<b></b> Giresse e publikon listën e Kosovës për ndeshjet e qershorit, me prurje të reja

Giresse e publikon listën e Kosovës për ndeshjet e qershorit, me prurje të reja

23.05.2022 15:30

Trajneri Alain Giresse e ka publikuar listën me 24 futbollistë të ftuar për ndeshjet e Kosovës në Ligën e Kombeve gjatë muajit të ardhshëm.

Trajneri francez i ka ftuar Edvin Kurtulusin e Hammaarbay dhe Donat Rrudhanin e Aarau për herë të parë.

Lista në përgjithësi nuk ka pësuar shumë të mëdha dhe Kosova nuk do të përballet me ndonjë mungesë të madhe për ndeshjet e para zyrtare të Giresses në stolin dardan.

Benjamin Kololli është kthyer në grumbullim për herë të parë këtë vit, megjithëse nuk ka qenë shumë aktiv me skuadrën e tij Shimizu S-Pulse në J1 League në Japoni dhe vjen pas riaftësimit nga lëndimi.

Rikthimi i Arbër Zenelit po ashtu është një plus i madh për Kosovën, pasi sulmuesi i Stade de Reims është riaftësuar plotësisht nga lëndimi i gjurit që e kishte lënë jashtë Kombëtares në dy vitet e fundit dhe ai duket ta ketë gjetur formën tamam kur vendi i tij mund të ketë nevojë për të.

Leart Paqarada nuk është ftuar ashtu siç pritej, ndërsa jashtë listës kanë mbetur sulmuesi i Hammaarby Astrit Selmani., Florent Hadergjonaj i Kasimpasas dhe Elbasan Rashani i Clermont. 

Kosova do t’i zhvillojë katër ndeshje në një periudhë dhjetëditore në qershor, me 69-vjeçarin Giresse që do të debutojë në stolin dardan në ndeshje zyrtare.

Giresse debutoi për Kosovën në ndeshje jo garuese në mars, duke lënë mbresa pasi Kosova e mundi 5:1 Burkina Fason dhe barazoi 1:1 me Zvicrën.

Por detyra e tij e vështirë do të nisë vetëm tani në qershor, kur Kosova e viziton Qipron më 2 qershor, para e ta presë në Prishtinë Greqinë  më 5 qershor dhe Irlandën e Veriut katër ditë më vonë, në tri ndeshjet e para në Grupin 2 të Ligës C në Ligën e Kombeve.

Më 12 qershor, verdhekaltrit do ta vizitojnë Athinën për t’u përballur me Greqinë në ndeshjen e kthimit.

Giresse do ta grumbullojë ekipin kombëtar dardan më 27 maj dhe do t’i ketë më pak se një javë për t’i stërvitur para ndeshjes së parë në grup.

Tjera nga autori:
1