<b></b> Giresse: Me Greqinë do të luajmë me stilin dominues njësoj sikur me Qipron

Giresse: Me Greqinë do të luajmë me stilin dominues njësoj sikur me Qipron

04.06.2022 17:21

Përzgjedhësi Alain Giresse është deklaruar një ditë para ndeshjes së rëndësishme që Kosova do ta luajë përballë Greqisë në Ligën e Kombeve.

Në fillim të konferencës ai foli rreth formacionit bazë që ka ndërmend ta fusë në fushë nesër.

"Po, padyshim që është zgjedhje e komplikuar, duke parë grupin e lojtarëve që kemi dhe, sidomos duke ditur që në disa reparte kemi disa lojtarë që mund t’i përzgjedhim. Në këtë rast me krahët e sulmit është paksa më problematike, pasi kemi shumë lojtarë.

"Padyshim sot nuk do të zbulojë formacionin për nesër. E rëndësishme të vazhdojmë me këtë ritëm të fitoreve, e tani, sipas nevojës të bëjmë ndryshime.

"Nëse marrim parasysh grupin që kemi, tani kemi pak probleme me mbrojtjen, në krahasim me sulmin që kemi më shumë lojtarë. Do ta shohim nesër se kush do të luajë në sulm", shtoi ai. 

Përzgjedhësi Giresse refuzoi të bëjë krahasime me ndeshjet e kaluara me Challandes, duke potencuar faktin që vëmendja është vetëm te gjendja e tanishme.

"Nuk do t'ju referohem ndeshjeve të kaluara. Ato që kanë përfunduar nuk kthehen pas. Veçse e kemi filluar këtë kampanjë me një rezultat të rëndësishëm ndaj Qipros dhe e kemi studiuar Greqinë se si kanë luajtur ata ndaj Irlandës së Veriut. Ne do të përpiqemi të paraqitemi me stilin dominues edhe ndaj grekëve. 

"Pa dashur të futem në detaje se si do të luajmë nesër dhe se si do të paraqitemi, me çfarë formacioni", nënvizoi Giresse.

Sa i përket numrit të katër lojtarëve që rrezikojnë pezullimin me kartonë të verdhë, Giresse u tregua shumë i qartë.

"Nuk mundemi ta shpërbëjmë strukturën e ekipit veç pse kemi lojtarë që kanë marrë kartonë të verdhë. Varësisht prej rrethanave të lojës do të mundohemi që lojtarët në fjalë të shmangin një karton tjetër", theksoi ai.

Në vijim të konferencës për shtyp nuk mund të mungonte edhe pyetja rreth gjendjes në pozitën e krahëve të mbrojtjes.

"E kemi numrin e kufizuar të lojtarëve që luajnë në krahët e mbrojtjes. Veçmas pas mungesave të Hadërgjonajt dhe Vojvodës, ndodhemi në këtë situatë. Mirëpo, ne do të mundohemi t'i bëjmë zgjedhjet më të mira me opsionet që kemi", u shpreh Giresse.

Në përfundim të konferencës për shtyp ai e bëri të qartë se qasja e lojës nuk guxon të përsëritet e njëjta sikur në pjesën e parë me Qipron.

"Nëse shikojmë lojën kundër Qipros, atëherë vëmë re faktin që duhet të luajmë më mirë, veçanërisht në pjesën e parë. Në pjesën teknike dhe sa i përket organizimit të lojës dhe përfundimit të aksioneve tona. Gjë e cila ka funksionuar në pjesë të dytë ku kemi shënuar dy gola. Pjesa e dytë kundër Qipros korrespondon me atë që presim dhe zotërojmë si kualitet", u shpreh Alain Giresse.

Kosova e ka filluar mirë fushatën kualifikuese në Ligën e Kombeve, respektivisht në Ligën C, në grupin 2. Dardanët kanë mposhtur Qipron në udhëtim me rezultat 0:2, me golat e shënuar nga Valon Berisha dhe Edon Zhegrova. 

Tashmë Kosova dhe Greqia ndajnë pikët primarin në grup me 3 pikë të arkëtuara. Nesër do të përballen ndaj njëra-tjetrës në Prishtinë, kurse pas një jave grekët do të jenë nikoqirë, ku në Athinë do të luhet ndeshja e katërt e fazës së grupeve. 

Interesimi për t'u pajisur me bileta për ndeshjen e nesërme me Greqinë, e cila luhet me fillim në ora 20:45 në stadiumin "Fadil Vokrri" ka qenë vërtet i lartë. Të gjitha biletat janë avulluar tashmë. Nesër Kosova ka paralajmëruar që hyn për fitore. Në vitet e fundit plot katër herë janë përballur dhe kjo është fushata kualifikuese e tretë radhazi të Ligës së Kombeve që do të ndeshen përballë njëra-tjetrës. 

Greqia për momentin gëzon një bilanc paksa më të mirë, me një fitore, kurse ndeshjet tjera kanë përfunduar baras. 

Tjera nga autori:
1