<b>Fansat </b> e Liverpoolit krahasojnë trajtimin 'tmerrues' në Paris me tragjedinë e Hillsborough

Fansat e Liverpoolit krahasojnë trajtimin 'tmerrues' në Paris me tragjedinë e Hillsborough

29.05.2022 16:08

Dëshmitarët thonë se u frikësuan për jetët e tyre, derisa policia franceze po gjuante gaz lotsjellës në turmë, para finales së Ligës së Kampionëve.

Familjet e prekura nga katastrofa e Hillsborough kanë krahasuar trajtimin "tmerrues" të fansave të Liverpoolit në finalen e Ligës së Kampionëve me shtypjen që përfundoi me vdekjen e 97 personave në vitin 1989.

Dëshmitarët përshkruan të kenë parë fëmijë "të tmerruar nga frika", dhe të rritur që frikësoheshin për jetët e tyre, derisa policia franceze hodhi gaz lotsjellës në turmë, jashtë 'Stade de France' të Parisit, të shtunën mbrëma.

UEFA fillimisht fajësoi "ardhjen e vonshme" të fansave të Liverpoolit për shtyerjen, para se më vonë të thoshte se mijëra persona ishin munduar të futeshin në stadium me bileta fallco.

Mirëpo, ky version i eventeve u hodh në pikëpyetje nga policia e 'Merseyside', e cila tha se "shumica e fansave u sollën në mënyrë shembullore" në "rrethana shokuese".

David Hughes, një fans i Liverpoolit i cili ishte i pranishëm në ndeshje, tha se organizimi i tmerrshëm dhe përpjekjet për t'i fajësuar fansat janë të ngjashme me katastrofën e Hillsborough, në të cilën babai i tij, Eric Hughes, vdiq në prill të vitit 1989.

"Fajësimi i fansave, kjo po që ka jehonë. Gjëja e parë që bëjnë është të fajësojnë fansat", tha ai për 'Guardian'.

"Ata seriozisht kishin nevojë të dilnin mirë. Nuk mund t'i kesh 20 mijë fansa duke ardhur nën dy kolumna nën një metro. Fatkeqësisht, kemi pasur një eksperiencë të tillë në të kaluarën dhe nuk funksionon".

Hughes erdhi në 'Stade de France' me bijën 17-vjeçare, Kallie, më shumë se tre orë para ndeshjes dhe tha se ishte e qartë se sigurimi "nuk mund ta përballonte" turmën.

Ai tha se u zu në "pritë" pas ndeshjes kur të rinjtë lokalë hodhën gaz lotsjellës dhe pështyen fansat e Liverpoolit që po largoheshin nga stadiumi.

Lou Brookes, vëllai i të cilës kishte vdekur në Hillsborough, tha se trajtimi i fansave të shtunën "riktheu gjithçka" nga katastrofa 33 vite më parë.

"Gjithçka që kishte ndodhur në Hillsborough u pasqyrua. Policia tha saktësisht të njëjtat gjëra atëherë", tha ajo.

"Miqtë e mi ishin të përfshirë të shtunën dhe njërit iu vodh telefoni, dhe një tjetër më tha se mendoi se do të vdiste. Këta janë njerëz që kanë shkuar nëpër ndeshje që 40 vite, prej kur ishin 6 apo 7-vjeçar".

Brookes tha se shqetësohej nëse kaosi para ndeshjes ishte "i para planifikuar" nga policia franceze.

Klubi i Liverpoolit ka kërkuar hetim formal në problemet "e papranueshme" që përcollën ndeshjen më të madhe në futbollin evropian për klube.

Ndeshja, të cilën Liverpooli e humbi 1-0 ndaj Real Madridit, filloi 36 minuta me vonesë, pasi mijëra fansa u mbajtën jashtë stadiumit, pavarësisht se kishin ardhur disa orë më herët.

Në pamje shihej policia franceze duke hedhur gaz lotsjellës mbi fansat para ndeshjes, derisa grupe të burrave lokalë raportohet se u munduan të futen me forcë në stadium.

Një gazetar tha se ishte "kaos në një shkallë të rrezikshme, deri në atë pikë sa ideja e humbjes së jetëve ishte reale në disa momente".

Brandon Lewis, ministri i Irlandës së Veriut, tha se fansat e Liverpoolit u duk se janë trajtuar me "çasje shumë agresive" nga policia franceze dhe kërkoi për detaje shtesë.

Ai u shpreh për 'Sky News', të dielën: "Mendoj se është shqetësuese, mendoj se duhet të sigurohemi se ata po e shikojnë si ndodhi kjo. Nuk është hera e parë që e kemi parë këtë, në fakt..."

Tjera nga autori:
1