<b></b> “Futbolli luhet për të fituar dhe Mourinho fiton”

“Futbolli luhet për të fituar dhe Mourinho fiton”

26.05.2022 10:43

Jose Mourinho ka gëzuar arritje shumë më të mëdha në karrierën e tij të shkëlqyer si trajner, por triumfi i Romës në Europa Conference League e bëri atë të qajë, pasi portugezi ia siguroi klubit italian trofeun e parë të madh evropian.

Gara e kategorisë së tretë e futbollit evropian për klube është përqeshur në disa qarqe, por për Mourinhon fitorja ndaj Feyenoordit ishte po aq e rëndësishme sa dy trofetë e tij në Ligën e Kampionëve me Porton në vitin 2004 dhe me Interin në vitin 2010.

Mourinho është bërë trajneri i parë që i fiton të gjitha tri garat e mëdha evropiane, pasi triumfoi pesë herë në pesë finale evropiane.

“Futbolli luhet për të fituar dhe Mourinho fiton”, tha ish-mesfushori i Manchester Unitedit dhe Bayern Munich, Owen Hargreaves për BT Sport.

“Ai është fitues serik dhe e ka rikthye në jetë Romën”, shtoi ai.

Ky ishte trofeu i 26-të i Mourinhos në karrierën e tij si trajner, 19 vjet pasi e udhëhoqi Porton drejt triumfit në Ligën e Kampionëve më 2004.

Ai u emërua trajner i Romës në maj të vitit të kaluar dhe për detyrë iu dha ndërtimi i klubit, pas përfundimit zhgënjyes të skuadrës në vendin e shtatë në Serie A në vitin 2020/21.

“Mourinho tha se nuk ishte pjesë e planit (fitimi i trofeut). Plani ishte ndërtimi i këtij ekipi, ishte fillimi i projektit”, tha Joe Cole, i cili ka luajtur nën urdhrat e Mourinhos në Chelsea.

Rruga e Romës drejt finales nuk ishte aq e lehtë, pasi trajneri portugez u kritikua ashpër për disfatën turpëruese 6:1 kundër Bodo/Glimt në fazën grupore në tetor.

“Një gjë madhështore për karrierën time është se, përveç Ligës së Evropës me Manchester Unitedin, ta arrij këtë me Porton, Interin dhe Romën është diçka shumë, shumë, shumë e veçantë”, tha Mourinho.

“Është ndryshe të fitosh kur të gjithë presin të fitosh, kur bën investime të mëdha, por është shumë më ndryshe të fitosh kur diçka duket e pamundur, është një ndjesi vërtet e veçantë”, shtoi ai.

“Kjo do të mbetet në historinë e Romës, por edhe timen. Më treguan se vetëm unë, Sir Alex Ferguson dhe Giovanni Trapattoni kanë fituar trofe në tri dekada të ndryshme. Më bën të ndihem i vjetër, por është mirë për karrierën time”.

Tjera nga autori:
1