serbia janë pjesë e Grupit G në Kupën e Botës dhe do të përballen njëra me tjetrën për herë të parë që prej ndeshjes që shkaktoi shumë polemika në Kupën e Botës 2018 në Rusi.

Kjo do të jetë hera e dytë që Zvicra dhe Serbia do të përballen mes vete. Pjesë e Grupit G janë edhe Brazili e Kameruni.

Herën e parë dhe të vetme kur Zvicra u përballë me Serbinë, ndeshja gjalli shumë polemika, pasi dyshja shqiptare Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri festuan me simbole kombëtare shqiptare, duke nxitur tërbim në mesin e serbëve.

Xhaka dhe Shaqiri festuan duke e bërë shqiponjën dykrenore, që është simbol në flamurin kombëtar shqiptar, pasi shënuan për t’i ndihmuar Zvicrës ta mposhtë Serbinë 2:1 në një ndeshje vendimtare në fazën grupore të Botërorit Rusia 2018.

Festimi i tyre ishte cilësuar si nacionalist dhe kishte shkaktuar polemika të shumta, gjë që e bëri FIFA-n t’i dënojë me gjobë të dy futbollistët me prejardhje nga Kosova.

Më vonë, Xhaka kërkoi falje për mënyrën se si festoi atë kohë dhe u zotua se nuk do ta përsërisë kurrë një gjë të tillë.

Pas katër viteve kanë ndryshuar shumë gjëra dhe Xhaka është bërë kapiten i kombëtares së Zvicrës. Ai dhe Shaqiri pritet ta bartin barrën kryesore mbi supe për Zvicrën edhe në Botërorin që mbahet nëntor dhe dhjetor.

Tjera nga autori:
1