<b></b> Gary Neville e quan të pacipë Granit Xhakën, pasi mesfushori shqiptar i kritikoi bashkëlojtarët

Gary Neville e quan të pacipë Granit Xhakën, pasi mesfushori shqiptar i kritikoi bashkëlojtarët

17.05.2022 15:02

Gary Neville e ka quajtur të pacipë Granit Xhakën, pasi mesfushori shqiptar i Arsenalit i kritikoi ashpër bashkëlojtarët e vet pas disfatës shkatërruese kundër Newcastle Unitedit të hënën.

Xhaka e shfryu mllefin ndaj bashkëlojtarëve të vet pas humbjes në St James’ Park, duke thënë se ata nuk kishin guxim për të luajtur.

Humbja e djeshme nënkupton se shpresat e Arsenalit për të marrë pjesë në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm janë shuar pothuajse tërësisht. 

Arsenali duhet ta mposhtë patjetër Evertonin të dielën dhe të shpresojë se Tottenhami do të humbë kundër Norwich Cityt të rënë nga Premierliga tashmë, për ta mbyllur sezonin në top katërshe.

Në një intervistë të jashtëzakonshme, Xhaka tha: “Nga minuta e parë deri në minutën e 90-të ne nuk e merituam të ishim në fushë sot. Ajo që ndodhi ishte një paraqitje katastrofë. Nëse dikush nuk është i gatshëm për këtë ndeshje, lë të rrijë në shtëpi. Nuk ka rëndësi mosha. Nëse nuk je i gatshëm apo nervoz, rri në plazh, rri në shtëpi, mos eja këtu. Ne kemi nevojë për njerëz që kanë ko** për të ardhur për të luajtur këtu.”

Por Neville – ish-ylli i Manchester Unitedit dhe Anglisë, tani ekspert i futbollit në Sky Sports – mbeti i habitur nga intervista shpërthyese e mesfushorit shqiptar të Kombëtares së Zvicrës.

“Nuk e di çfarë të them për këtë. Mendoj se e dëgjova duke thënë ‘qëndro në shtëpi nëse nuk ke k***’. Pra, natyrisht ai është duke i kritikuar njerëzit në zhveshtoren e vet”, tha Neville.

Ai shtoi: “Nuk e di se kë po e kritikon ai, shpresoj se nuk po i kritikonte lojtarët e rinj. E dini çfarë, ai ka qenë i pacipë në katër apo pesë vitet e fundit, duke marrë kartonë të kuq nga pakujdesia. Me këtë ai nuk tha asgjë”.

Mesfushori 29-vjeçar, me prejardhje nga Podujeva, i ka bërë 26 paraqitje për Arsenalin këtë sezon, duke kontribuuar me një gol dhe dy asiste.

Ai ishte afër të largohej nga Emirates në verë, pas këmbënguljes së Jose Mourinhos për ta pasur te Roma, por ai u bind nga trajneri i vet Mikel Arteta për të qëndruar.

Marrëveshja e tij e tanishme me Arsenalin mbaron në verën e vitit 2024.

Tjera nga autori:
1