<b></b> Gundogannnn! Tifozët kosovarë të Manchester Cityt tregojnë si është ta fitosh titullin në çastet e fundit  

Gundogannnn! Tifozët kosovarë të Manchester Cityt tregojnë si është ta fitosh titullin në çastet e fundit  

24.05.2022 11:07

Artan Cernaveri e kishte pranuar para miqve të vet tifozë të ekipeve rivale se klubi i tij Manchester City po e humbiste titullin në Premierligë, edhe pse besimi s’i kishte humbur tamam, kur Aston Villa e kishte krijuar një epërsi prej dy golave 15 minuta para fundit. 

Ishte një çast drame e jashtëzakonshme e shoqëruar me ankth në Etihad. City dukej i acaruar e shqetësuar, po humbiste 2:0 kundër Aston Villës kur akrepat shënonin 76 minuta lojë, duke e ditur se në çerekun e mbetur duheshin tri gola, sepse, a mund t’i ketë shkuar mendja dikujt që Liverpooli nuk do ta mposhte Wolvesin në Anfield a?

Derisa Steven Gerrard, trajneri i Villës, po mundohej t’i ndihmonte Liverpoolit të vet të dashur drejt titullit, City e kishte në mendje skriptin e vet. Tamam si në vitin 2012.

Megjithatë, City këtë herë nuk e la shumë vonë rikthimin dramatik, megjithëse ai ishte prapëseprapë epik. Tri gola brenda pesë minutave kulmuan me titullin e katërt të Cityt në pesë vitet e fundit nën udhëheqjen e Guardiolës.

Cernaverit, megjithatë, i kishte shkuar në mendje përsëritja e atij rikthimit që e kishte përjetuar për herë të parë më 2012.

“Po! E kam menduar dhe e kam shkruar në grupin e Viberiit ku diskutoj me miqtë e mi: Reminv(Liperpool), Nikin (Chelesa), Lumin (Man United) e Dritonin (Arsenal), por nuk është se nuk e kam menduar se mund edhe të kthehet rezultat”, tha Cernaveri për Nacionale.

Guardiola i kishte bërë zëvendësimet e përkryera për ta përmbysur Villën, pasi Ilkay Gundogan, i futur në lojë në pjesën e dytë i shënoi dy prej tri golave të fitores, i asistuar në njërin prej tyre nga Oleksandr Zinchenko, zëvendësuesi i parë i trajnerit spanjoll. Raheem Sterling, një tjetër zëvendësues në pjesën e dytë, e asistoi Rodrin te goli i barazimit.

Ky ishte vendimi i qëlluar i Guardiolës për ta fituar ndeshjen, sipas Alfred Bekës, një tifozi të kamotshëm të qytetarëve.

“Kisha besim se do ta rikthejnë rezultatin, megjithëse lojtarët ishin në një presion të madh. Në këtë rast, trajneri veproi mirë me ndërrimet që i bëri. Dy prej lojtarëve që u futen në lojë, Zinchenko dhe Guendogan, kontribuuan në përmbysjen e rezultatin, njëri me asist e tjetri me shënimin e dy golave. Megjithatë, të të them të drejtën, kisha nga pak frikë se mos po e humbim titullin”, tha Beka për Nacionale.

Në vitin 2012, kur City e fitoi titullin e parë në epokën e Premierligës, skuadrës së udhëhequr nga Roberto Mancini atë kohë i duheshin dy gola në kohë shtesë kundër Queens Park Rangers për ta mundur Manchester Unitedin në garë për titull. Sergio Aguero e shënoi në minutën e 93-të golin e fitores 3:2. Për këtë, klubi e përuroi një statujë të argjentinasit më 13 maj për ta festuar 10-vjetorin.

Titulli i këtij viti ishte i 8-të për Cityn, i gjashti që prej kur sheikët e Abu Dhabit nisën të derdhin para dhe i katërti nën udhëheqjen e Guardiolës. Pesë prej atyre titujve janë fituar në ditën e fundit të sezonit, i frymëzuari nga Aguero erdhi pas atij në vitin 1968 dhe u përcoll nga ata të viteve 2014 dhe 2019.

City e kishte një epërsi prej 14 pikëve ndaj Liverpoolit në janar por i dha mundësi të kuqve të rikthehen në garë për titull deri në ditën e fundit.

Për Bekën, i cili është botues dhe përkthyes, rikthimi i frymëzuar nga Aguero është i papërsëritshëm, pavarësisht se ky i sivjetshmi i frymëzuar nga Gundogani është goxha drithëruese po ashtu.

Beka theksoi: “Rikthimi i Agueros, pasi që ishte në minutat e fundit. Para dhjetë vjetësh, kur po luheshin minutat e fundit të lojës së rregullt, isha i bindur se po e humbim titullin. Ndodhi ajo që ndodhi dhe ishte një moment magjik. Sivjet isha i bindur se do ta rikthejmë rezultatin, pasi që Aston Villa nuk kishte ndonjë motiv të fortë për të fituar.”

Cernaveri, një inxhinier me profesion, beson se Aguero dhe Gundogan do të mbahen në mend njëlloj në historinë e Cityt për golat e tyre titullfitues.

“Për nga rëndësia e golave të shënuar në ndeshje vendimtare, mendoj se si Aguero ashtu edhe Gundogan do mbesin ikona për tifozët e Man City, për një kohë të gjatë. Këta dy lojtarë do të mbesin gjatë në historinë e qytetarëve të Manchesterit. Kisha me thanë deri sa të përsëritet trileri i këtyre ndeshjeve vendimtare”, nënvizoi Cernaveri.

Cernaveri thotë se filloi ta përcillte Cityn në vitin 2007 dhe këmbëngul se që prej atëherë nuk e lë pa e shikuar asnjë lojë të qytetarëve.

“Tifoz i Manchester Cityt jam që nga viti 2007, kur në skuadrën e Cityt filluan të sillën shumë lojtarë të cilët ishin dëshmuar në futbollin ndërkombëtar. Unë nuk jam çfarëdo tifozi, por jam një tifoz fanatik që i përcjell të gjitha ndeshjet e Cityt në të gjitha garat. Që nga viti 2007 të gjitha ndeshjet e Cityt kam përcjell dhe nuk mund ta imagjinoj që City luan dhe unë mos te jem pranë televizorit apo telefonit të mençur ku e shikoj ndeshjen me shumë emocione.”

Beka thotë se shkëndijat e para të dashurisë për qytetarët i përjetoi në vitin 2004, në një ndeshje ku City e kishte mundur 4:1 rivalin e qytetit Manchester United.

“Pyetja prej kur jam tifoz i Manchester Cityt më bëhet vazhdimisht sa herë që ndonjë mik apo koleg e kupton se jam tifoz i këtij ekipi. Të gjithë mendojnë se jam bërë tifoz i Cityt këto vitet e fundit. Në fakt, ka qenë viti 2004 kur kanë filluar shkëndijat e para të simpatisë sime ndaj këtij ekipi. Ndeshja e këtij viti kundër rivalit lokal, Manchester United, në të cilën City fitoi 4-1 dhe loja e Cityt në këtë ndeshje më pat pëlqyer shumë.”

Tjera nga autori:
1