Giresse po mendon ta bëjë një tjetër eksperiment në mbrojtje - NACIONALE

Giresse po mendon ta bëjë një tjetër eksperiment në mbrojtje

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kosovën e pret një ndeshje jetike sonte kundër Greqisë në udhëtim, por problemet me mungesat e mëdha në mbrojtje e cungojnë së tepërmi.

Burimet afër Kombëtares së Kosovës kanë treguar se Giresse është duke u menduar të bëjë një eksperiment tjetër në mbrojtje, pasi Lirim Kastrati do të mungojë për arsye të pezullimit me kartonë. Kësisoj, të njëjtat burime i kanë thënë gazetës Nacionale se Giresse po e shqyrton mundësinë të luajë me Toni Domgjonin si mbrojtës i krahut të djathtë. Një vendim i tillë mund të vijë, ani se pozita natyrale e Domgjonit është qendërmesfushor organizativ. Mirëpo, kjo zgjedhje i detyrohet Kosovës deri në një masë, pasi nga ajo që ka kuptuar gazeta Nacionale, Kosova sot do të vazhdojë me rreshtimin me 4 në mbrojtje dhe ka rezerva të mëdha për të shkuar me mbrojtjen me 3, përkundër mungesave të shumta, me skemën që në tërësi do të ishte 4-4-2.



Sidoqoftë, kjo do të ishte hera e parë që Domgjoni do të luante në një ndeshje zyrtare titullar me Kosovën, pasi në tri ndeshjet paraprake që Kosova i luajti gjatë këtij muaji, ai nuk u preferua asnjëherë ta nisë ndonjë ndeshje nga minuta e parë. Deri më tani, gjatë kësaj fushate kualifikuese, ka luajtur vetëm 13 minuta kundër Irlandës Veriore në Prishtinë më 9 qershor.

Në rast se do të konfirmohet kjo indicie rreth pozicionimit të tij si mbrojtës i krahut të djathtë, atëherë do të ishte interesante për t'u parë përshtatja e tij në rolin në fjalë, pasi më herët nuk e ka mbuluar dhe do të ishte një detyrë krejtësisht e re.

Mesfushori 23-vjeç vjen nga një sezon i mirë që ka pasur me klubin holandez të Vitesse. Veçanërisht në pjesën e dytë të kampionatit në Eredivise është shquar me paraqitje të mira, duke luajtur rregullisht titullar.

Ndërkaq, me Kosovën ka debutuar në grumbullimin e marsit të vitit 2022, ani pse ishte pjesë e Kombëtares që prej vjeshtës të vitit të kaluar. Ai luajti titullar në ndeshjen e parë të Giresse në krye të “Dardanëve”, ku madje shënoi edhe gol në fitoren që Kosova arriti ndaj Burkina Fasos me rezultat 5:0.

Për Kosovën, sfida e sontme do të jetë e një rëndësie të veçantë, pasi detyrohet të fitojë nëse dëshiron të kalojë në pozitën e parë të grupit para Greqisë. Madje, “Dardanët” për ta arritur një gjë të tillë duhet të synojnë të regjistrojnë fitore duke shënuar të paktën dy gola, për shkak të golaverazhit në ndeshje direkte përballë Kombëtares greke. Rreth formacionit startues ka dilema të mëtejme, të cilat varen edhe nga testet fizike që do t’u nënshtrohen disa lojtarë gjatë ditës së sotme, pasi të njëjtit kishin hasur në probleme të ndryshmë në ditët e fundit, qoftë në ndeshje zyrtare apo në seanca stërvitore. Gazeta Nacionale gjatë ditës së mbrëmshme raportoi se Vedat Muriqi do t’ia dalë të jetë në gatishmëri për të luajtur, ndonëse shqetësimet në këmbën e djathtë iu kishin rishfaqur edhe pas ndeshjes kundër Irlandës Veriore. Edhe vet në stërvitjen e djeshme, Muriqi u pa në fillim me këmbën e djathtë të lidhur me fashë, por në fund gjithçka shkoi mire.

Lajme të ngjashme